Sunday, September 08, 2013

Mbi ekstremizmin

Një  shikim i shpejtë i titujve më të lexuar në portalet e internetit, si dhe i komenteve të lexuesve, dëshmon se në margjinat e shoqërisë sonë vazhdojnë të vlojnë bindjet prej më ekstremeve dhe më kërcënueseve ndaj lirisë dhe rendit demokratik. Ndonëse ligjërimi i të gjitha forcave kryesore të spektrit politik, e me këtë edhe i pjesës më të madhe të shoqërisë, vazhdon ta ketë si bosht orientues (të paktën në retorikë) procesin e integrimeve europiane dhe vlerat përparimtare që zakonisht i vishen këtij togfjalëshi (demokracia, respekti për diversitetin, liritë individuale, etj), në margjina po bëhen gjithnjë e më të zhurmshme grupet ideologjike që insistojnë në rishqyrtimin qoftë të pjesshëm, qoftë tërësor, të orientimit pro-perëndimor të vendit si dhe të rendit liberal-demokratik me të cilin ai sot identifikohet.

Në ballë të këtyre grupeve i shohim po ato rryma ideologjike që tradicionalisht kanë pasur qasje izolacioniste dhe refuzuese ndaj botës se jashtme, duke i parë idetë dhe ndikimet e ardhura prej andej me dyshim dhe me sy konspirativ. Armiku i radhës është liberalizmi (shoqëror ose ekonomik) i cili shihet si kërcënim ndaj vlerave që perceptohen si "esenca të shenjta" të identitetit tonë, ose edhe të vetë natyrës njerëzore. 

Në taborin izolacionist bëjne pjesë jo vetëm rrymat ultrakonservatore fetare që po tmerrohen nga rritja e lirive individuale dhe që për model shoqëror kanë ca skuta mesjetare të lindjes, por edhe etno-nacionalistët masturbues që fetishizojnë çdo trajtë të traditës kombëtare (sado primitive të jenë ca prej tyre). Korit i bashkohet edhe e majta anti-globaliste, e cila siç thumbonte Kristofer Hiçens, praktikon "një formë jomarksiste të antikapitalizmit", teksa në luftën kundër liberalizmit ekonomik të konsideruar si djalli vetë, mishërohet me forca reaksionare si këto dy të parat, duke prodhuar kështu hibride me karaktere fashiste.

E përbashkëta e këtyre rrymave është se që të gjitha thirren në emër të ndonjë grupi: fetar, kombëtar apo klasor dhe se udhëhiqen nga njerëz me botëkuptime morale të ndërtuara para së gjithash mbi asketizmin dhe përçmimin e së drejtës së individit për të pasur mendime, ambicie ose kënaqësi personale. Si të tilla ato i lënë në plan të dytë parimet humaniste, shpeshherë vetëm si dekor intelektual dhe legjitimues për agjendat e tyre shtypëse. Kjo sepse, për fanatikët e tillë njeriu është veçse vegël në shërbim të "idesë supreme". Ky tipar i përbashkët bën që vijat dalluese mes rrymave radikale të zhduken teksa ato, edhe nëse përfaqësojnë "të vërteta absolute" të kundërta me njëra-tjetrën, arrijnë të puçen kur vjen puna te legjitimimi i shtypjes së lirive individuale, madje edhe duke e kontestuar legjitimitetin e rendit institucional të prodhuar prej këtyre lirive. 

Fakti se ideologjitë e tilla rezonojnë te një pjesë e mirë e opinionit publik, nuk është i habitshëm duke marrë parasysh natyrën komunitare të shoqërisë sonë, pra faktin se njerëzit kanë prirje që ta shohin veten si pjesë të nënshtruar të ndonjë grupi dhe jo si individë të pavarur. Nuk habit as mbështetja që ato hasin në mesin e intelektualëve, sepse këta të fundit, siç argumentonte filozofi francez Raymond Aron te "Opiumi i Intelektualëve" , e kanë zakon të bien pre e ideologjive utopike dhe totalitare.

Megjithatë, shkaku kryesor që po i shtyn njerëzit drejt ekstremizmit është pa dyshim frustrimi me gjendjen ekonomike, rritjen e shpejtë e pabarazisë dhe me sjelljet kleptokratike të elitës politike. Kur ndihen të pasigurtë (ekonomikisht, emocionalisht) njerëzit kanë prirje që të mishërohen me grupe dhe identitete që i ofrojnë siguri egos së kërcënuar. Në pothuajse të gjitha vendet e Europës lindore u shfaqën lëvizje populliste që përdorën pasiguritë e "humbësve të tranzicionit" për t'i mobilizuar ata rreth kauzave fashiste që premtonin "qërim hesapesh". Si shembuj mund të merren Partia Radikale në Serbi, ATAKA në Bullgari apo Agimi i Artë në Greqi. 

Tiparet e rrymave të tilla ideologjike i artikulon më së miri Umberto Eco në esenë e tij mbi "Fashizmin e Përjetshëm". Spikasin adhurimi i kultit të traditës, refuzimi i modernitetit, zbulimi permanent i armiqve, botëkuptimet paranojake, kërkesa për kthimin në ndonjë "epokë të artë" të romantizuar, etj. Që të gjitha këto tipare sot mund t'i hasim, për shembull, në ligjërimin e Lëvizjeve si Bashkohu si dhe në faqet e shumta propagandistike të islamit politik , ose edhe në qarqet etno-masturbuese.

Shikuar në dimension historik, shtetet e sotme tranzicionale si Kosova në shumë aspekte ngjajnë me Europën Perëndimore të fillimshekullit XX, kur edhe ajo përballej me demokraci të brishta, krizë ekonomike dhe lulëzim ideologjish esktreme. Kosova në fakt i ngjan një varianti (shumë herë më të zbutur) të Gjermanisë së "Weimar-it" (mes dy luftërave botërore) ku joefikasiteti i sistemit demokratik dhe ndjenjat e viktimizimit nga Lufta e Parë shkaktuan cinizëm ndaj demokracisë dhe histeri të hatashme ksenofobike, duke i hapur kështu rrugë Hitlerit dhe të ashtuquajturës "epokë të ekstremeve". Ilustrimin më të shkëlqyer të frymës iracionale dhe histerike të kohës në Europë, që rezonon mjaft me psikozën e fanatikëve të sotëm në Kosovë, e ka bërë Jose Ortega y Gasset, te libri "Revolta e Masave".

Por për dallim prej Europës së fillimshekullit XX, në Kosovën e sotme ideologjitë ekstreme me gjasë do të mbeten të ngujuara në margjinat e shoqërisë si megafonë të zhurmshëm (është zhurma ajo që i bën të duken më popullorë se ç'janë!). Ashtu siç po ndodhë me Lëvizjen Vetëvendosje, strukturat bartëse të ideve të tyre do të detyrohen të moderohen sapo të shkelin  me këmbë në arenën kryesore politike. Një shoqëri që e ka kthyer në kult figurën e Ibrahim Rugovës tregon se nuk e toleron fort agresivitetin dhe ekstremizmin në politikë. Veç kësaj, Kosova tashmë e ka përjetuar në lëkurën e vet "epokën e ekstremeve" dhe i ka të afërta plagët e saja. Jetojmë, fundja, në Europën e Shekullit XXI.   

Por ama dëmi i ideologjive ekstreme sot për sot është se, përmes protagonizmit të theksuar të ithtarëve të tyre dhe gjuhës së urrejtjes që shpërndajnë, e kanë uzurpuar dhe kontaminuar hapësirën progresive të mendimit kritik, si dhe i kanë imponuar përmbysjet e sistemit, si alternativat e vetme ndaj sistemit korruptiv të pushtetit. Përveç kësaj, duke e mohuar çfarëdo përparimi që është arritur pas vitit 1999 (qoftë edhe me inercion) – pra, duke qenë në vijë me atë maksimën e famshme të Hitlerit se "e rëndësishme nuk është e vërteta, por fitorja!"- ekstremistët ndjellin në shoqëri ndjenja të fatalizmit, ndërkohë që shpirti i nismës për ndryshime pozitive kërkon të ushqehet me shpresë.  

Spekuloj se ishte pikërisht natyra e tillë e pasinqertë e rrymave ekstreme ajo që e shtyu njërin prej renegatëve më të famshëm të së majtës revolucionare, të madhin Xhorxh Oruell, të arrinte në përfundimin realist se: "përparimi nuk është iluzion, ai ndodh, por është i ngadaltë dhe gjithmonë zhgënjyes". Fatkeqësia në rastin tonë është se edhe më i ngadaltë dhe më zhgënjyes se përparimi i vendit duket të jetë procesi i pjekjes së fanatikëve nga pasiguritë emocionale të adoleshencës. 

(Botuar te Gazeta Jeta në Kosovë, 8 Shtator 2013: http://gazetajnk.com/?cid=1,1067,6370

No comments: