Friday, July 01, 2011

Vjedhja e se ardhmes

Para zgjedhjeve të fundit lokale në Shqipëri, shumë komentues parashihnin dobësimin apo zhdukjen e LSI-së dhe të Ilir Metës si faktor me peshë (vendimtare) në skenën politike. Përveç “tradhtisë” që i bëri të majtës në vitin 2009, duke iu bashkuar koalicionit qeverisës të PD-së, Metën këto dy vitet e fundit e shoqëruan edhe një varg skandalesh.

Më i madhi prej tyre ishte publikimi i një video incizimi ku Meta dhe ish-kolegu i tij partiak, Dritan Prifti, shiheshin duke bërë pazare me tenderë dhe duke punësuar mbështetës të partisë në poste shtetërore. Pas publikimit të videos, pritej që LSI-ja do të ndëshkohej në kutitë e votimit. Ky zhvillim do të ishte më se i natyrshëm në çfarëdo demokracie të zhvilluar.

Në zgjedhjet lokale të 8 majit ndodhi e kundërta. LSI mori edhe më shumë vota se në zgjedhjet e mëhershme kombëtare.

Gazetari Andi Bushati e shpjegoi këtë fenomen duke dhënë hipotezën se shqiptarët nuk votojnë në bazë të gjykimeve morale por në bazë të kalkulimeve praktike. Meqë i gjithë sistemi perceptohet si i korruptuar, votuesi ka prirje të votojë për partinë e cila mund t’i kryejë punë atij personalisht brenda rrethanave të sistemit.

Rasti i LSI-së flet shumë për natyrën e sistemeve politike në shoqëritë shqiptare dhe për rolin e korrupsionit si problem jo vetëm me shtrirje të gjerë, por si formë themelore e veprimit politik dhe mbajtjes së pushtetit.

Në një kohë kur industritë nuk janë forcuar për të krijuar vende pune dhe mirëqenie të mjaftueshme, kur të ardhurat e qytetarëve vazhdojnë të varen nga burimet e kontrolluara nga qeveria (tenderët, licencat, punësimi në institucione publike, etj), mënyra më e lehtë për politikanët që të sigurojnë vota të mjaftueshme është përmes sistemit të patronazhit - favoreve të drejtpërdrejta për votuesit, familjet dhe bizneset mbështetëse.

Në një studim interesant historik dhe krahasues për rolin e korrupsionit gjatë zhvillimit politik të shteteve të reja demokratike, studiuesi James C. Scott tregon se si, në fazat e para të zhvillimit demokratik, skena e partive zakonisht dominohet nga të ashtuquajturat “makina politike”.

Sipas Scott, “makina politike” nuk është parti e formuar në bazë të parimeve ideologjike apo mbrojtjes së interesave të shtresave shoqërore (p.sh., klasave) në fazën e miratimit të ligjeve. Ajo është një organizatë e interesuar kryekëput “për ruajtjen dhe mbajtjen e pushtetit për liderët e saj dhe për shpërndarjen e të ardhurave për ata që e udhëheqin dhe punojnë për të”. Tingëllon si diçka e njohur, apo jo?

Meqë natyra e kërkesave të elektoratit në shtete të pazhvilluara ka karakter të ngushtë (p.sh., gjetja e një vendi të punës), sipas Scott “makinat politike specializohen në organizimin dhe shpërndarjen e ndikimit në fazën e zbatimit të ligjit” (p.sh., duke favorizuar dikë në gjetjen e vendit të punës). Karizma e liderit, përdorimi i dhunës apo propaganda ideologjike luajnë rol dytësor në strategjinë politike të “makinave politike” - prioritet mbetet raporti klientelist me votuesin.

Me zhvillimin e industrive dhe ekonomisë, “makina politike” e humb fuqinë si shpërndarëse e drejtpërdrejtë e favoreve ndërsa marrëdhëniet mes votuesve dhe partive barten në nivel të përfaqësimit të ideve dhe interesave horizontale gjatë miratimit të politikave publike.

Kjo perspektivë historike mund të dukët se u jep të drejtë pragmatistëve të cilët sot në Kosovë e arsyetojnë korrupsionin dhe natyrën klienteliste të partive tona si “të paevitueshme për fazën tonë të zhvillimit”. Por, problemi qëndron te fakti se zhvillimi ekonomik nuk është i garantuar apo mund të vonohet tej mase pikërisht për shkak të efekteve shkatërruese që përmasa frymënxënëse e korrupsionit shkakton në ndërkohë.

Një sistem qeverisës ku interesi i vetëm i “makinës politike” është pasurimi i prijësve të saj dhe mbajtja e pushtetit përmes burimeve publike i devijon këto të fundit prej investimeve të arsyeshme zhvillimore dhe rrezikon ta ngujojnë një shtet në cikël të pafundmë jostabiliteti dhe moszhvillimi.

Shembull konkret është “makina politike” e quajtur PDK e cila, në mungesë të vizionit zhvillimor, për të ruajtur fuqinë dhe pushtetin përdor pa hezitim burimet e shtetit, prej kontratave të dëmshme të PTK-së që favorizojnë biznese të caktuara e deri te rritja e paqëndrueshme e rrogave të sektorit publik pak javë para zgjedhjeve.

Kryeministri Thaçi me gjasë harron se është e pamundur të fitohen zgjedhje pafundësisht përmes favoreve afatshkurtra; se pa zhvillim të qëndrueshëm ekonomik resurset publike dikur shteren; se një ditë llogaritë do të barazohen dhe të gjithë do të ballafaqohemi me pasojat e papërgjegjësisë së tij.

Korrupsioni dhe klientelizmi nuk e krijojnë në çdo shtet një klasë kapitaliste të aftë për të krijuar industri të qëndrueshme siç janë për shembull ato të familjeve të fuqishme të Azisë së largët të cilat u ngritën në masë të madhe përmes lidhjeve të forta korruptive. Në Kosovë matrapazët e turbo-pasuruar nga sistemi rrjepës i burimeve publike, për shkak të mungesës së ideve dhe njohurive, përgjithësisht nuk po arrijnë të ndërtojnë industri prodhuese serioze.

Për rrjedhojë, korrupsioni më parë ka gjasa që Kosovën ta kthejë, si shumë vende të tjera, në një shtet kronikisht të prapambetur apo edhe të dështuar.

Revista The Economist potenconte me të drejtë para pak kohësh se “korrupsioni e ka zëvendësuar komunizmin si dhimbje torturuese e Evropës Lindore”. Kjo analogji duket shumë e vlefshme sidomos për botën shqiptare.

(“Zëri”, 23 Qershor)

No comments: