Një numër meshkujsh shqiptarë po e përballojnë me mjaft vështirësi transicionin nga jetesa në kushtet mesjetare, ku burri zinte vendin e vendimmarrësit të plotfuqishëm të familjes dhe prijësit të rretheve shoqërore, në kushtet e jetesës bashkëkohore dhe liberale, ku femra trajtohet si individ i pavarur dhe gëzon të drejtën e zgjedhjes për fatin e saj.
Përveç trajtimit diksriminues që u bëjnë femrave në pothuajse çdo nivel të shoqërisë sonë, kjo kategori meshkujsh me mendësinë më mesjetare, në përpjekjet e tyre për të ruajtur dominimin tradicional (me pretekstin e zakonshëm dhe hipokrit të "mbrotjes së nderit"), vazhdojnë të përdorin dhunë ndaj femrave të familjes, të cilat refuzojnë nënshtrimin ndaj diktatit të tyre.
Kohëve të fundit në hapësirën tonë mediatike kanë bërë bujë edhe një varg vrasjesh. Rasti më i fundit ishte ai i Shani S. Shqiptari i Kosovës me banim në Zvicër para disa ditësh vrau gruan e tij, Sadeten, kur kjo e fundit, pasi kishte përjetuar rregullisht dhunë fizike prej Shaniut, kishte marrë hapin e natyrshëm të shkëputjes së martesës.
Pasi kishte vrarë gruan, Shaniu i prekur në sedër shpalosi karakterin e tij mesjetar duke vrarë edhe punëtoren sociale të shtetit zviceran, "faji" i vetëm i së cilës me gjasë kishte qenë ndërhyrja e detyruar ligjore për të mbrojtur gruan e Shaniut nga dhuna.
Raportet e medieve mbi prapavijën e incidentit rrëfejnë për një rast, i cili është ilustrativ për shumicën e familjeve shqiptare brenda të cilave shfaqet dhuna. Bëhet fjalë për mospërputhjen e zakonshme mes mentalitetit paramodern të burrit të shtëpisë me normat liberale të mjedisit të jetesës, të cilat formësojnë botëkuptimet e pjesëtarëve më mendjehapur të familjes, veçanërisht të gjeneratës së re.
Shaniut, siç raportuan mediet, nuk i pëlqente fakti se tri vajzat e tija të moshës madhore nuk po silleshin "ndershëm" dhe sipas traditave, sjellje këto që, me sa duket, po hasnin në mirëkuptimin "e papranueshëm" të nënës së tyre tashmë të ndjerë. Mund të imagjinohet se çfarë "mëkatesh" mund të kenë bërë vajzat. Vë bast se s'kishin bërë asgjë më shumë se ç'bëjnë moshataret e tyre të zakonshme në Zvicër apo në vendbanimet urbane të Kosovës. Fatkeqësisht, ato e kishin një prind fanatik, të cilin e pengonte, mes të tjerash, edhe fakti se vajzat kërkonin lirinë elementare për të punuar.
Raste të tilla të shtypjës dhe të dhunës ndaj femrave, përfshi këtu edhe vrasjet, po shfaqen vazhdimisht edhe brenda Kosovës. Egoja e kërcënuar e mashkullit mesjetar shqiptar po fërkohet ashpër me vlerat përparimtare, të cilat kanë zënë rrënjë në shoqërinë tonë dhe po ia japin femrës shqiptare liritë dhe barazitë e merituara. Diana Kastrati, një nënë 27-vjeçare, u vra para disa muajsh në mes të Prishtinës nga ish-burri i saj për shkak se
kishte denjuar të përdorte të drejtën ligjore për të shkëputur martesën, një gjë kjo e papranueshme dhe turpëruese për "nderin" e mashkullit mesjetar shqiptar.
Meshkujt të cilët nuk po i përbijnë ndryshimet përparimtare në marrëdhëniet gjinore po synojnë të përmbysin arritjet e derisotme, duke u thirrur në koncepte paramoderne të moralitetit. Ndonëse rastet e vrasjes dhe dhunës përfaqësojnë shpërfaqjet më ekstreme të këtij reaksioni antipërparimtar, ligjërimi publik i moralizuesve mesjetarë ndihet gjithandej.
Ai gjen mbështetje qoftë te kultura e "machoizmit", e cila tradicionalisht e ka karakterizuar shoqërinë tonë fisnore, qoftë te disa norma fetare tradicionale, apo edhe disa broçkulla primitive të importuara viteve të fundit prej disa kulturave tmerrësisht shtypëse ndaj lirisë se femrave (ato të Lindjss së Mesme).
Obsesioni i një pjese të shoqërisë për të ruajtur raportet e vjetra gjinore po çon deri te një situatë, ku dhuna ndaj femrës po legjitimohet dhe tolerohet gjerësisht, madje edhe nga vetë institucionet e shtetit. Sipas të dhënave që japin OJQ-të që merren me të drejtat e njeriut, shumë femra nuk i raportojnë në polici rastet e dhunës ndaj tyre për shkak të frikës nga reagimi gjykues i policisë dhe komunitetit.
Në shumë raste gratë e rrahura nuk trajtohen nga policia si viktima ligjore, por si fajtore morale për shkaktimin e reagimit të burrit. Një mendësi e tillë gjykuese dhe primitive shpërfaqet rregullisht nëpër portalet e internetit teksa një numër mjaft i madh komentuesish, në rastet kur raportohet për ndonjë rast të dhunës ndaj ndonjë femre, nuk lënë pa përmendur dyshimin gjykues se "ajo mund të ketë bërë diçka".
Për një shoqëri e cila pretendon të bëhet pjesë e botës së përparuar, është krejtësisht e papranueshme ekzistenca e një tolerance kaq të gjerë ndaj dhunës kundër femrave, apo edhe e gjykimit përgjithësisht poshtërues për femrat me mendje dhe ambicie të pavarura. Tirania e mashkullit mesjetar, e cila vazhdon të na i uzurpojë dhunshëm konceptet mbi moralin dhe nderin, duhet luftuar me këmbëngulje të fortë në mënyrë që femrat kosovare të mund të jetojnë të lira dhe që ky vend të shkojë përpara. Nuk është kurrfarë rastësie përputhja pothuajse e plotë mes toplistës së shteteve më të zhvilluara në botë dhe toplistës së shteteve me nivelin më të lartë të barazisë gjinore.
(Zeri, 18 Gusht)
http://www.zeri.info/artikulli/3/20/32229/tirania-e-mashkullit-mesjetar/
No comments:
Post a Comment