Për dallim prej Ilir Mirenës, kolegu i tij Berat Buzhala në shkrimin e djeshëm (“Lufta për Selinë e Shenjtë”) ishte i vetëdijshëm se mund të akuzohej për cinizëm dhe injorancë, prandaj dhe vendosi që për objektin e ish-Unionit së paku të flas me argumente dhe jo nga pozicioni i panevojshëm i Axhës Shneq. Ky ishte një hap përpara në debat dhe një pjesë të argumenteve të Buzhalës, të kornizuara në stilin e tij të zakonshëm pragmatik dhe ironik që më pëlqen shumë, disi i legjitimoj duke e marrë parasysh pozicionin prej të cilit ai e vështron çështjen, por assesi nuk mund të pajtohem me to. Një hap tjetër hap përpara në shkrimin e Buzhalës në krahasim me shkrimin e Mirenës ishte se Unioni prej “kaçakut të pulave” na u bë “stacion i trenit”. Më duket se redaktorët e Express-it janë në rrugë të mbarë dhe, me ndihmën e shpjegimeve që po i japin arkitektët dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore, herët a vonë do ta kuptojnë se kemi të bëjmë me një monument relativisht të mirë për rrethanat provinciale të Prishtinës në vitin 1927 dhe, ç’është më e rëndësishmja, prurjen e vetme të mbetur të arkitekturës evropiane të periudhës para vitit 1945, vit ky pas së cilit komunistët e shkatërruan qendrën e vjetër të qytetit dhe filluan ndërtimin e kësaj xhungle të betonit që sot e quajmë kryeqytet. Objekti i Unionit kurrsesi nuk është Seli e Shenjtë, siç thumbon Buzhala për ta parodizuar “radikalizmin” tonë, por është krejt çka na ka mbetur për të dëshmuar se ky qytet i shkatërruar ka frymuar Evropë edhe para arkitekturës së shëmtuar komuniste dhe sidomos para valës së kiçit post-1999 që sot në syrin e shumë qytetarëve perceptohet si “modernizëm”. Mendoj se kjo është arsye e mjaftueshme, pa i hyrë edhe aspektit politik të sqaruar nga Mufail Limani, për ta mbrojtur dhe për të kërkuar restaurimin e tij me çdo kusht.
Por pasi e ndërmori hapin e rëndësishëm të hyrjes në argumente, Buzhala u kthye sërish nja dhjetë hapa prapa kur në fund të shkrimit, mbase i indinjuar nga toni i ashpër i shkrimit tim të djeshëm dhe akuza që i bëra Express-it për hipokrizi, ai njësoj sikur Mirena i hyn masakrës së etiketimeve në baza të paqena dhe ofendimeve ndaj aktivistëve të mbledhur rreth çështjes së Unionit. Ironia e tij drejtohet ndaj njëfarë lazdrimllëku elitar (“krema e kremës”!!!) në ndërkohë që në konceptin tim të elitës Buzhala dhe Mirena janë pjesë përbërëse të elitës Kosovare mbase më tepër se shumë pjesëtarë të shoqërisë civile, artistëve apo qytetarëve të thjeshtë që janë bërë pjesë e grupit që mbron Unionin. Absolutisht nuk e kuptoj këtë nevojë që ndiejnë autorët për t’u vetë-distancuar nga njerëzit që “e kanë pasur fatin të lindin në Prishtinë” dhe në bazë të kësaj premise ta definojnë elitizmin dhe pastaj ta parodizojnë atë me cinizëm. Mbase pasioni i grupit tonë për vlerat artistike dhe arkitektonike, të cilin qartazi autorët nuk e ndajnë, po keqkuptohet si njëfarë snobizmi i panevojshëm dhe prej këtu ata na nxjerrin si “radikal” dhe “ekstremistë urban”. Ose thjesht bëhet fjalë, sikurse edhe në rastin e Mirenës, për ndonjë inat të pashpjegueshëm.
Buzhala në fund të shkrimit hyn në një terren krejt tjetër, madje shumë ofendues, kur i bën një analizë gjykuese motiveve tona personale rreth kësaj çështje dhe veprimeve të ndërmarra. Esenca e asaj që thotë Buzhala është se ne jemi një grup i pulave të paguximshme, të denja për kaçakat e Axhës Shneq, që po merremi me një punë të kotë përderisa në Prishtinë ka qindra probleme të tjera më të rëndësishme për të cilat ne nuk guxojmë të reagojmë për shkak të rrezikut që mund të na kanoset. Nuk kam se si të pajtohem më shumë me Buzhalën për problemet e Prishtinës, për guximin që nevojitet për t’i sfiduar ato, dhe për nevojën që ekziston që dikush tu dalë në ballë. Në këtë pikë po i qes në tavolinë edhe unë letrat, njëlloj siç bëjnë Mirena dhe Buzhala kur thonë se nuk janë me origjinë nga qyteti, dhe po them se nuk jam fort i interesuar ta fus dorën në zjarr. I admiroj ata që këtë punë e bëjnë për qytetin e tyre, si për shembull aktivistin e mrekullueshëm ferizajas Ramadan Ilazin, por unë vetë apo edhe shumica e të tjerëve në grup s’jemi të tillë. Problemi me Buzhalën dhe kritikën e tij ndaj nesh qëndron në faktin se ai mendon se aksioni i vetëm që paska vlerë qytetare na qenka ai që mbart njëfarë rreziku apo që merret me probleme të cilat janë të vlefshme vetëm sipas kritereve të Buzhalës. Unë mendoj që aksion me vlerë qytetare është secili aksion që mobilizon njerëz rreth ndonjë çështje me interes publik, dhe prandaj nuk ka fare nevojë që çështja e Unionit të shtrohet sipas modelit: “meqë s’keni bërë dhe s’po bëni asgjë për problemet e tjera atëherë s’keni të drejtë të ankoheni për një kaçak pulash”.
Nuk është se ndiej ndonjë nevoje të madhe për t’iu arsyetuar Buzhalës se përse e kemi marrë këtë nismë kaq për zemër, por desha të sqaroj se unë për vete e kam kapur krejt rastësisht këtë çështje meqë më ka prekur personalisht dhe kam menduar se mund të kem ndikim. Këtë e kam bërë jo pse mendoj se problemet e tjera janë të parëndësishme ose të rrezikshme, por për shkak se një ditë prej ditësh, kur isha duke pirë kafe dhe duke lexuar gazeta në rolin e një apatiku tipik prishtinas, mu mbush kupa nga arbitrariteti i pushteteve të njëpasnjëshme që e shkatërruan deri në rrënjë qytetin tim, të cilin mbase Buzhala nuk po e ndjen si të vetin. Buzhala mund të rrijë ditë e natë në zyrë, banese dhe në kafene dhe t’u argumentojë njerëzve se ekstremistët po çojnë pluhur kot dhe të bëjë paralele ironike me vjetërsinë e fshatit të tij, stacionet e trenave apo me ndërtesat e mundshme “moderne” që do të mund t’ia zënë vendin Unionit. Ai mund të rrijë çdo ditë duke i injoruar faktet historike dhe arkitektonike apo edhe rëndësinë e tyre. Por asgjë dhe në asnjë moment nuk ia jep atij të drejtën të na quajë aktorë për shkak se jemi ngritur për diçka që NE mendojmë se ka rëndësi!
Ndërkohë që përkrahja kundër rrënimit të Unionit vazhdon të rritet, aksionet e deritashme kanë pasur sukses sepse e kanë sensibilizuar opinionin para kohe dhe e kanë hapur debatin për çështjen para se Komuna të mund të na vendoste para një akti të kryer, siç ka ndodhur shpeshherë. Paralelisht me rritjen e mbështetjes për ruajtjen e objektit vazhdon edhe kakofonia e injorancës dhe qasjes talebane ndaj historisë, zëdhënës të së cilës janë ksenofobët dhe provincialët kulturor që me argumentet e tyre hipokrite dhe të pabazuara vazhdojnë të na ndihmojnë duke i bërë vetës anti-reklamë. Në mes të këtyre dy qasjeve qëndrojnë pragmatistët si Buzhala, të cilët fatkeqësisht po rrëshqasin drejt këtij grupit të dytë në të cilin ma merr menja se nuk përkasin. Në debatin për rrënimin e Unionit ose edhe të objekteve të tjera trashëgimisë kulturore të qytetit nuk mund të ketë mes pragmatik, meqë debati është në thelb një debat civilizues. Ajo që mbetet jashtëzakonisht zhgënjyese është oferta e vazhdueshme e Buzhalës dhe Mirenës për tu paraqitur vullnetarë në këtë rrënim. Ky qëndrim arrogant i vendos ata në kufijtë e talebanizmit dhe larg çfarëdo pragmatizmi. Me kacitë dhe bagerët e tyre Buzhala dhe Mirena jo vetëm se do të rrënonin diçka me vlerë, por do t’ia hapin varrin e fundit historisë së këtij qyteti që mbeti pa kurrfarë identiteti për shkak se u dhunua valë-valë nga injoranca e pushteteve shkurtpamëse dhe atyre që mllefet ia zbrazën historisë.
Shkrimi u botua ne Gazeten Express me date 12 prill 2008 si reagim ndaj komentit te kryeredaktorit Berat Buzhala ne lidhje me ceshtjen e objektit te ish-hotel Unionit.
No comments:
Post a Comment