Thursday, April 28, 2011

Strategjia e popullit nomad

Strategjia zhvillimore e Banskos konfirmoi pritjet e skeptikëve. Drafti i parë, i miratuar në qeveri në formën e një prezantimi 23-faqesh në Power Point, i mbushur me gabime drejtshkrimore, me fjalët më të buta mund të quhet joserioz.

Prej kryeministrit mbase edhe nuk pritej më shumë. Por, që prapa një dokumenti të tillë qëndrojnë gjithë ata këshilltarë dhe ministra me mend, agjenci të huaja donatore dhe ambasadorë me përvojë, kjo është vërtet zhgënjyese.

Strategjia më tepër i ngjan një fontane dëshirash, sesa një plani konkret.

Për aq sa ka përmbajtje, ajo fokusohet në tri drejtime: projektet e infrastrukturës fizike (transporti dhe energjia), reformat strukturore (administrative dhe pronësore) dhe disa politika sektoriale (me fokus të mirëseardhur në bujqësi).

Në këto aspekte, dokumenti i identifikon mirë disa prej problemeve kyçe, por mbetet krejt i cekët në sqarimin e masave për zgjidhjen e tyre. Për shembull, problemi ynë i madh me sundimin e ligjit në dokument adresohet me një fjali të vetme: "forcimi i infrastrukturës ligjore". Alamet plani.

Megjithatë, problemi kryesor i strategjisë nuk është vetëm mungesa e detajeve, por koncepti i ngushtë dhe miopik i zhvillimit.

Pjesa më e madhe dhe më e elaboruar e strategjisë u dedikohet projekteve të caktuara të infrastrukturës (Kosova e Re, Zhuri, autostrada), privatizimit të ndërmarrjeve publike (PTK, distribucioni) dhe masave për përmirësimin e klimës së biznesit.

Funksionimi i mirë i tregut të lirë gjithsesi kërkon projekte të tilla që forcojnë themelet institucionale dhe infrastrukturore të ekonomisë. Por, duket se këto masa po trajtohen si "plumba magjikë" për zgjidhjen e të gjitha halleve. Ndërkohë, po harrohet themeli më i rëndësishëm dhe më problematik i ekonomisë sonë – kapitali i ulët njerëzor (arsimimi dhe shëndeti i popullsisë).

Ideja se shteteve të varfra për zhvillim u mjafton injeksioni i kapitalit fizik, e bazuar në teorinë Harold-Domar, është zhvlerësuar në vitet e 60-a. Qysh atëherë, pas investimeve të mëdha të Bankës Botërore në vendet e botës së tretë, u pa se infrastruktura fizike nuk krijon zhvillim nëse popullsia e një vendi nuk i ka aftësitë për ta përdorur këtë infrastrukturë.

Për më tepër, është iluzore bindja se privatizimi i ndërmarrjeve dhe reformat strukturore, sado të dobishme të jenë, garantojnë nxitjen e investimeve dhe krijimin e mirëqenies.

Mjafton të kujtojmë përvojat e shteteve të varfra në vitet e 80-a dhe 90-a, kohë kur reforma të tilla u imponoheshin nga FMN-ja dhe Banka Botërore. Njësoj si Kosova e sotme, shumica e këtyre vendeve nuk kishin themele të forta njerëzore dhe shoqërore për të konkurruar me cilësi në tregjet botërore. Si rrjedhojë, shumica e tyre stagnuan ose morën teposhtëzen.

Përkundër këtyre përvojave, zyrtarët tanë qeveritarë shkuan në Bullgari për të mbushur "faqe të tëra" të Power Point-it me ide për reforma strukturore dhe investime kapitale, ndërkohë që, siç thotë një idiomë amerikane, injoruan elefantin në dhomë.

Përveç faqes së tretë të dokumentit ("Misioni ynë"), ku kapitali njerëzor përmendet kalimthi si objektiv i strategjisë, askund - as edhe në një fjali të vetme të këtij dokumenti nuk diskutohet për problemin, i cili do të duhej të ishte lart në listën e prioriteteve.

Nuk po kuptohet se arsimimi i dobët i popullsisë, shëndeti i lig dhe varfëria nuk janë vetëm pasoja të mungesës së zhvillimit – ato janë edhe SHKAQE të mungesës së zhvillimit. Studime të shumta kanë vërtetuar se investimet në kapitalin njerëzor luajnë rol kyç në shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike.

Logjika është e thjeshtë: një shoqëri më e arsimuar dhe më e shëndoshë krijon, mes tjerash, punëtorë më të aftë. Sa më e aftë të jetë fuqia punëtore, aq më produktive do të jetë ajo në çdo sektor të ekonomisë dhe aq më tërheqëse bëhet Kosova për investimet e ndërmarrjeve që operojnë në sektorë më të sofistikuar ku të ardhurat janë më të mëdha (industri dhe shërbime).

Me një strategji si kjo e qeverisë, Kosova mbase do të shënojë rritje ekonomike për disa vite, si rezultat i qarkullimit që do të krijojnë investimet kapitale. Por, ekonomia jonë në fund do të mbetet me po këto themele të dobëta shoqërore dhe me po këtë strukturë primitive – një ekonomi ku prodhohet pak, dhe atë vetëm në sektorë margjinalë me të ardhura të vogla.

Në këtë lloj ekonomie, prej rritjeve vjetore të GDP-së do të vazhdojnë të përfitojnë vetëm të pasurit dhe të arsimuarit. Të varfrit mbesin të paaftë për të kontribuar dhe për të përfituar.

Vizioni i strategjisë është ambicioz: "Një shoqëri evropiane, prosperuese dhe e dinjitetshme për të gjithë qytetarët e Kosovës". Megjithatë, po u ndoq "rruga" e saj, shumica e qytetarëve të Kosovës me gjasë do të mund ta gjejnë këtë prosperitet dhe dinjitet evropian ashtu siç e kanë gjetur deri sot – duke ikur vetë për në Evropë.

Me këso strategjish ne do të mbesim, siç na quajti së fundi një eksponent qeveritar, një "popull nomad" – burim i pashtershëm i fuqisë punëtore të paaftë për shtetet e zhvilluara.

Zeri (28 Prill 2011)

No comments: