Thonë se dita e mirë shihet me mëngjes. Nëse tre muajt e parë të qeverisë Thaçi 2 janë mëngjesi i mandatit të saj, atëherë në horizont nuk po duket një ditë e mirë.
Në fakt, prej kohësh është bërë e qartë se me Thaçin në krye ne do të vazhdojmë të ecim përpara shumë më ngadalë se që kemi mundësi. Duke e marrë parasysh kohën që tashmë e kemi humbur në krahasim me rajonin, kjo ngathtësi për ne është e barabartë me ngujim në vend.
Zakoni e do që në 100-ditëshin e tyre të parë qeveritë të tregohen më energjike se zakonisht. Por në rastin tonë po e shohim një qeverisje tashmë të lodhur dhe pa ndonjë intensitet mbresëlënës të punës. Kjo, të paktën, është përshtypja që krijohet prej jashtë, gjë që, nëse nuk është e vërtetë, do të thotë se qeveria po tregohet tmerrësisht e dobët në promovimin e punës së saj.
Pa marrë parasysh komplikimet që solli aventura presidenciale e Pacollit për plotësimin e kabinetit qeveritar, është e turpshme që kryeministrit iu deshën tre muaj të tërë për të emëruar të gjithë zëvendësministrat. Mos të flasim pastaj për përshtatshmërinë profesionale të të emëruarve apo madhësinë e kabinetit i cili për t'u administruar do të shpenzojë sa një makinë Hummer në një kohë që qeveria ecën me shpejtësinë e një traktori.
Problemi kryesor mbetet shoferi i makinës sonë, i cili përveçse është dëshmuar si prijës pa ndonjë vizion të qartë për zhvillimin e vendit, vazhdon të qeverisë me konsistencën dhe përqendrimin e një felini.
Duket se edhe në këtë mandat Thaçi do të kërcejë prej një nisme në tjetrën pa ndonjë sistem dhe strategji të qartë të punës. Nuk vërehet ndonjë përpjekje e tij për t'i dirigjuar në mënyrë sistematike segmentet e ndryshme të qeverisë drejt arritjes së synimeve të paracaktuara (në rastet kur këto synime ekzistojnë), por vazhdohet me avazin improvizues të klarinetistit të tallavasë.
Për shembull, para më shumë se një muaji u publikua një strategji zhvillimore e cila, përveçse ishte jashtëzakonisht zhgënjyese në përmbajtje, më nuk u përmend nga askush, qoftë edhe si referencë, edhe pse u tha se strategjia do të pasurohej dhe do të diskutohej me publikun.
E njëjta gjë ndodhte vazhdimisht gjatë mandatit të kaluar teksa kryeministri entuziazmohej rreth ndonjë projekti ose nisme të cilën më pas e neglizhonte ose e harronte krejtësisht. Nuk është e qartë nëse problemi qëndron te fakti se kryeministri nuk u delegon detyra vartësve të vet; nëse vartësit nuk i kryejnë punët që u delegohen; apo nëse gjërat thuhen në publik veç sa për sy e faqe, pa ndonjë synim për t'u zbatuar ndonjëherë. Me gjasë është kjo e fundit.
I vetmi projekt që duket se po ecën shpejt është ai i autostradës. Duke i marrë parasysh kushtet skandaloze të kontratës të cilat i zbuloi javën e kaluar Lëvizja Vetëvendosje, do të ishte e çuditshme sikur edhe Bechtel-Enka të mos lëvizte vendit për të punuar diçka.
Mbetet akoma e paqartë se çfarë saktësisht do të ndodhë me Kosovën e Re, Hidrocentralin e Zhurit apo privatizimin e PTK-së. Meqë qeveria e kaluar u vonua shumë me këto projekte dhe largoi prej vendit tonë investitorë seriozë nga shtete të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe nga SHBA-të, kësaj të resë tashmë po i ngutet për të hyrë në marrëveshje për asetet më strategjike të shtetit me kompani të nivelit dytësor nga vendet e Lindjes, në atë që disa analistë me të drejtë e vlerësuan si “aksham pazar”.
Trendi i nënshtrimit ndaj agjendës politike dhe ekonomike të Turqisë së Erdoganit përbën trendin më shqetësues të kësaj qeverie, me pasoja për interesat strategjike të vendit.
Disa ministri kanë bërë hapa përpara drejt transparencës, duke u dhënë organizatave të shoqërisë civile qasje në monitorimin e prokurimit. Por duket se shkeljet e ligjeve nëpër institucionet tona nuk kanë të ndalur. Lëvizja Fol raportoi për 21 shkelje të ligjit në proceset e prokurimit të institucioneve publike vetëm gjatë muajve Janar-Mars. Ndërkohë, në media vazhdon të ketë raporte për tenderë që dëmtojnë buxhetin e shtetit.
Ka edhe shumë aspekte të qeverisjes që mbetën pa u përmendur, sidomos vazhdimi i neglizhimit të politikave sociale, por edhe disa të tjera që kërkojnë më tepër kohë për t'u vlerësuar. Shihet se ka aty këtu edhe ndonjë ministër i cili e bën ndonjë punë të vogël të mirë. Por përshtypja e përgjithshme është se në Qeverinë Thaçi 2 deri tani nuk po shihet ndonjë përmirësim përmbajtjesor i qeverisjes dhe i politikave zhvillimore, gjë për të cilën vendi ynë ka dëshpërimisht nevojë.
Kryeministri Thaçi mund të ndihet i kënaqur me kontributin e tij në arritjen e dy qëllimeve të tija jetësore të theksuara në spotet e fundit elektorale: çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë. Por e vërteta e hidhur është se duke e pasur atë në krye, Kosova po vazhdon të humbasë kohë shumë të çmuar në rrugën e saj për të përmbushur synimin e tretë jetësor të Kryeministrit, atë për integrimin e Kosovës në BE. Në këtë rast mund të përshtatet e kundërta e thënies së zakonshme: e treta e pavërteta!
Zeri (26 Maj)
No comments:
Post a Comment