Telenovelat e politikës së përditshme vazhdojnë të na ngufasin hapësirën mediale. Ndërkohë, diskutimet rreth çështjeve të rëndësishme si politikat e zhvillimit janë ngujuar në margjina dhe janë të një niveli kryesisht sipërfaqësor.
Zyrtarët e qeverisë dhe papagallët e tyre në shtyp e reduktojnë çdo diskutim për këtë temë te ndërtimi i rrugëve, shkollave, rritja e rrogave për sektorin publik – gjëra "të shitshme" për votuesin e zakonshëm. Si dëshmi të zhvillimit ata përmendin edhe rritjen e mirë vjetore të bruto prodhimit vendor (BPV-së) gjatë viteve të fundit. Mesazhi që përçohet është se jemi në rrugë të mbarë dhe se përmirësimi i cilësisë së jetës thjesht kërkon kohë.
E vërteta, fatkeqësisht, nuk do të mund të ishte më ndryshe. Tabloja që na prezantohet flet vetëm për tullat që po i shtohen mureve të shtëpisë sonë dhe nuk përmend faktin se përfundi këtyre mureve ndodhen themele prej kashte të cilat nuk janë adresuar seriozisht as në programin e prezantuar prej qeverisë së re.
Rritjet e fundit të BPV-së nuk janë kurrfarë treguesi për gjendjen e ekonomisë. Ato erdhën si rezultat i rritjes së shpenzimeve publike të cilat nuk mund të mbahen gjatë në këtë nivel, gjë që u vërtetua nga fërkimet e fundit më FMN-në. Me një sektor privat të dobët dhe me investime të huaja direkte që nuk duken në horizont, është e vështirë të paramendohet se investimet private do të mund të kompensojnë gjatë viteve të ardhshme uljen e pritshme të shpenzimeve publike dhe të mbajnë ritmin ekzistues të rritjes ekonomike.
Problemi kryesor mbetet mungesa e vizionit afatgjatë zhvillimor. Investimet kapitale të qeverisë së kaluar nuk ishin pjesë e ndonjë strategjie koherente që synonte rritjen e prodhimtarisë vendore por ishin kryesisht të motivuara nga dëshira e ujqërve për të shpallur tenderë dhe për të ushqyer rrjetin e patronazhit. Mbetet shumë e dyshimtë vlera që këto investime i kanë dhënë ekonomisë në aspektin e akumulimit të kapitalit produktiv.
Edhe në rastet kur investimet kanë qenë më strategjike, si në rastin e rrugës së kombit, ato e shpalosnin qasjen miope ndaj politikave të zhvillimit. Bëhet fjalë për një model popullist dhe mendjelehtë i cili fokusohet vetëm në investimet e kapitalit fizik dhe injoron faktorët e tjerë kyç që nevojiten për ta këtë vënë këtë kapital në funksion të rritjes në afat të gjatë: si, p.sh., kapitalin njerëzor (arsimin dhe shëndetësinë cilësore), shtetin ligjor, politikat stimuluese, etj. Lista e shteteve që kanë provuar një "strategji" të dështuar si kjo e Thaçit është e gjatë.
Një autostradë si rruga e kombit në parim është ide e mirë, por çfarë përfitimesh do t'i sjell ajo një ekonomie me prodhimtari të papërfillshme? Sa do të jenë bizneset tona të afta për t'u shtyrë me prodhuesit e shteteve të tjera të cilët do ta shfrytëzojnë autostradën për të na shitur neve produktet e tyre? Duke pasur parasysh cilësinë e dobët të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore si dhe një nivel të varfërisë i cili vyshk aftësitë njerëzore, sa është fuqia jonë punëtore produktive dhe e aftë për t'i tërhequr këta prodhues në Kosovë? Për më tepër, cili investitor serioz do të vijë në një vend ku kapitali i tij nuk mbrohet nga ligji?
Nuk është rastësi që shtetet të cilat sot tregojnë zhvillim të qëndrueshëm janë ato që paralelisht me investimet në kapitalin fizik janë marrë seriozisht edhe me probleme të tilla.
Në Brazil strategjitë e zhvillimit janë shoqëruar, mes shumë masash tjera, me politika për këputjen e ciklit të varfërisë. Programe si "Bolsa Familia", për shembull, u ofrojnë të varfërve asistencë sociale por e kushtëzojnë atë me dërgimin e fëmijëve në shkollë dhe kontrolle mjekësore. Investimet e mëdha në sektorin social Brazilit sot i janë shpaguar me rritje të produktivitetit të popullsisë, ulje të nivelit varfërisë si dhe me një ekonomi e cila po rritet shpejtë dhe po arrin t'i përballojë mirë ciklet negative.
Kina, në anën tjetër, mes shumë hapash të tjerë që ka marrë prej vitit 1980 e këndej, ka krijuar institucione që ofrojnë garanci dhe mbrojtje për kapitalin e investitorëve, ndonëse shteti mbetet diktatorial. Pa institucione të tilla Kina nuk do të ishte kthyer sot në fabrikën e botës.
Rëndësia që kanë investimet në themele për rritjen dhe qëndrueshmërinë e një ekonomie mund të ilustrohet me një paralele mes Haitit dhe Japonisë. Edhe Haiti njësoj si Kosova shënonte rritje pozitive ekonomike për disa vite me radhë para tërmetit të vitit të kaluar që i uli BPV-në për 7%. Por për shkak të themeleve të dobëta – nivelit të ulët të vetëdijes shoqërore, institucioneve skajshmërisht të dobëta, etj - Haitit do t'i duhet kohë tepër e gjatë që të rikthejë humbjet dhe të vazhdojë rrugën e zhvillimit. Për shumëkënd gjendja në Haiti madje ngjan edhe e pashpresë.
Në anën tjetër, askush nuk dyshon në aftësinë e Japonisë, si vend me kapital të lartë njerëzor dhe institucione të forta, për t'u rimëkëmbur shpejtë nga pasojat e tmerrshme të katastrofës së fundit natyrore. Lajmi i mahnitshëm që e konfirmoi këtë bindje ishte rindërtimi që japonezët i bënë një autostrade vetëm pesë ditë pas tërmetit.
Histori si këto na tregojnë se rritjet vjetoret të BPV-së, pa investime në themelet e shoqërisë, nuk do të jenë asgjë më shumë se fluska sapuni, pa marrë parasysh se çfarë na thonë Hashim Thaçi me miq.
Gazeta Zeri (7 Prill)
No comments:
Post a Comment