Friday, April 15, 2011

Sfidat e demokratit të (pa)ndritur

Mediet lajmëruan se kryeministri Thaçi, bashkë me një grup ministrash dhe partnerësh ndërkombëtarë, ndodhen në Bansko të Bullgarisë, për të hartuar një plan strategjik të politikave të zhvillimit. Ky lajm është i mirëseardhur, edhe pse vjen me katër vjet vonesë.

Derisa detajet e strategjisë mbesin për t'u parë dhe nuk duhen paragjykuar, një gjë është e qartë qysh tani: asnjë plan serioz i zhvillimit nuk do të ketë sukses pa një dirigjent të fortë. Historia e shteteve në zhvillim na mëson se reformat e mëdha dhe të vështira kërkojnë prijës të cilët jo vetëm që e kuptojnë kompleksitetin e politikave që duhen ndjekur, por e kanë edhe fuqinë për t'ia shitur dhe imponuar ato shoqërisë.

Në rast se, helbete, Thaçi kësaj here vendos t'u hyjë reformave seriozisht, ai do të ketë problem të madh me fizibilitetin e tyre politik. Kornizat e tija të veprimit janë shumë të kufizuara.

Pikë së pari, qytetarët e rraskapitur nuk kanë shumë durim për të pritur rezultate. Shumica nuk do t'i kuptojnë reformat e nevojshme që nuk sjellin përfitime të menjëhershme, sidomos ato që krijojnë efekte negative në afat të shkurtër - një rast të cilin opozita e fortë gjithsesi do ta shfrytëzojë për interesat e saj.

Për më tepër, meqë pushteti në Kosovë mbahet kryesisht përmes patronazhit – favoreve për bazën elektorale dhe financuesit e partisë – çfarëdo reformash që prekin këto interesa rrezikojnë t'ia presin kryeministrit këmbët e holla që e mbajnë në pushtet. Të mos flasim pastaj për problemet që Thaçi ia ka krijuar buxhetit me projektet e mandatit të kaluar dhe premtimet elektorale për rrogat, apo për partinë që po i përçahet.

Teksa lëshohet me ski nëpër shtigjet e Banskos, kryeministri me gjasë do të dëshironte që strategjia e ekspertëve të tij të mund të zbatohej në stilin e lëshimit ("spust"), dhe jo në atë të "sllallomit" që kërkon manovrimin nëpër pengesa të tilla politike. Kryeministri mbase ndjen pak xhelozi ndaj figurës së njohur të "despotit të ndritur" – udhëheqësit autoritar i cili eliminon pengesat duke suspenduar rregullat demokratike por njëkohësisht ndjek reforma të mëdha që çojnë drejt zhvillimit ekonomik dhe krijojnë rrethanat e përshtatshme për demokraci funksionale.

Në Korenë e Jugut, për shembull, një shtet i cili në vitin 1960 ishte rreth dhjetë herë më i varfër se Kosova e sotme dhe kishte demokraci jofunksionale, rrënjët e industrializimit të hatashëm u lëshuan vetëm pas sundimit autokratik të Park Chung-hee (1961-1979). Ndonëse Park ishte diktator, shumica e qytetarëve të Koresë demokratike sot përkulen para veprave të tija në ekonomi.

Meqë për Thaçin despotizmi nuk është opsion real, ai duhet të kërkojë modele prej udhëheqësve transformues në shtetet demokratike – "demokratëve të ndritur". Shembulli më i mirë mbase është presidenti i derivonshëm i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva – një njeri i cili e ka arritur atë që është gati e pamundshme në një shtet demokratik të ditëve të sotme. Pas dy mandateve në pushtet Lula është larguar nga pozita duke gëzuar pëlqimin e 80% të qytetarëve, një nivel shumë herë më i lartë se kur kishte ardhur pushtet në vitin 2003 (61%).

Arsyet e suksesit të Lulas ndërlidhen para së gjithash me strategjinë e suksesshme të zhvillimit. Lula i majtë por pragmatik nuk lëvizi shumë nga politikat makroekonomike të paraardhësve të tij liberalë por vetëm u shtoi atyre elemente sociale që rritën klasën e mesme dhe ulën nivelin e varfërisë. Lula nuk pati nevojë për dhunë për t'i shtyrë përpara idetë e tija të mira. Atij i mjaftuan karizma dhe komunikimi i sinqertë i synimeve me qytetarët. Kur ta kesh fituar besimin e 80% të popullit se po punon për ta, nuk ke nevojë të shqetësohesh shumë për pengesat e ndonjë opozitari apo biznesmeni sabotues.

Fatkeqësisht, gjasat që Thaçi të arrijë diçka si Lula janë pothuajse të barabarta me gjasat se një ditë prej ditësh lopët do të hapin krahët për të fluturuar.

Strategjia zhvillimore mbase edhe del "e ndritur". Vullneti për ta zbatuar atë mbase edhe do të ekzistojë. Por Thaçit megjithatë do t'i duhet mbështetje e gjerë popullore për t'i eliminuar pengesat dhe sabotimet e interesave të shumta të ngushta. Si mund ta arrijë këtë gjë një Kryeministër i cili është i paaftë për të komunikuar në mënyrë normale dhe të sinqertë me qytetarët e tij? Si mund të kërkojë mirëkuptim dhe mobilizim prapa agjendës së tij një njeri i cili, siç na dëshmojnë shtëpia e tij megalomane dhe rrobat speciale të dizajnuara me inicialet H. Th, ka kohë që ka humbur kontaktin me realitetin e mjerueshëm të shumicës së qytetarëve të tij?

Meqë opozita ia siguroi vazhdimin e mandatit, thellë brenda nesh duhet të ekzistojë një dëshirë që Thaçi të ketë sukses. Ndryshe do të ishim mazohistë të vërtetë. Ama të shpresosh në Hashim Thaçin pas gjithë këtyre viteve është bërë një sport tejet i vështirë.

Kushedi, mbase lopët edhe do të fluturojnë.

Zeri (14 Prill, 2011)

No comments: