Saturday, May 21, 2011

Ndihma që na bën keq

Para jush shfaqet një lypës të cilin e njihni si narkoman të lagjes. Ju kërkon para duke ua ngacmuar ndërgjegjen. Me gjasë nuk do t'i jepni. E dini se këto para do të shpenzohen për të blerë dozën e radhës të substancës dhe se në afat të gjatë ato nuk do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve rrënjësore – varfërisë dhe varësisë.

Kosova e varfër ndodhet pak a shumë në situatën e këtij lypësit të varur nga ndihmat e donatorëve. Dallimi është se donatorët tanë janë krejt indiferentë ndaj efekteve negative të zemërgjerësisë së tyre.

Sipas të dhënave të OECD-së, hiç më pak se 789 milionë dollarë të asaj që zyrtarisht quhet “ndihmë zhvillimore” erdhën në Kosovë nga bota e jashtme në vitin 2009 – një shumë e cila i afrohet gjysmës së buxhetit të shtetit në atë vit (të dhënat e vitit 2010 akoma s'janë publikuar).

Qarkullimi i këtyre parave në ekonomi mundëson punësimin e një numri të madh njerëzish, blerjen e prodhimeve dhe shërbimeve që mbajnë gjallë shumë biznese, zbatimin e projekteve të shumta (shumica të kota). Por, njësoj si në rastin e narkomanit, injeksionet e mëdha të parasë së dhuruar krijojnë iluzionin e përkohshëm të zhvillimit, ndërkohë që shkaktojnë pasoja të rënda për zhvillimin e vërtetë afatgjatë.

Një shqyrtim të mirë të këtij problemi e pati bërë para disa vitesh ekonomistja afrikane Dambisa Moyo në librin e saj “Ndihma e vdekur” (“Dead Aid”), një libër i cili pati trazuar atë që njihet si “industri e ndihmës” - industri e cila vetëm në vitin 2009 ka shpërndarë rreth 127 miliardë dollarë anekënd botës.

Duke u bazuar në studime empirike dhe në përvojat e saj personale, Moyo argumenton se ndihma e jashtme jo vetëm që nuk u ndihmon vendeve të varfra për t'u zhvilluar, por kontribuon në ngujimin e tyre në varfëri.

Argumentet dhe shembujt që ajo ofron për të mbrojtur tezën e saj janë të shumta. Por ideja e përgjithësuar është kjo: ndihma e tepërt forcon kulturën e varësisë ndaj ndihmave dhe pengon dinamikat e natyrshme shoqërore, të cilat çojnë drejt rritjes së përgjegjësisë së institucioneve vendase për zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit.

Me fjalë të tjera, ndihmat krijojnë një status-kuo prej së cilës dilet me shumë vështirësi. Interesi afatshkurtër i atyre që përfitojnë nga të ardhurat e "industrisë së krizës", sidomos i organizatave donatore, është vazhdimi i kushteve që sigurojnë mbijetesën e saj.

Me grante donatorësh mund të zbatohen qindra projekte të OJQ-ve që promovojnë qeverisjen e mirë, por prosperiteti i përkohshëm i ekonomisë së bazuar në ndihma dhe investimet e kryera me paratë e donatorëve e amortizojnë presionin burimor dhe efektiv të qytetarëve ndaj elitave politike, duke ua dhënë kështu këtyre të fundit lirinë që të zhyten në praktika korruptive pa ndonjë pengesë të madhe.

Për më tepër, angazhimi i organizatave të shumta donatore në ofrimin e shërbimeve, të cilat në rrethana normale do të duhej t'i ofronte shteti, dobëson besimin dhe marrëdhënien e qytetarëve me institucionet, duke bërë që qytetarët të presin më shumë nga donatorët sesa nga shteti i tyre. Ky i fundit, ndërkohë, nuk lodhet fort për të punuar në fusha "të mbuluara" nga donatorët.

Në anën tjetër, meqë zakonisht paguan më mirë, "industria e ndihmës" ia merr tregut vendas të punës punëtorët më të aftë, duke penguar kështu zhvillimin e sektorit publik dhe atij privat. Shumë prej këtyre njerëzve harxhojnë energjitë dhe aftësitë e tyre të vlefshme për të mirëmbajtur industrinë e krizës në aktivitete që prodhojnë shumë pak vlerë shtesë për ekonominë dhe shoqërinë.

Moyo jep edhe shumë argumente të tjera, por do të ndalesha te këto të mësipërmet si shumë të rëndësishme për rrethanat në Kosovë.

Nga përvoja e di se donatorët dhe zyrtarët ndërkombëtarë vazhdimisht frustrohen me mungesën e zhvillimit politik dhe institucional të vendit tonë. Si shoqëri ne gjithsesi kemi shumë mangësi, por për këtë problem specifik donatorët mbajnë një pjesë të madhe të fajit.

Shpesh shtrohet pyetja: si është e mundur që në një shtet ku gjysma e banorëve jetojnë në varfëri dhe elitat politike janë kaq të papërgjegjshme, shprehjet publike dhe aktive të pakënaqësisë të jenë kaq të vogla?

Arsyetimi që zakonisht jepet është ai i vetëdijes së ulët politike të shoqërisë. Por përgjigja kryesore, besoj, qëndron te fakti se përgjatë historisë, në krye të kërkesave për ndryshim nuk kanë qenë të varfrit, meqë ata zakonisht janë të paaftë për t'u mobilizuar dhe për t'i artikuluar kërkesat e tyre.

Ndryshimeve të vërteta politike, siç u dëshmua së fundi edhe në vendet arabe, u prijnë shtresat më të afta për reflektim kritik në raport me pushtetin, sidomos klasa e mesme.

Në Kosovë kjo shtresë shoqërore ekziston, por pjesa më e madhe e saj heziton të prishë rehatinë e vet të përkohshme, meqë përfiton, qoftë direkt apo indirekt, nga status-kuoja, nga një ekonomi e cila mbijeton në kurriz të parasë së lehtë e ndihmës së huaj, krimit të organizuar apo dërgesave të diasporës.

(Zeri, 19 Maj)

No comments: