Monday, September 23, 2013

Sa të rralla gratë e punësuara!


Herën e ardhshme kur në ndonjë mjedis pune e takoni një grua, ndaluni për një sekondë dhe kujtohuni se sa gjë e rrallë është një punëtore e kësaj gjinie në Kosovë. Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, vetëm 11.5% të femrave të moshës (15-64 vjet) e kanë një vend pune. Kjo i bie që vetëm 65 mijë nga 566 mijë gra të moshës së punës, janë të punësuara.

Në diskutimet publike flitet shumë shpesh për nivelin e lartë të papunësisë si problemin kryesor në Kosovë. Prandaj shumëkush do të mund të thoshte se numri i vogël i grave që sot kanë vende pune është veçse reflektim i papunësisë së përgjithshme të popullsisë. Por ky këndvështrim e mbulon një të vërtetë edhe më tragjike: rreth 75% të grave në moshë pune as nuk kërkojnë punë! 

Mbase janë të nevojshme disa sqarime terminologjike. Në përqindjet që përmenden kur flitet për papunësinë, llogaritet vetëm ajo pjesë e shoqërisë që quhet "ekonomikisht aktive". Sipas metodologjisë së standardizuar botërisht, si persona ekonomikisht aktivë konsiderohen ata që kanë vend pune dhe ata që e kërkojnë një të tillë. Ndërsa si "të papunë" konsiderohen vetëm këta të fundit. Prandaj, kur thuhet se në Kosovë papunësia është 35 për qind, kjo shifër e pasqyron vetëm përqindjen e të papunëve në mesin e popullsisë aktive. Ata që nuk kërkojnë punë janë "ekonomikisht joaktivë" dhe si të tillë nuk konsiderohen si të papunë. 

Nëse shifra e papunësisë prej 35% na duket e lartë, edhe më shumë duhet të na tmerrojë përqindja e popullsisë së Kosovës që është ekonomikisht joaktive (55.5%). Se sa e ulët është përqindja e kosovarëve në moshë pune që duan të punojnë (44.5%), këtë na e tregon krahasimime vendet e rajonit ose ato të zhvilluara – për shembull: Shqipëria (67%), Maqedonia (65%), Kroacia (66%) apo Gjermania (77%).

Një prej arsyeve kryesore përse pjesëmarrja e kosovarëve në tregun e punës është kaq e ulët, lidhet me pjesëmarrjen tepër të ulët të grave aty. Përderisa 63% të burrave në Kosovë janë ekonomikisht aktivë, te gratë kjo shifër është 25%! Se sa tragjikisht e ulët është kjo përqindje e grave,këtë na e tregon sërish krahasimi me vendet e rajonit ose vendet e zhvilluara: Shqipëria (56%), Kroacia (59%), Maqedonia (51%), Greqia (58%), apo Gjermania (71%).

Pra, për sa i përket përfshirjes së grave në tregun e punës, Kosova është jo vetëm shumë larg Europës Perëndimore, por ka përqindje dyfish më të ulët se rajoni. Përqindja e grave ekonomikisht aktive (25%) bën që ne të jemi afër mesatares së vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore (20%). 

Shkaqet e pjesëmarrjes së ulët të grave në tregun e punës janë të shumta, por një prej kryesoreve është niveli përgjithësisht më i ulët i arsimimit të grave. Kjo bën që ato të kenë më pak shkathësi të nevojshme për të kontribuar në ekonomi dhe për të qenë të punësueshme. Megjithatë, rrënja e problemit, që është edhe shkaku i arsimimit të mangët, është padyshim e një natyre të thellë edhe kulturore. Jetojmë në një shoqëri tejet patriarkale e cila rolin e gruas në shoqëri në masë të madhe vazhdon ta shohë si të kufizuar brenda mureve të shtëpisë dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj familjes.

Pasojat e kësaj situate i vuajnë para së gjithash vetë femrat. Nënshtrimi ekonomik në raport me burrat e mundëson vazhdimësinë e nënshtrimit dhe kufizimit të të gjitha lirive të tjera, deri edhe në tolerimin e rasteve të shumta të dhunës fizike. Raporte të organizatave joqeveritare konfirmojnë se gratë e shumta që sot janë viktima të dhunës brenda familjes, për shkak se nuk kanë të ardhura vetanake, nuk mund të largohen nga burrat e dhunshëm. 

Por pasojat e kësaj situate i bart mbi supe e gjithë shoqëria. Niveli më i ulët i arsimimit të grave dhe i pjesëmarrjes së tyre në ekonomi është një prej shkaqeve kryesore të moszhvillimit të vendit. Ndërlidhjen mes kapaciteteve të ulëta njerëzore të Kosovës dhe moszhvillimit ekonomik e pata sqaruar pak më gjerësisht në një kolumne të mëparshme. Arsimimi më i ulët dhe mbyllja e grave brenda mureve të shtëpisë, ia largon ekonomisë një pjesë të madhe të potencialit dhe shkathtësive të vyera. Rolin kyç të arsimimit dhe punësimit të grave në zhvillimin ekonomik të një vendi e shpjegon më në detaj raporti i Bankës Botërore: "Barazia Gjinore dhe Zhvillimi"

Megjithatë, duhet theksuar se përkundër statistikave të zymta mbi përfshirjen e sotme të grave kosovare në ekonomi, trendet duken pozitive dhe shpresëdhënëse, sidomos për gratë e reja në zonat urbane. Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë tregojnë se përqindjet e grave ekonomikisht aktive janë dukshëm më të larta për moshat më të reja, sidomos për grupmoshën 25-29 vjeç (39%). Madje, në zonat urbane kjo grupmoshë e grave ka pjesëmarrje në treg të punës prej 51%, që është afër përqindjeve kombëtare të vendeve të rajonit. 

Procesi i natyrshëm i urbanizimit dhe modernizimit të shoqërisë pa dyshim se do të vazhdojë t'i japë shtytje emancipimit dhe lirisë së gruas, duke përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen gjithnjë e më të madhe në tregun e punës. Por ky proces nuk do të kalojë pa rezistencën e një pjese të madhe të shoqërisë që ndihet e kërcënuar nga sfidimi i traditave kulturore. 

Në një kontekst të tillë, sfida më e madhe për vendimmarrësit dhe aktivistët që mbështesin barazinë gjinore është krijimi i mundësive që gratë të mund të fitojnë vetëbesim për të çarë përpara në jetë, përkundër rezistencës së mjedisit konservator. Angazhimi i zëshëm publik është i domosdoshëm sidomos për të mundësuar çlirimin e një numri të madh të grave nga bindja e poshtër, e përbrendësuar për shkak të shtypjes, se janë qenie inferiore dhe se kufizimet me të cilat përballen janë "të natyrshme". Prandaj edhe sot është më se e nevojshme që në ballë të thirrjeve për mundësi të barabarta të jenë edhe meshkujt.

(Botuar te Gazeta Jeta ne Kosove: 23 Shtator 2013, http://www.gazetajnk.com/?cid=1,1067,6485

No comments: