Saturday, December 07, 2013

Mbi qurat politike

Befasitë jo më kot quhen befasi dhe, sipas vetë definicionit të fjalës, ato asnjëherë nuk na gjejnë të përgatitur. Prandaj edhe pak kush arriti ta parashikonte përmasën e ndryshimeve që zgjedhjet e fundit sollën në nivel kryetarësh të komunave.

Edhe pse ekzistonte një dyshim i bazuar se në një numër komunash do të ndrronin pushtetet për shkak të përçarjeve brenda degëve të Partisë Demokratike të Kosovës, shumë komentues -përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave - përkundër dëshirës që kjo të ndodhte, mbeteshin skeptikë se në komuna të tjera kandidatët do të vlerësoheshin nga elektorati mbi baza individuale, ose që vota e protestës do ta përmbyste logjikën e bastioneve. Por ja që Prishtina, Gjakova, Peja, Mitrovica, Ferizaj dhe disa komuna tjera na dëshmuan se, megjithatë, kemi hyrë në një epokë të re dhe më të emancipuar të politikës kosovare.

Është krejt e arsyeshme që këto ditë të flasim gjërë e gjatë për domethënien dhe efektet e kësaj tronditjeje politike të cilën sapo e përjetuam. Por mendoj se kemi nevojë të flasim pak edhe për mungesën e parashikimit të saj, e veçanërisht për zanatin e analizave politike, si dhe për liderët të cilët mbi bazën e këtyre analizave prisnin fitore me duar në xhepa.

Nassim Nicholas Taleb, epistemologu dhe autori i "Black Swan", njëri prej mendjeve më të ndritura të botës së sotme intelektuale dhe kritiku më i rreptë i racës së parashikuesve të të gjitha fushave, do ta konsideronte mungesën e parashikimit të këtyre rezultateve - e sidomos të rezultatit të Prishtinës - si ilustrim tipik të asaj që ai e quan "problemi i qurës".
Taleb e definon problemin e qurës kështu: miliona qura të rritura nëpër fermat e SHBA-ve i kanë të gjitha arsyet për të qenë të bindura se njerëzit të cilët kujdesen për to kanë synime miqësore dhe se çdo ditë të jetës s do ta jetojnë të lumtura duke u ushqyer prej tyre. Historia jetësore nuk ua jep qurave as edhe një arsye të vetme për ta pritur vakinë që do t'i gjejë një ditë të kobshme, pak para Ditës së Falënderimeve, kur miqtë ua presin kokat për t'i servuar si gjellë festive.
Në botën e sotme shumë komplekse dhe dinamike, njeriu - e sidomos njeriu me tipare sharllatani dhe pa aftësi vetëkritike - ka prirje për të rënë vazhdimisht në pozicionin e qurës sepse, duke qenë qenie epistemikisht arrogante, e mbivlerëson tej mase aftësinë dhe mundësinë e tij objektive për t'i vërejtur dhe kuptuar të gjitha dinamikat që ndodhin në shoqëri.

Ndoshta në disa raste disa dinamika dhe trende mund të nuhaten përmes observimit, por ashtu si në rastin e qurës, duhet pasur kujdes që përshtypjet e tilla të krijuara nga informatat gjysmake apo nga paragjykimet të mos kthehen në bindje dhe besime të plota që udhëzojne veprime. Janë pikërisht grackat e tilla ato që e sjellin njeriun në pozitën e atyre kryetarëve arrogantë të komunave ose liderëve partiakë të cilët, të rrethuar nga këshilltarët lavdërues dhe servilë për të cilët tërhiqte vëmendjen Makiavelli, në mbrëmjën e 1 dhjetorit u ndjenë të tradhëtuar nga logjika e tyre njëlloj si qurat amerikane para Ditës së Falenderimeve.

Është e natyrshme që pas kësaj shkundjeje në nivelin lokal ne si shoqëri kemi filluar të bombardohemi nga analizat mbi atë se çfarë do të ndodhë në skenën tonë politike deri në zgjedhjet e ardhshme parlametare. Pa dyshim, është i parezistueshëm impulsi për të parashikuar sepse si qenie e kemi të instaluar nevojën psikologjike për qartësi dhe siguri mbi të ardhmen. Në fakt, po ky i njejti impuls bëri që edhe ky shkrim të cilin po e lexoni fillimisht të nisej me titullin "Momenti i Ramush Metës" dhe me supozimin tim spekulativ se orientimi i ish-kryeministrit Haradinaj për koalicion do të jetë përcaktues për formimin e qeverisë së ardhshme.

Por ndoshta do të ishte më mirë sikur ta mbanim pak frymën dhe të mos nguteshim me gjykime të shpejta të bazuara mbi të dhëna historike apo nga observime të momentit, dhe të pranojmë se ndoshta ka faktorë të cilët nuk po i shohim (sepse të tillë gjithmonë ka). Hezitimi ynë duhet të motivohet, nëse jo nga ndonjë arsye tjetër, të paktën nga fakti se tendenca jonë për të stëranalizuar mbi bazën e premisave të marra si "të mirëqena" shpesherë po prodhon profeci të vetëpërmbushshme. Pra fakti se ne e shprehim publikisht besimin se diçka do të ndodhë e përforcon këtë besim edhe më të tutje dhe për rrjedhojë e kthen këtë besim në realitet.
Mbase ndryshimi që sapo ndodhi në Prishtinë duhet të na e japë një leksion në këtë drejtim. Analiza të njëpasnjëshme përputheshin me bindjen e Isa Mustafës se ai do e fitonte Prishtinën me duar në xhepa. Dhe kjo bindje kishte jo pak ndikim në motivimin e elektoratit ("Pse me votu kur dihet që fiton Isa?"). Por në momentin që "autsajderi" Shpend Ahmeti i fitoi 33 për qind të votave në raundin e parë dhe banorët e kryeqytetit fituan përshtypjen se ndryshimi ndoshta edhe ishte i mundshëm, po ky ndryshim vërtet u bë i mundshëm dhe madje u materializua.

Nuk po them se shpejt mund të presim përmbysje të mëdha politike në nivel kombëtar. Madje për këtë, në bazë të asaj që po arrij të shoh, personalisht mbetem skeptik. Por ajo që po them është se të paktën në jetët tona të përditshme, apo në angazhimet tona publike, mund të përpiqemi të mos bëhemi riprodhes të status-kuos përmes sharllatanizmit dhe nevojës së pashterrshme për të shitur mend. Sepse duke i pëjashtuar mundësitë e ndryshimeve mbi bazën e analizave të bazuara në të dhëna historike dhe informata gjysmake - pra, duke rënë vazhdimisht në pozitën e qurës - ne si shoqëri po e pamundësojmë materializimin e ndryshimeve edhe në rastet kur ato janë realisht të mundshme.                          
Botuar te Gazeta Jeta ne Kosove me 06.12.2013.

No comments: