Në shkrimin e djeshëm të Ilir Mirenës (“Habia e një fshatari”) në gazetën Express, shkrim ky në të cilin mendimi i autorit maskohet si pikëpamje e përgjithësuar e një fshatari kosovar, qytetarët që u ngritën për të protestuar kundër rrënimit të objektit të ish-Hotel Unionit u cilësuan, në mesin e disa etiketimeve të tjera cinike, edhe si “ekstremistë urbanë”. Etiketimi i tillë dhe qasja e përgjithshme e shkrimit nga ana e redaktorit të një gazete të konsideruar si progresive mu shfaq si dëshmia e radhës për derexhenë në të cilën kemi rënë ne qytetarët e kësaj Republike të gjorë. Kemi rënë aq poshtë saqë në momentin që dikush prej nesh ngrihet për të reaguar për diçka, rrezikojmë që as pa e bërë mirë hapin e parë të na vihen etiketa në bazë të ndonjë përkatësie, kësaj radhe demografike, dhe të cilësohemi si “ekstremistë”. Kësaj radhe jo vetëm prej atyre që janë në pushtet, gjë me të cilën jemi mësuar dhe e presim, por edhe prej vetë atyre që çdo ditë na rrëfejnë për abuzimet dhe arbitraritetin e pushtetit, na shesin moral dhe komentojnë mbi etikën e veprimeve të udhëheqësve tanë, dhe gjithë këtë punë të tyren dinë shumë mirë ta mbrojnë me ngulm, siç duket në mënyrë mjaft hipokrite, me nevojën që ka ky vend për një gazetari dhe qytetari më aktive. Mbase për autorin ekstremizmi nuk ka konotacion negativ. Për mua ky vlerësim në shkrim megjithatë kishte synimin të tregonte se qasja dhe mendimet e grupit që është ngritur për ta mbrojtur Unionin janë të paarsyeshme.
Por autori nuk lodhet fare të jap ndonjë arsye përse ne “ekstremistët” po gabojmë me mbrojtjen e Unionit. Shkrimi dominohet nga tone cinizmi dhe e zhvendos esencën e debatit nga vlerat e Unionit dhe nga rëndësia e objektit për qytetarët e Prishtinës duke e kaluar atë në një analizë banale të dallimeve mes perspektivave të ndryshme rreth çështjes – pra, ankesave “ekstreme” të snobëve urbanë (“me pedigre qytetare” thotë autori duke thumbuar) dhe habisë së fshatarëve që s’e kuptojnë arsyen përse këta prishtinas po ankohen për një “kaçak pulash”. Autori e vështron ngjarjen pak a shumë në kontekstin e parodisë së Stupcave, “Egjelit”, duke e vendosur vetën në pozitën e Axhës Shneq “injorant” dhe duke i karakterizuar qytetarët që protestuan tamam si ajo karikatura e “kullerit të lazdruar” që personifikohet nga Liki. E tërë kjo analizë e panevojshme si duket s’ka asgjë të bëjë me çështjen konkrete të Unionit, shumë të rëndësishme për qytetarët që protestuan, por thjesht me nevojën që ndien autori për ta komentuar çështjen nga ky këndvështrim dhe për ta shprehur njëfarë inati të pashpjegueshëm.
Kulmi i artikullit dhe motivi kryesor prapa këtij reagimi shfaqet kur autori, pa na dhënë as edhe një arsye të vetme, ofrohet vullnetarisht ta rrënojë Unionin. Ndaj kësaj nuk e di as çka të them. Sikur s’më duket vetja aq shpirtlig sa të kërcënoja autorin se, në hakmarrje e sipër, do të paraqitesha vullnetar për të rrënuar diçka që për të ka rëndësi ekuivalente shpirtnore sikurse ka objekti i Unionit për qytetarët e Prishtinës. Mua sinqerisht më vjen keq për atë që i ka ndodhur Hades, por le ti mbetet autorit në ndërgjegjen e tij, siç edhe e theksoi vetë, që nuk ka ndërmarrë diçka për ta parandaluar shkatërrimin e fshatit. E tëra që do të kërkoja nga ai është që të na lejë rahat neve që po përpiqemi të bëjmë diçka për qytetin e Prishtinës dhe që, si redaktor i një gazete mjaft progresive, të mos i bashkëngjitet hordhisë së qytetarëve injorant që e legjitimojnë këtë atmosferë të shkatërrimit të vlerave në bazë të emocioneve të pakuptueshme dhe që po e promovojnë një qasje gati Talebane ndaj historisë.
Shkrimi u botua ne Gazeten Express me 11 Prill 2007 si reagim ndaj nje shkrimi te kolumnistit Ilir Mirena.
No comments:
Post a Comment