Tuesday, March 30, 2010

Avokatët dhe mjegullimi i fakteve

Pas botimit në shtyp të një vargu opinionesh kritike ndaj qeverisë, kryesisht rreth çështjes së korrupsionit, nuk munguan edhe reagimet e palës së kritikuar. Përderisa vetë qeveria u mjaftua me disa deklarata standarde të zëdhënësit dhe me një kolumne të zbehtë të Bekim Çollakut, reagime pak më përmbajtjesore erdhën nga kujdestarët e imazhit të qeverisë brenda komunitetit të analistëve.

Dielli i ditëve të para të pranverës duket se e zgjoi pak me vonesë nga gjumi edhe zyrën e avokaturës së Thaçit në redaksinë e Gazetës Express. Në gjykatën e opinionit publik si përfaqësues i palës së akuzuar kësaj here u paraqit gazetari/avokati i dytë në zinxhirin komandues, Ilir Mirena.

Në editorialin e tij të fundit, Mirena përdor strategjinë mbrojtëse që përdor edhe zëdhënësi Memli Krasniqi – injoron çfarëdo kritike konkrete, merret me çështje personalizuese dhe përpiqet ta përgjithësojë debatin. Argumenti kryesor i tij dhe i kujdestarëve të tjerë është argumenti që zakonisht përdor avokati gjyqësor kur përpiqet t’i hedh poshtë dyshimet e bazuara të prokurorisë – ”na sillni faktet!”, klithin në kor të gjithë mbrojtësit në një kohë kur faktet i kanë para syve.

Në përpjekje për t’i vënë në dyshim motivet e kritikëve, avokati Mirena madje e merr edhe rolin e psikologut. Këndvështrimi i tij është se kemi të bëjmë me një histeri të njerëzve të frustruar të cilët, duke qitur nga goja shkumë elefanti dhe duke u shtyrë se cili po bërtet më shumë, po përpiqen të duken dhe të tërheqin vëmendjen.

Se mllefi na qenka motiv jolegjitim i kritikës, këtë e dëgjoj për herë të parë nga Ilir Mirena. Ai harron ose qëllimisht e neglizhon faktin se mllefi mund të burojë edhe nga një problem shumë i arsyeshëm dhe real si zhgënjimi i qytetarëve me punën e qeverisë së tyre.

Përkundër mungesës së çfarëdo themeli logjik në shkrimin e Mirenës, duhet pranuar fatkeqësisht se ai dhe disa nga avokatët e tjerë kanë të drejtë në një pikë të vetme. Jo secili prej kritikëve të qeverisë u përqaset problemeve me përgjegjësitë që ngarkon e drejta e fjalës së lirë dhe angazhimit publik.

Nuk e kam fjalën këtu për përdorimin e fjalëve të rënda apo “ofenduese” ndaj qeverisë dhe Kryeministrit. Përdorimi i këtyre fjalëve, ndonëse nuk preferohet, mbetet legjitim nëse ato fjalë bazohen në fakte dhe vepra konkrete të dokumentuara. Dyshoj se një redaktor do të hezitonte që në gazetën e tij të përdorte fjalën “hajn” për një njeri që kapet nga kamera duke i vjedhur dikujt kuletën.

E kam fjalën për ato sulme ndaj qeverisë që ndërtohen brenda kornizave spekulative, thashethemeve, paragjykimeve dhe paranojave - apo ato rastet kur disa kritikë flasin me kompetencë rreth çështjeve për të cilat nuk kanë njohuri të mjaftueshme. Në publik ky lloj i kritikës “paushalle” shpeshherë e arrin efektin e kundërt prej atij të synuar, duke i shtyrë qytetarët që t’i mbyllin veshët para “zhurmuesve që veç kritikojnë dhe filozofojnë” dhe duke ua humbur kështu kredibilitetin edhe atyre pjesëve të drejta dhe te vërteta të kritikës së tyre.

Për më tepër, kjo qasje joproduktive i jep mundësinë qeverisë dhe kujdestarëve të saj që të shpërqendrojnë vëmendjen e opinionit publik me kundërsulme dhe t’i mbulojnë me mjegull disa fakte shumë konkrete që kanë dalë sheshit kohëve të fundit.

Ajo që “prokuroria e opinionit publik” duhet të bëjë është që avokatëve që insistojnë në fakte t’jua parashtrojë një pyetje fare të thjeshtë: po shtëpia e re e Kryeministrit çfarë na qenka? Pjellë e imagjinatës së njerëzve të frustruar? A nuk është ky pikërisht ai “denoncimi” për të cilin avokati Ilir Mirena na thotë se është “parakusht për ndryshim”?

Kryeministri para disa ditësh dha disa sqarime të mjegullta për madhësinë e shtëpisë së tij dhe për burimet e financimit. Por pyetjet kryesore mbesin pa përgjigje: prej nga buron gjithë ky kapital i tij? Cila na qenka natyra e bizneseve te vëllezërve të tij të cilët, sipas fjalëve të vetë Kryeministrit, i paskan ndihmuar me financimin e shtëpisë? Këto janë pyetje shumë konkrete dhe legjitime. Kryeministri ka çuar dorë nga privatësia e financave të tija dhe të familjes së tij në momentin kur e ka marrë në dorë arkën e shtetit.

Përderisa pala e mbrojtur nuk ofron fakte të besueshme rreth kësaj çështjeje, një qytetar ka të drejtë ta konsiderojë Kryeministrin e tij si matrapaz dhe ta quajë me këtë emër edhe publikisht. Nëse sipas ligjit mbetesh ”i pafajshëm deri sa të shpallesh fajtor”, në gjyqin e opinionit publik logjika është tjetër – mbetesh fajtor derisa të mos i heqësh dyshimet e bazuara që ndjell intuita e qytetarëve të cilët e dinë se çfarë niveli i të ardhurave nevojitet për të blerë shumë hapësirë toke në Veternik dhe të për të ndërtuar aty një shtëpi gjigante.

Kur avokati Mirena ironizon shkumën që nxjerrin kritikët, ai harron se bëhet fjalë për të njëjtën shkumë të mllefit qytetar që dukej se nxirrnin redaktorët e Express-it para disa vitesh kur në ballina sensacionale të gazetës e pyesnin Ministrin Dugolli: ”Ku i more paret Bujar?” Sot shihet qartë se kjo shkumë e redaktorëve paskësh qenë shkumë hipokritësh.

Kjo shoqëri ka nevojë më shumë se kurrë që prej shkumës së mllefit të kalojë në prodhimin e një shkume tjetër – një shkume sapuni e cila do të na pastronte nga balta intelektuale dhe morale të cilën një pjesë e komunitetit të gazetarëve dhe analistëve e legjitimojnë me angazhim të zellshëm publik. Urgjencën e këtij “dushi shpirtëror” e ilustron bukur, ndonëse me nuancë të tepruar fatalizmi, edhe kënga e fundit e Trojës, “Mbretëresha Kohë”: “Nëse të bardhën prej të zezës na sot nuk mujna me e nda, nesër as shiu nuk mundet me na la!”

Shkrimi u botua në blogun e Gazetës Zëri.

No comments: