Thursday, March 13, 2014

Mali që (s’)bëzan

Problemi kryesor i kosovarëve me elitën e sotme politike nuk është mungesa e besimit te synimet e liderëve, ndonëse me kalimin e kohës ky besim ka filluar të zbehet dukshëm. Pjesa më e madhe e qytetarëve vazhdojnë të kenë besim se liderët e tyre të preferuar – njerëzit të cilët në kohërat më të rënda për këtë vend bënë sakrifica – mbeten të prirë nga synime fisnike dhe shtet-ndërtuese.
Problemi kryesor i kosovarëve me elitën e sotme politike nuk është madje as pasurimi i dyshimtë i saj, edhe pse në një kontekst të krizës ekonomike, luksi i tepruar po bëhet gjithnjë e më irritues. Pjesa më e madhe e kosovarëve megjithatë janë të gatshëm që ta mbyllin njërin sy para këtij problemi, duke e arsyetuar me meritat dhe kontributin historik për vendin.   
Problemi kryesor i kosovarëve me politikanët nuk buron as nga ndonjë pritje e tyre e madhe se gjendja në vend mund të përmirësohet shumë shpejt. Kosovarët e kanë dëshmuar tashmë shumë herë se për nga natyra janë hiper-realistë dhe të duruar dhe se në fakt kanë pritje shumë më të ulëta prej politikanëve, se që do të duhej të kishin. 
Se këto çështje nuk janë problemet kryesore në relacionin mes votuesve dhe politikanëve, këtë e dëshmon fakti se elita e sotme politike vazhdon të legjitimohet me votë zgjedhje pas zgjedhjesh dhe me gjasë do të legjitimohet sërish edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Ai që në fakt është frustrimi kryesor i kosovarëve me elitën politike dhe i cili ka filluar ta shkundë ekuilibrin në marrëdhënien e derisotme mes tyre, është shkëputja gjithnjë e më me e madhe psikologjike dhe emocionale e elitës prej qytetarit, e cila manifestohet me mungesë të plotë të ndjeshmërisë dhe përfilljes së shqetësimeve të tyre legjitime.  
Ankesa që sot dëgjohet më së shpeshti nuk është vetëm “unë e kam një problem”, por “askush nuk është i gatshëm të dëgjojë për të”. 
Krijimi i distancës emocionale, mospërfillja dhe qasja arrogante ndaj shqetësimeve të njerëzve, ishte një ndër motivet kryesore për atë humbjen e famshme të Isa Mustafës në Prishtinë, e cila asokohe u duk e pamundshme dhe befasuese, por sot në retrospektivë ngjan sikur të ketë qenë e paevitueshme. 
Një shembull konkret të kësaj mospërfilljeje sistematike e japin ato dhjetëra familjet prishtinase të cilat këtë javë vendosën të protestojnë në  hapësirën ku dikur i kishin shtëpitë, mu në mes të Kuvendit dhe Muzeut. Komuna e Prishtinës ua kishte prishur këto shtëpi para tre vjetësh, duke u dhënë njëkohësisht garanci ligjore se do të kompensoheshin pas ndërtimit të një projekti të ri (që s’u bë kurrë). 
Prononcimet publike të protestuesve e ilustrojnë shqetësimin e përgjithshëm të qytetarëve me qasjen e pushtetit të shkuar komunal. Ata ndihen të fyer jo vetëm nga padrejtësia që u është bërë, por sidomos nga mospërfillja dhe nga mungesa e vullnetit të pushtetarëve për t’i takuar dhe për t’i trajtuar me respektin dhe dinjitetin që e meritojnë si njerëz me një hall legjitim. 
“Të paktën Shpend Ahmeti na pranoi në takim”, u citua nga Koha Ditore të ketë thënë njëri prej protestuesve, duke e ilustruar edhe njëherë se sa pak kërkojnë dhe se sa mirëkuptues dinë të jenë njerëzit në këtë vend, edhe kur kanë halle të mëdha si humbja e shtëpive. 
Një mospërfillje cinike të llojit të vet ndaj halleve ekonomike të qytetarëve po vazhdon ta tregojë edhe kryeministri Thaçi, teksa kategorive të shumta shoqërore – veteranëve, shërbyesve civilë, etj, ua mban mirëqenien peng të cikleve zgjedhorë. Të papunët e shumtë dhe familjet që mezi e shtyjnë muajin, u desh të prisnin gjashtë vjet për të dëgjuar nga kryeministri i tyre se ekonomisë së vendit iu dashkan masa speciale (si ai fondi akoma i mjegullt zhvillimor prej 1 miliard eurosh). 
Të pranosh që të paktën të takohesh me ata që po përballen me një padrejtësi, ose të nisësh të adresosh një shqetësim madhor të vendit me gjashtë vjet vonesë, është pa dyshim më mirë sesa të mos bësh asgjë dhe është një hap i mirëseardhur. Ja ku po e shohim njërin prej rezultateve pozitive të votës ndëshkuese të zgjedhjeve të fundit lokale: shkundjen e pushtetarëve prej pozitës së komoditetit. 
Por nuk është e sigurt se sa afatgjatë dhe i sinqertë është ky efekt i këndelljes dhe nëse ai do të vazhdojë edhe pas ditës së zgjedhjeve. 
Të qëndruarit për një kohë të gjatë në pushtet pa dyshim se krijon te liderët simptoma psikologjike izolimi dhe shkëputjeje prej frustrimeve të njerëzve. Për këtë problem ishte i vetëdijshëm edhe presidenti Obama kur erdhi në pushtet. Si zgjidhje ai e gjeti leximin e dhjetë letrave të qytetarëve çdo mbrëmje. 
Një dozë shkëputjeje emocionale është e natyrshme, ose bile edhe e domosdoshme sa më i lartë të jetë niveli i përgjegjësisë. Nga lidershipi kërkohet një dozë gjakftohtësie e cila mundëson vendimmarrje strategjike dhe shtyrje përpara të reformave që shpeshherë krijojnë humbës dhe pasoja të dhimbshme për qytetarët në afat të shkurtër. 
Por problemi është se koha e gjatë e të qëndruarit në pushtet rrezikon të krijojë humbje permanente të ndjeshmërisë. Politikanët ashtu-kështu kanë prirje të madhe për të pasur sjellje psikopatike, të cilët emocionet vetëm i simulojnë dhe nuk i ndjejnë dhe kjo që sot po shohim ka gjasa të jetë vetëm simulimi i radhës. 
Migjeni dikur në vargjet e tija të famshme e mallkonte malin i cili s’bëzante dhe mbetej indiferent ndaj kushteve të rënda të jetës së tij. Ankohej se si nuk e kishte një grusht të fortë për ta goditur malin mu në zemër dhe për t’i treguar se ç’domethënë të jesh i dobët. 
Fatalizmi dhe patosi i tepruar i poetit të mjerimit sot mbase nuk ka vend, sepse qytetarët sot e kanë grushtin që mund ta bëjë malin të bëzajë. I ranë mu në zemër në zgjedhjet e fundit lokale. 
Botuar te Gazeta Jeta ne Kosove (13 Mars). http://www.gazetajnk.com/?cid=1,1067,7793 

No comments: