Sunday, December 28, 2014

Roma nuk u ndërtua për një ditë

Të vërtetat e mëdha janë zakonisht aq të thjeshta, sa që më së qarti shprehen me vetëm një fjali. Prandaj edhe janë popullore fjalët e urta (përveç lehtësisë së transmetimit të tyre te trutë tanë dembelë).

Të përcjella brez pas brezi si përgjigje ndaj dilemave të jetës, fjalët e urta filtrohen dhe e kalojnë testin e kohës.

E ndjekin ligjin e përzgjedhjes natyrore të evolucionit: më të mprehtat dhe më të dobishmet mbahen në kujtesë, të tjerat harrohen apo arkivohen në libra për t’u studiuar më vonë nga entuziastë.Me pak fjalë, përçojnë mençuri sa libra të tërë. Janë mënyra se si historia u bën retweet apo share gjetjeve të saja.

Në fakt, urtësitë popullore të transmetuara gojarisht e kanë udhëzuar njerëzimin qysh para se të ekzistonte shkollimi apo leximi në masë. Edhe sot dinë ta kenë një common sense dhe një thellësi ndriçuese që i komplekson edhe shkencëtarët.  

Daniel Kahneman, njëri ndër psikologët më të mëdhenj të së sotmes, thotë diku se nga zbulimet e tija eksperimentale më së paku mahnitej e ëma e tij që s’kishte lidhje me shkencën. “Janë gjëra që dihen”, ishte zakonisht reagimi i saj.

Por shumë prej këtyre gjërave që dihen, madje të kthyera edhe në klishe, në momente të caktuara ua harrojmë vlerën dhe kuptimin e vërtetë.

Kjo sepse rrethanat e jetës shpeshherë na zhysin në irracionalitet të thellë. Na bëjnë që ta humbasim perspektivën e të menduarit të kthjellët, e të kujtuarit të “gjërave që dihen”.

Një thënie të cilën do të doja që ta fiqironim si shoqëri në këtë periudhë festash dhe reflektimi kolektiv, është një dichtum i njohur që të jep shpresë duke e vënë në pah vlerën e durimit.

“Roma nuk u ndërtua për një ditë”, besohet të kenë thënë francezët dikur rreth shekullit 13 për ta ngushëlluar veten. Këtë fjali e paska retweet në shekullin 16 edhe Mbretëresha Elizabeta e Anglisë. (Rroftë Wikipedia!)

Këtë thënie na e përçoi, përmes vargjeve të një kënge të famshme, edhe grupi Morcheeba në Gusht të vitit 2011 në një koncert të tyrin të mbajtur në Prishtinë.

Tani edhe unë po e rikujtoj sepse më duket se e përçon një mesazh të cilin do duhej ta kishim më tepër parasysh në jetët tona të përditshme. Sidomos në këto kohë kur po përballemi me zhgënjimet e shpeshta dhe asfiksuese të jetës në një vend në zhvillim.

Pra edhe Romës madhështore, selisë së njërës prej perandorive më të mëdha në histori, i është dashur shumë mund dhe kohë e gjatë për t’u bërë zilia e botës.

Është ngritur në këmbë edhe pasi pothuaj e tëra është djegur, kur me gjasë edhe shpresa është bërë shkrumb e hi.

Me gjasë zili e botës si Roma kurrë nuk do ta kemi fatin të jemi. Po e synojmë të paktën një vend “normal”.

Por duke dëgjuar dhe lexuar se për çka po flasim dhe si po flasim në hapësirën tonë publike, kam frikë se shumë prej nesh kemi filluar ta humbasim pak si shpejtë durimin dhe besimin se Kosova mund t’ia dalë në këtë synim.

Po e presim atë imazhin tonë ideal të Kosovës të na jetësohet pak si mrekullisht dhe menjëherë, thuajse ajo na e ka borxh këtë gjë neve dhe jo ne asaj.

Të asfiksuar nga ankthet, dëshirat dhe zhgënjimet e jetës së përditshme, shumë prej nesh e kemi humbur konsideratën për kufijtë e asaj që kjo Kosovë, me gjithë atë histori mbi supe, sot mund të na ofrojë.

Natyrisht, fuqia motivuese e një të ardhmeje të ëndërruar dhe abstrakte, si ajo e Romës madhështore, është e kufizuar. Sepse, siç thonë amerikanët, jeta është tani (“life is now”).

Nuk mund të pritet nga dikush që nuk di se si do ta shtyjë muajin që ta shohë veten në kontekst historik.

Të thartat e jetës e bëjnë optimizmin luks. Privilegj të injorantëve dhe naivëve. Të atyre që e kanë rrafsh.

Por siç dëshmojnë zen budistët, optimizmi mund të jetë edhe tipar i inteligjencës superiore. I aftësisë për t’i kontrolluar mendimet përmes vetëdijes totale. Për të mos i lënë emocionet dhe histeritë që të na e shembin arsyen.

Optimizëm të sojit injorant dhe naiv si shoqëri sot kemi me bollëk. Kemi shumë më tepër nevojë për shprehjen e këtij optimizmit të dytë që buron nga qetësia dhe realizmi zen budist.

Për një kritikë të kthjellët që nuk prihet nga frustrimet, inatet, zilia apo dëshira e pashtershme e kritikut për protagonizëm vetëpromovues. Për kritikë që trajton probleme por që njëkohësisht ka konsideratë për nevojën e ushqimit të shpresës.

Kemi nevojë për këtë lloj kritike sepse hapësirën tonë publike e ka pushtuar pesimizmi histerik dhe irracional.

Fryma e kritizerëve të cilët çdo gjë e shohin brenda një kornize të zymtë, deri edhe apokaliptike.

Ideologjia zyrtare e vendit është bërë qaramania dhe çdo ngjarje e radhës përjetohet si vërtetim se Kosova po shkon drejt fundit të pusit.

Kur një atmosferë të tillë histerike e legjitimojnë me fjalët e tyre edhe intelektualët, politikanët dhe opinionistët, pra ata që e kanë njëfarë niveli të mirëqenies dhe të vetëdijes, si mund të presim prej të varfërve, atyre që realisht nuk po arrijnë ta shtyjnë ditën në këtë ekonomi, që të mos u turren kufijve të Hungarisë?

Prandaj urimin tim për vit të ri do t’ia drejtoja gjithë atyre që – përmes shkrimeve, statuseve në Facebook apo muhabeteve në kafe – ndjejnë se po e kryejnë një funksion shoqëror teksa shpërndajnë më shumë pesimizëm dhe negativizëm se që kemi takat ta përballojmë.

Uroj se vitin tjetër do të na kursejnë nga përqendrimi histerik te të këqijat e vendit tonë. Sepse të gjithë e dimë se ku po jetojmë.

Sepse Roma nuk u ndërtua për një ditë.


Botuar te Gazeta Jeta ne Kosove (29/12/2014  http://www.gazetajnk.com/?cid=1%2C1067%2C9533) 

No comments: