Para disa ditësh e mora një vendim. Meqë kam përshtypjen se bankat në Kosovë po fitojnë para padrejtësisht nga kamatat e larta dhe mua më nevojiten ca euro për pushimet verore, javën tjetër do të futem me dhunë brenda sportelit të një banke dhe do ta detyroj punëtorin/punëtoren të ma japë çdo cent që e ka në arkë.
Akti im shumëkujt mund t'i duket i kundërligjshëm, por mua nuk më duket se ai dallon shumë prej akteve të tjera të ngjashme që ndodhin çdo ditë, në mënyrë pak më të heshtur, në nivele të ndryshme të shoqërisë sonë dhe të cilat nuk shihen si të kundërligjshme. Kjo për shkak se në këtë vend, mbi çdo ligj të shkruar, përfshirë edhe Kushtetutën, qëndron një ligj tjetër suprem dhe i pashkruar - “Ligji mbi të drejtën e qytetarit për ta marrë ligjin në dorë”.
Në rast se arrestohem, besoj se do të lirohem shpejt, meqë njësoj si shumë të tjerë para meje, mbrojtjen time para gjykatës dhe opinionit publik do ta ndërtoj mbi bazën e këtij ligjit tonë suprem dhe burimor.
Do të thirrem në nënin e tij të parë: “Drejtësinë e një akti mund ta përcaktoj vetë autori i aktit, sidomos nëse akti bëhet në emër të ndonjë motivi më të lartë”. Mua thjesht po më duket se bankat po fitojnë para padrejtësisht dhe si rrjedhojë unë këto para kam të drejtë t'ua marr. Për më tepër, meqë paratë e bankës do t'i marr për t'i kaluar pushimet në Shqipëri dhe me këtë do t'i ndihmoj ekonomisë së shtetit amë, do të thirrem edhe në Nenin 2 të ligjit i cili e rregullon hajninë për motive patriotike.
Pasi të kem fituar lirinë dhe t'i kem mbajtur në xhep paratë e meritura, i shtrirë në një plazh të detit Jon, me bark të fryrë nga ushqimi i tepërt, do të ndihem falënderues ndaj një numri të madh njerëzish të cilët më frymëzuan për t'ia rregulluar vetes jetën duke i përdorur dispozitat e ligjit suprem.
Së pari, do të kujtoj me falënderim disa prej figurave udhëheqëse të UÇK-së të cilët kohëve të fundit na rrëfyen se si e kishin përdorur një nen të këtij ligji, atë që merret me shpalljen arbitrare të tradhëtarëve të kombit, për të urdhëruar dënime me vdekje (me gjasë edhe pas luftës).
Së dyti, do të kujtoj me adhurim Gani Gecin, i cili në këto ditë të errëta kur shoqërisë sonë po i imponohen disa standarde absurde perëndimore si “sundimi i ligjit”, na përkujtoi për legjitimitetin e hakmarrjes individuale në bazë të kanunit tonë bashkëkohor.
Së treti, do t'i kujtoj me respekt të pafund të gjithë ata komisionerë që nderuan zgjedhjet tona të fundit parlamentare duke mbushur kutitë me vota fiktive për partitë që ia duan të mirën Kosovës dhe duke i prishur (shpallur të pavlefshme) rreth 8% të të gjitha votave të hedhura për parti të padëshiruara. Mosndëshkimi i tyre e thellon besimin në sistemin tonë demokratik, meqë komisionerët e partive të mëdha e dinë më së miri se për kë duhet votuar.
Së katërti, do t'i kujtoj të gjithë ata qytetarë të ndershëm të Prishtinës, të cilët në emër të lirisë kapitaliste, iu ndihmuan fqinjëve të tyre duke ua bllokuar diellin e neveritshëm me ndonjë soliter të këndshëm.
Mbi të gjitha, do të kujtoj të gjithë ata njerëz të cilët duke u thirrur në vlerat e luftës apo në filozofinë rugoviane, gjatë këtyre viteve përdorën paratë tona për t'u pasuruar përtej çdo niveli të tyre të imagjinatës. Vepra e tyre është model frymëzimi për cilindo njeri me ambicie për t'u bërë hajn i dinjitetshëm.
I nxirë mirë nga rrezet e diellit, do t'i përfundoj pushimet e mia duke ndjerë keqardhje për perëndimorët e shkretë të cilët në jetët e tyre mbesin të kufizuar nga copa letre të quajtura ligje si dhe nga institucione të pavarura si policia, gjykatat, KQZ-ja etj. Sa të varfër dhe të prapambetur janë të shkretët që nuk e kanë mundësinë për të marrë ligjin në duart e tyre kurdo që t'u teket. Do të mundë të shkonin në det, të vidhin para, të fitonin zgjedhje, të vrisnin njerëz të padëshiruar...
Megjithatë, ndjenja e lezetit të pushimeve ka gjasa të mos më zgjasë shumë.
Teksa në kthim nga bregdeti ndalem për kafe në Tiranë dhe e kaloj më këmbë ndonjë udhëkryq, mbase do të më hedhë për toke ndonjë nga makinat e shumta tiranase që futen me shpejtësi në dritë të kuqe të semaforit. Sipas një neni të veçantë të ligjit suprem, të zbatuar sidomos nga shqiptarët e Shqipërisë, ndjekja e sinjaleve të semaforit është çështje e preferencës personale të shoferit.
I njejti ligj i xhunglës që do të më sjellë kënaqësinë e pushimeve verore mund të më sjellë edhe vdekjen.
Por kjo s'ka rëndësi. Me rëndësi është se ne shqiptarët krenarë, ashtu siç bënim edhe në kohën kur na përshkruante mjeshtërisht Faik Konica, vazhdojmë të refuzojnë t'i nënshtrohemi kësaj fryme të errët të demokracisë dhe modernitetit, e cila po përpiqet të na vendosë mbi kokë rregulla të cilat nuk na përmbushin dëshirat, egot dhe urinë për anarki.
Zeri (2 Qershor)
No comments:
Post a Comment