Sunday, March 09, 2014

Shikoni se si zhvishet (Foto & Video)

“Teprica e moralitetit çon drejt kriminalitetit!”, thotë Manu Chao në vargjet e njërës prej këngëve të tija më lozonjare, por tepër domethënëse, të quajtur “Promiscuity” (“Imoraliteti”). Muzikanti i shkëlqyer franko-spanjoll, i cili para disa vitesh pati koncert edhe në Prishtinë, e ironizon në këtë këngë njërin prej problemeve më thelbësore të natyrës njerëzore: tensionin mes epsheve dhe dëshirave të individit, në njërën anë, dhe normave morale të cilat shoqëria njerëzore i ka zhvilluar përgjatë shekujve për t’i frenuar këto epshe dhe për të krijuar kohezion, në anën tjetër.

Ideja e këtij vargu specifik është që normat tepër të ngurta shoqërore – si për shembull ato mbi seksualitetin – shpeshherë e arrijnë tek individi efektin e kundërt prej atij të synuar, duke e bërë të ndaluarën edhe më tërheqëse dhe më të dëshiruar, apo duke i shtyrë njerëzit drejt çmendurisë dhe thyerjes edhe më serioze të normave shoqërore.

Shembulli i parë që të bie në mend në këtë drejtim janë priftërinjtë e shumtë katolik të cilët, të privuar nga jeta seksuale për shkak të dogmës fetare, u kthyen në masë drejt pedofilisë. Si shembull tjetër mund të merren edhe banorët e disa shteteve islamike ku liritë seksuale dhe të grave janë më të kufizuarat në botë, por të cilët njëkohësisht janë vizitorët më të shpeshtë të faqeve pornografike. 

Sa i përket shoqërisë kosovare, me përjashtim ndoshta të një segmenti urban të Prishtinës, ajo mbetet tejet konzervative rreth çështjeve të seksualitetit. Ato mbeten kontraverse sidomos në hapësirën publike, ku vazhdojnë ta ketë stigmën e diçkaje të turpshme. Por në mesin e popullsisë përgjithësisht të re kosovare megjithatë duket se gjallon një energji e madhe dhe krejtësisht e natyrshme seksuale, e cila bëhet edhe më e madhe pikërisht për shkak se është e shtypur dhe e papërmbushur.

Në një kohë kur kosovarët po bëhen gjithnjë e më të hapur ndaj botës perëndimore, dhe kur brezi i ri ka filluar të bëhet paksa më liberal në praktikat seksuale dhe në shprehjet publike të seksualitetit – këtu sërish trendi është më i theksuar në Prishtinë –, në diskursin tonë publik është bërë edhe më agresive dhe e shfrenuar gjuha e atyre që e kanë marrë timonin për të qenë “mbrojtës të moralit dhe traditave”.

Natyrisht, objekt dhe mani e moralizuesve të tillë janë ekskluzivisht femrat me mendje dhe ambicie më të pavarur – të papërputhshme me traditën arkaike! - por jo edhe meshkujt të cilët e shpërfaqin publikisht dhe pa pikë hezitimi agresivitetin e tyre seksual dhe misogjeninë. Në një shoqëri në të cilën diskursi publik është thellësisht i dominuar nga meshkujt dhe nga parime thellësisht patriarkale, diskursi seksist i meshkujve legjitimohet si normal sepse janë vetë meshkujt ata që e përcaktojnë se çka është normale. Dhe natyrisht, kur vjen puna te seksi, për meshkujt, epshet e tyre seksuale janë normale. Problemi janë “kurvat”.    

U desh të vinte periudha e depërtimit masiv të internetit që ta vërtetohej edhe empirikisht përmasa e hipokrizisë së mashkullit moralizues kosovar. Të lë përshtypje fakti se në shumë prej portaleve të internetit, temat më të lexuara, përveç debateve fetare, janë zakonisht ato që në një formë ose tjetër e trajtojnë seksualitetin e femrës.

Shkoni në faqen e parë të ndonjërit prej portaleve kryesore dhe aty do t’i shihni nja tre katër tema që ju premtojnë foto ose video intime të ndonjë figure publike femërore (të ngjashme me titullin e shkrimit tim), apo që kanë tituj sugjestiv seksual. Para disa javësh, në një periudhë të zhvillimeve të shumta të rëndësishme politike dhe sportive, tema më e lexuar e javës në njërin prej portaleve ishte “Seksi nga prapa: meshkujt e adhurojnë, femrat e kanë të sigurt orgazmën!”.

Redaktorët e këtyre portaleve, duke e pasur mundësinë për të parë se çfarë artikuj lexohen më shumë, i kanë kthyer faqet e tyre në dispozicion të kërkesës, duke e krijuar kështu pasqyrën më të mirë të tensionit dhe energjisë së papërmbushur seksuale të kosovarëve. Për më tepër, ata i kanë kthyer portalet në platformën ku ushqehet gjuha më e ulët e urrejtjes dhe poshtërimit ndaj vajzave dhe grave, nga moralizuesit të cilët “krejt rastësisht” ndodhen duke lexuar artikuj me përmbajtje të natyrës seksuale.

Ky fakti i fundit dëshmon se gjuha moralizuese dhe poshtëruese ndaj vajzave dhe grave të shumtën e rasteve nuk ka të bëjë aspak as me tradita dhe as me fe, por është vetëm një mbulesë racionalizuese dhe simptomë e mospërmbushjen seksuale të mashkullit kosovar. Nëse do ta përdornim terminologjinë e ligjit themelor të ekonomisë, do të thoshim se oferta aktuale në një shoqëri shtypëse ndaj seksit dhe lirisë së femrave nuk e përmbushë nivelin e kërkesës dhe epshit të meshkujve. Këtu pastaj hyn ajo predispozita psikologjike e njeriut për ta bindur veten se qershia e cila nuk mund të arrihet është ashtu kështu e keqe. Apo edhe se duhet shtypur! “Kurvat e dreqit!”

Përveç rrebeve misogjene të lexuesve të rëndomtë të portaleve, edhe në mesin gazetarëve nuk mungojnë shkrimet apo sulmet ndaj personazheve publike të gjinisë femërore të cilat nuk merren aspak me ndonjë çështje përmbajtjesore, por janë të mbushura me nëntekst apo edhe komente të drejtpërdrejta seksiste. Më skandalozi nga të gjithë ishte një artikull i botuar para disa javësh në njërin prej portaleve tona, i cili përveçse nuk e jepte kurrfarë lajmi, por raportonte për një postim të një zyrtareje qeveritare në Facebook, insinuonte në marrëdhëniet e saja seksuale me persona të racës së zezë! 

Problemet me raportet gjinore dhe me agresivitetin e meshkujve seksualisht të papërmbushur do të gjallojnë ne mesin tonë edhe për një kohë të gjatë. Këto janë çështje të cilat zgjidhen vetëm me zëvendësimin e brezave, si me sakrificat e shumë vajzave dhe grave me mendje të pavarur të cilat do të duhet të mbeten stoike në angazhimet publike, duke u përballur me një ambient agresiv, gjykues dhe poshtërues. Në këtë drejtim është shumë e rëndësishme që atyre t’u dilet në ndihmë përmes mbrojtjes publike dhe inkurajimit për të mos u tërhequr përballë horrave misogjen.

Por një mënyrë konkrete dhe e menjëhershme se si shteti do të mund të ndihmonte është që përmes institucioneve të tija rregullatore të sanksiononte dënime të ashpra për gjuhën e përdorur nga gazetarët dhe lexuesit e portaleve. Kjo sepse legjitimimi i gjuhës misogjene në diskurs publik po vazhdon ta ushqejë atë mentalitetin dominues arkaik i cili, për shembull, para dy vitesh çoi deri te vrasja e Diana Kastratit nga ish-burri i saj, “për çështje të nderit!”. Siç do të thoshte Manu Chao: “Teprica e moralitetit çon drejt kriminalitetit!”

Shkrimi u botua te shtojca speciale Koha për Gratë (në Koha Ditore) me 8 mars. 

No comments: