Monday, May 16, 2011

Këngët tona dhe vetja jonë

Këngët e muzikës rok dhe pop shpesherë kanë ditur të jetë përshkrueset më të mira të ndjesive kolektive të një shoqërie, apo edhe lajmëtare dhe shtytëse të ndryshimeve. "The times they are A-changin'" ("Kohët po ndryshojnë") këndonte Bob Dillan në vitet 60, teksa anekënd botës perendimore shkundeshin normat politike, kulturore dhe shoqërore.

Skena jonë muzikore, përkundër dominimit nga mediokriteti i estradës, kohëve të fundit ka qenë e përshkuar nga një valë këngesh, kryesisht të zhanrit të rokut, të cilat u karakterizuan nga një qasje më e angazhuar ndaj zhvillimeve shoqërore dhe politike. Disa prej tyre kanë arritur të prekin dëgjuesit në tel. Po i shkëpus këtu, për shkak të popullaritetit dhe pëlqimeve personale, këngët si "Amaneti i Clown-it" nga grupi Troja, "Rrugëve" nga Genc Salihu si dhe këngën e sapo publikuar të grupit Jericho, "Kënga jonë".

E përbashkëta e këtyre këngëve është përçimi, përmes vargjeve dhe tingujve, i ndjenjve të zhgënjimit të thellë me gjendjen në Kosovë; i pakënaqësisë me mospërmbushjen e premtimeve të lirisë; i mllefit me padrejtësitë dhe dhunën e të fortëve; i thirrjeve për një këndellje kolektive. Në rastin e Jerichos vërehet edhe një melankoli për kohët kur ne, ndonëse të shtypur, ndiheshim të fortë dhe bashkuar rreth një kauze.

Tablloja që krijohet është ajo e një shoqërie e cila po humbet disa nga vlerat e saja themelore dhe është futur në vorbullin e "së keqës". Vargjet flasin për njerëz që "diellin na e kanë nxanë" (Troja), për "marrën e madhe që na e ka prek pragun e shtëpisë"(Jericho), apo për "vjeshtën (që) duhet me kapë me e shkundë" (Genc Salihu).

Se këngët e pasqyrojnë një realitet shoqëror, kjo nuk vihet në dyshim. Se ato luajnë një rol të rëndësishëm duke tërhequr vëmendjen drejt problemeve dhe duke bërë thirrje për ndryshim, as kjo nuk vihet në dyshim.

Problemi me efektin e këtyre këngëve në shoqëri megjithatë qëndron te përkthimi që dëgjuesit u bëjnë vargjeve të tyre metaforike dhe abstrake në realitet praktik. Meqë na paska hyrë e keqja, kush e përfaqëson të keqen në realitetin tonë? Cilët njerëz, cilat parti, cilat veprime?

Shumëkush në mjedisin tonë të politizuar dhe të përçarë u përgjigjet këtyre pyetjeve në mënyra të ndryshme dhe i interpreton ato sipas bindjeve personale. Mjafton të kujtojmë këtu se si para disa vitesh partitë politike shtyheshin se kujt i ishin drejtuar vargjet e "Amanetit të Clown"-it.

Kuptimi i ndryshëm i metaforave dhe shprehjeve artistike shpalos ngërçin e shoqërisë sonë në përpjekjet për të identifikuar "vjeshtën" dhe si rrjedhojë edhe platformën e cila do të çonte drejt shkundjës së saj. Ajo e shpalos paaftësinë e njerëzve për t'u shkëputur nga lojalitetet apo animet partiake; për ta parë të keqën jo vetëm si pjesë e ndonjë partie kundërshtare, me hubjen e së cilës besohet se gjithçka do të bëhet mirë, por si të shpërndarë gjërësisht, madje edhe të futur brenda secilit prej nesh.

Nëse pajtohemi se korrupsioni dhe shkelja e ligjeve janë një prej të këqijave që po na kalbin poret e shoqërise, atëherë ky problem duhet denoncuar në të gjitha krahët.

Në këtë drejtim, ishte shumë zhgënjyese mënyra se si disa komentues dhe figura publike, që njihen si kritik ndaj qeverisë qëndrore rreth çështjeve të korrupsionit, reaguan ndaj arrestimit të paradokohshëm të gjashtë zyrtarëve të lartë komunal të Prishtinës nën akuzën për shpërdorim të detyrës. Fajësia e këtyre zyrtarëve gjithsesi nuk mund të paragjykohet. Por përpjekja për t'i vënë arrestimet dhe shkeljet e mundshme të ligjit në peshore politike, për t'i zhvlerësuar ato në krahasim me shkeljet e zyrtarëve të qeverisë, nuk mund të vlerësohet ndryshe përvese si qëndrim hipokrit, partizan dhe si shërbim i keq ndaj përpjekjeve për të promovuar sundimin e ligjit dhe luftën kundër së keqës.

Nëse dikush nga militantët apo mbështetësit e heshtur të LDK-së "së reformuar" beson se vetëm disa njerëz nga krahu i luftës "na e kanë nxanë diellin" dhe janë e keqja e vetme e këtij vendi, atëherë do të bënte mirë sikur të shëtiste pak nëpër rrugët e Prishtinës për të parë se sundimi gati 10 vjeçar i LDK-së në kryeqytet, prej mandateve të Berim Ramosajt e deri te këto të Isa Mustafës, përbën një monument gjigant të krimeve dhe shkeljeve të ligjit. Në Prishtinë, zënia e diellit të qytetarëve në shumë raste nuk është vetëm një metaforë.

"Nona po vet, ku i kom djemtë, o ku më kanë mbet", pyet vargu i parë i "Kënga Jonë". Djemtë dhe vajzat e Nanës Kosovë, ndonëse thirren si militantë të interesave të saj, mbesin para së gjithash militantë interesash personale dhe grupore - shëmbëlltyra të inateve, egocentrizmit dhe kokëfortësisë tipike shqiptare.

Vjeshtën nuk do të mund ta shkundim pa e kuptuar se të gjithë ne, kush më pak e kush më shumë, i japim ujë shiut të saj nga çesmat tona, duke e parë të keqën vetëm te tjetri, por jo edhe te vetja.

(Zeri, 12 Maj)

No comments: