Friday, February 07, 2014

E bardha dhe e zeza në UP

Në këtë shoqëri tonën ku e bardha dhe e zeza janë përzier aq shumë, saqë pothuajse të gjithë po notojmë nëpër ujëra gri, të pakta janë situatat ku këto dy ngjyra ekstreme mund të ndahen me thikë dhe ku njerëzit kapen fare qartë në flagrancë për shkak të shpalosjes së fakteve të pakontestueshme. 
Por ja që pikërisht e tillë – e qartë, e kristaltë - është situata që po zhvillohet javët e fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Aty një grup akademikësh dhe studentësh të guximshëm, të mbështetur edhe nga shtresa të tjera të shoqërisë (disa edhe politikisht oportuniste) që disa javë po e ngrenë zërin ndaj shkeljeve të turpshme etike të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, përfshirë këtu edhe të rektorit Ibrahim Gashi. 
Përderisa jetojmë në një vend demokratik, është krejt normale, bile edhe absolutisht e domosdoshme, që ne si pjesëtarë të kësaj shoqërie të mos pajtohemi me njëri-tjetrin mbi çështjet se cila parti politike është më e mira, ose se cili duhej të ishte roli i shtetit në ekonomi, ose se cilat do të duhej të ishin interesat tona kombëtare në politikën e jashtme. 
Pluralizmi i pikëpamjeve dhe debatet e gjalla rreth këtyre çështjeve, për sa kohë që ato zhvillohen brenda binarëve civilizues e nuk rrëshqasin në dhunë, vetëm sa e forcojnë dialektikën e emancipimit dhe përparimit dhe nuk na lejojnë të rrëshqasim drejt ekstremeve.
Por janë një sërë debatesh publike si ky i tanishmi mbi skandalet në Universitetin e Prishtinës, në të cilët thjesht nuk ka vend për shumë debat dhe interpretime dhe ku pozicionimi ose polarizimi i palëve, absolutisht nuk mund të relativizohet sipas dikotomisë barazvlerësuese të tipit: “një palë mendon kështu” dhe “tjetra mendon kështu”. 
Kjo sepse në një shoqëri e cila pretendon se është e përparuar, disa çështje as nuk meritojnë të jenë dilema. 
Dhe çështja e cila as që do të duhej të ishte dilemë, është nëse aktet e rektorit dhe profesorëve matrapazë janë “të pranueshme” dhe të tolerueshme për një institucion akademik. 
Ajo që të bën të tmerrohesh në debatin mbi manipulimet e dëshmuara të profesorëve të UP-së, nuk është fakti se shumica e popullsisë ose profesorëve kanë mbetur indiferent rreth çështjes - guximi dhe veprimi kolektiv ka kohë që nuk jetojnë në mesin tonë- por se sa shumë njerëz po u dalin hapur në mbrojtje mashtruesve dhe se me çfarë guximi këta njerëz po e shpërfaqin madje edhe krenarinë e tyre me një institucion të cilin veprat e profesorëve po e bëjnë të duket krejt qesharak. 
Në këtë mes nuk janë edhe aq të habitshëm ca liderë shoqatash studentore për të cilët aktet e profesorëve mashtrues janë modele të admirueshme veprimi (akte të cilat ata do t’i replikonin pa më të voglin hezitim, nëse do t’u jepej rasti). 
Bëhet fjalë për njerëz të cilët ashiqare nuk janë ulur nëpër “karriget” e shoqatave studentore për t’i mbrojtur interesat e kolegëve të tyre, por për t’i përdorur ato si trampolina për t’u ngjitur drejt llumit abuzues të cilin sot po e mbrojnë. 
Fatmirësisht duket se në mesin e studentëve më në fund ka filluar të rritet mendimi kritik dhe se jo të gjithë janë të gatshëm të përpijnë gjithçka, ose ta shohin vetëm interesin e tyre të ngushtë. 
Sikur edhe masa më të gjera studentësh të arrinin të kuptonin se diplomat që po i marrin nga një universitet me rektor mashtrues, një ditë do t’ua përqeshin edhe punëdhënësit në Kosovë, e lëre më ata nëpër botë, ndoshta reagimi i tyre do të ishte më i madh, ndoshta Ibrahim Gashi sot nuk do të ishte më rektor dhe ndoshta UP-ja do ta kishte filluar atë këndelljen serioze për të cilën ka nevojë, duke filluar nga rivlerësimi i tërësishëm i titujve akademikë dhe punëve shkencore të stafit të tij.  
Por ajo që mbetet më së tepërmi zhgënjyese në këtë situatë dhe që e shpalosë përmasën pothuajse kanceroze të problemit, është reagimi i disa njerëzve të cilët e mbajnë veten për intelektualë dhe të cilët – në shpërputhje të plotë me detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre publike – çohen dhe e mbrojnë matrapazllëkun akademik, duke e arsyetuar, duke ua ulur rëndësinë mashtrimeve, duke u marrë vetëm me kritikët, ose duke u përpjekur që gjithë kësaj pune t’ia vënë një ngjyrim krejtësisht politik.
Kështu veproi për shembull edhe Rexhep Qosja, teksa gjithë këtë punë e reduktoi në një fushatë dashakeqe “qarqesh”, të cilat gjithsesi nuk mund t’ia duan të mirën Kosovës (sepse Kosovës, siç e dimë, ia do të mirën vetëm Rexhep Qosja). 
Më skandalozi nga gjithë të tjerët, ishte pa dyshim reagimi i shefit të Katedrës së Gazetarisë Milazim Krasniqi, i cili doli hapur me atë gjuhën e njohur të fashistëve dhe racistëve të kapluar nga pasiguria, të cilët fajet për çdo gjë i gjejnë tek armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Krasniqi mori guximin që fajin për përdhosjen e Universitetit të Prishtinës t’ua linte atyre që janë ngritur për ta denoncuar shkeljen, e jo atyre që e kanë bërë shkeljen. Përdhosës të UP-së na qenkan ata që e drejtojnë gishtin drejt mashtrimit, e jo ata që e bëjnë mashtrimin. 
Habitem se si Krasniqi kishte harruar të shtonte se, në fakt, paskëshin qenë shërbimet sekrete të armiqve, ato që u futën në kokën e rektorit dhe profesorëve të tjerë, për t’i detyruar ata që të manipulojnë. Sa vigjilentë janë armiqtë për të na njollosur!  
Në kushtet e reagimeve të tilla – e sidomos pas një reagimi të pabesueshëm të Rektoratit, i cili as që lodhej të komentonte mbi shkeljet e rektorit, por vetëm hidhte baltë mbi profesorët protestues dhe madje edhe familjarët e tyre (sipas logjikës gjeniale vetëfajësuese: “ne kemi të drejtë të jemi mashtrues sepse edhe këta janë mashtrues”) – nuk ka mbetur hap tjetër përveç shtimit edhe më të madh të presionit për largimin e këtij rektori dhe fillimin e një procesi të shqyrtimit të gjithmbarshëm të gjendjes në UP.
Kemi ardhur në pikën ku rektori Ibrahim Gashi, i avancuar me publikime të botuara në revista të dyshimta, ka fytyrë të dalë publikisht dhe ta kontestojë integritetin akademik të një vlere botërisht të konfirmuar akademike si Qëndrim Gashi. 
Siç thashë edhe në fillim: e bardha dhe e zeza rrallëherë kanë qenë më të qarta.
(Botuar te Gazeta Jeta ne Kosove, 6 Shkurt 2014)

No comments: