Ndërhyrja e njësive speciale të policisë së Kosovës në pikat doganore 1 dhe 31 ka hasur në mbështetje të gjerë politike dhe ka krijuar një konsensus shoqëror të një niveli që nuk është parë në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.
Shumicën shqiptare të Kosovës e ka kapluar një ndjenjë krenarie, për të mos thënë edhe euforie, pas vendosjes së rendit juridik në një pjesë deri tani të paprekshme të territorit të vendit. Është veçanërisht prekës solidariteti i shprehur me policinë e Kosovës dhe me martirin e rënë në detyrë, Enver Zymberin.
Megjithatë, teksa në medie raportohet për arritjen e kompromiseve dhe mundësinë e tërheqjes së njësive speciale nga pikat kufitare, ekziston njëfarë paqartësie për synimin strategjik të operacionit në veri dhe pasojat e tij eventuale për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë në këtë pjesë të Kosovës.
Ndërhyrja për të ushtruar sovranitetin në pikat kufitare mund të jetë motivuar nga dëshira për të siguruar zbatimin e reciprocitetit tregtar, por askush nuk mund të mohojë se në lojë është vënë fati i veriut në tërësi.
Fakti se zhvillimet në veri janë dinamike dhe mjaft të paqarta, e bën pothuajse të pamundur një vlerësim objektiv të situatës. Një analizë më domethënëse kërkon uljen e pluhurit dhe zbulimin e disa informatave të cilat gjithsesi mbesin të njohura vetëm për kryeministrin dhe rrethin e vendimmarrësve kryesorë.
Megjithatë, te disa përfundime logjike mund të arrihet qysh tani. Ajo që është e qartë është se operacioni i policisë u realizua me mbështetjen, apo edhe me nxitjen, e aktorëve kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Këtë e dëshmon deklarata mbështetëse e ICO-së, një mekanizëm i cili përfaqëson shtetet të cilat e sponsoruan pavarësinë e Kosovës, por edhe deklaratat e ndara të Ambasadës Britanike dhe Franceze.
Duke pasur parasysh këtë fakt, reagimet negative nga institucionet politikisht të kastruara si EULEX-i dhe BE-ja nuk e kanë ndonjë peshë të veçantë politike. Ato u ngjajnë reagimeve të kota të UNMIK-ut në kohën kur Kosova e shpalli pavarësinë.
Në anën tjetër, shqetësimi i shprehur nga ana e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për "moskoordinimin e veprimeve" nuk duket fort i sinqertë kur merret parasysh fakti se njësitë speciale të Policisë së Kosovës u transportuan në pikat kufitare me ndihmën e helikopterëve të KFOR-it.
Hapi historik i hyrjes së policisë në Veri dhe përshtypja e mbështetjës ndërkombëtare fllimisht krijoi te disa njerëz dyshimin, mbase të nxitur nga dëshira, se mund të bëhej fjalë për fillimin e një intervenimi më të gjerë, i cili do të çonte drejt një kontrolli më të përshpejtuar mbi këtë pjesë të territorit.
Në botën e kafeneve dhe atë të internetit nuk ishin të pakta komentet se ky mund të ishte "momenti i Ollujës".
Bëhet fjalë për operacionin e ushtrisë kroate në vitin 1995 për të marrë nën kontroll pjesët e shtetit të kontrolluara nga strukturat paralele serbe.
Megjithatë, duket se një ndërhyrje e tillë më radikale, e cila pa dyshim do të çonte drejt shpërthimit të një konflikti me strukturat serbe të armatosura në veri, nuk e gëzon mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës.
Duket se këta të fundit vazhdojnë insistimin për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë përmes një procesi gradual dhe pragmatik, të ndërlidhur me procesin e anëtarsimit të të dyja shteteve në Bashkim Evropian.
Zbatimi i reciprocitetit tregtar dhe ndërhyrja e policisë në pikat kufitare të veriut ishte hapi i radhës në këtë proces, i nxitur sidomos nga kokëfortësia e Serbisë për mospranimin e vulave doganore të Kosovës në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel.
Para nesh tani shfaqet një sfidë shumë delikate, ajo e kontrollit efektiv mbi kalimet kufitare të veriut. Çfarëdo vendimi eventual për largimin e njësive speciale duhet të sigurojë që në kufi të ketë prezencë të fuqishme të institucioneve të cilat do të zbatojnë urdhëra nga Prishtina, por edhe të kontrollojnë kontrabandën nëpër shtigjet malore.
Në EULEX-in gjithsesi nuk mund të llogaritet. Kthimi në gjendjën e mëparshme, pas gjithë kësaj euforie dhe rritjes së shpresave, do të kishte pasoja katastrofale jo vetëm për fatin e veriut të Kosovës, por edhe për fatin politik të qeverisë.
Vrasja e policit Enver Zymberi ka nxitur shumë emocione dhe impulse revanshiste. Përveç kësaj, lehtësia me të cilën u morën pikat kufitare mund t’u japë shtytje insistimeve për një qasje më agresive ndaj veriut.
Sidoqoftë, duhet të kemi kujdes nga gjykimet gjaknxehta dhe futja në aventura të cilat mund të na kthehen si bumerang. Koordinimi me faktorët ndërkombëtarë vazhdon të mbetet shumë i nevojshëm, po aq i nevojshëm sa qasja jonë më proaktive dhe insistuese.
Bllokimi i tregtisë me Serbinë dhe kontrolli i pikave kufitare, ky kafshim yni i parë me dhëmbët e pjekurisë, përbën një presion tashmë mjaft të madh ndaj strukturave paralele të veriut.
(Zeri, 28 Korrik)
No comments:
Post a Comment