Arrestimi i papritur i Radovan Karaxhiqit nga autoritetet e Serbisë dëshmon se në shtetin fqinj, tetë vite pas rënies së Millosheviqit, forcat pro-evropiane dhe pragmatike më në fund kanë filluar t’i marrin nën kontroll strukturat e pushtetit të fuqishëm joformal. Kapja e Karaxhiqit në mes të Beogradit vetëm dy javë pas formimit të qeverisë së re sugjeron se, përveç mbështetjes kyçe nga një pjesë e oligarkëve dhe mediave, Boris Tadiqi tashmë ka kontroll edhe mbi shërbimin sekret (DB), një bastion i strukturave Millosheviqiane të cilat kishin gjetur strehë dhe vazhdimësi ideologjike te Vojisllav Koshtunica. Misteri rreth mënyrës së arrestimit të Karaxhiqit (policia e shtetit mohon ta ketë arrestuar) nxiti spekulime të besueshme se ai u kap dhe u tradhëtua nga të njëjtat segmente të DB-së që për trembëdhjetë vite e kishin mbrojtur. Bindja e përgjithshme është se strukturat e DB-së me këtë gjest po tregohen oportuniste dhe po përpiqen të demonstrojnë besnikëri ndaj qeverisë së re. Duke nuhatur se opinioni publik dhe politika serbe e kanë të pashmangshme rrugën drejt BE-së, ato e zbatuan atë thënien pragmatike: ”Nëse s’mund ti luftosh armiqtë, bashkohu me ta!”.
Ndryshimi që po ndodh në Serbi pra nuk është gjë tjetër veçse rirreshtim dhe përshtatje e strukturave të vjetra të fuqisë brenda një orientimi dhe paradigme të re politike të definuar nga konsensusi politik i koalicionit Tadiq-Daçiq. Kjo situatë është pasqyrë e një vetëdijesimi në rritje brenda establishmentit politik dhe disa oligarkëve, por edhe brenda vetë shoqërisë serbe, se vazhdimi i vijës së ashpër nacionaliste do ta çonte vendin drejt vetë-shkatërrimit. Shumë i rëndësishëm në këtë aspekt është edhe fakti se Tadiqi gëzon mbështetje të njëzëshme ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të Rusisë aleate. Gjatë zgjedhjeve të fundit Kremlini dërgoi mesazhe të qarta mbështetjeje për Tadiqin të cilat i hutuan segmentet pro-ruse të shoqërisë serbe, kryesisht mbështetës të partive nacionaliste, dhe që besohet t’i kenë sjellë ca vota më tepër kampit pro-evropian. Duhet kuptuar se pëlqimi i Rusisë për Tadiqin bazohet në interesa kryekëput ekonomike. Pas blerjes së Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) dhe marrëveshjes për ndërtimin e nën-stacioneve të gazsjellësit “Southern Stream” në Serbi, Rusia është tejet e interesuar që aleatja e saj të bëhet pjesë përbërëse e tregut të Bashkimit Evropian.
Arrestimi i Karaxhiqit në fakt e sjell Serbinë në një pozitë shumë të favorshme në procesin e integrimeve evropiane, me mundësinë reale që t’i tejkalojë fqinjët ballkanas si Maqedonia, Shqipëria apo Bosnja dhe Hercegovina. Kapja e dy të kërkuarve të tjerë nga Haga duket tashmë si çështje kohe meqë Qeveria e Cvetkoviqit, me mandat të qartë për ta çuar Serbinë në BE, po dëshmon vullnet të sinqertë politik për sjelljen e tyre para drejtësisë ndërkombëtare. Integrimit evropian të Serbisë i ndihmon edhe ndjenja e “fajësisë” nga ana e një pjese të shteteve të BE-së për faktin se Serbia “u desh të dënohej” me humbjen e Kosovës. Menjëherë pas arrestimit të Karaxhiqit, Komisari për Zgjerim i BE-së Olli Rehn deklaroi se do të kërkonte që Marrëveshja së Stabilizim Asocimit (MSA), e nënshkruar nga vendet e BE-së por e kushtëzuar të zbatohet vetëm pas dorëzimit të Mladiqit në Hagë, të konsiderohej si e vlefshme. Nëse Serbia gjatë muajve të ardhshëm e kap edhe Mlladiqin, mund të pritet që përveç MSA-së ajo të marrë me një shpejtësi favorizuese edhe statusin e kandidatit për anëtarësim, mbase brenda vitit tjetër. Aq shumë ia kanë frikën Serbisë vendimmarrësit e BE-së saqë për hir të stabilitetit të saj janë të gatshëm ta shfaqin edhe njëherë dyfytyrësinë e politikës së kushtëzimit të BE-së dhe me këtë të shkaktojnë zhgënjim te shtetet e tjera të Ballkanit që procesit të integrimeve i kanë hyrë shumë kohë më përpara. Shikuar nga këndi i realpolitikës, loja e ”policit të mirë – policit të keq” që zhvillohet brenda skenës politike të Serbisë është shfrytëzuar shumë mirë nga forcat pro-evropiane për të nxjerrë maksimumin nga BE-ja si “kompensim” për pavarësimin e Kosovës.
Ndryshimet në skenën politike të Serbisë pa dyshim se janë të rëndësishme edhe për rrjedhat e ardhshme në Kosovë. Që tani ka shenja se qasja e Qeverisë Cvetkoviq ndaj Kosovës do të jetë dukshëm më butë se ajo e Qeverisë Koshtunica. Ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq para disa ditësh e paralajmëroi një gjë të tillë kur deklaroi se Serbia do ta vazhdojë kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, por se në këtë drejtim “nuk do të jetë agresive”. Risia e retorikës përputhet me veprimet konkrete. Vendin e nacionalistit dhe strategut të ndarjes territoriale Slobodan Samarxhiq në krye të Ministrisë për Kosovën e ka zënë Goran Bogdanoviq, zyrtari më i lartë i partisë së Tadiqit në Kosovë dhe ish-koordinator për kthimin e të zhvendosurve. Ndonëse në deklarata publike Bogdanoviq ndjek linjën zyrtare, nga qarqet ndërkombëtare dhe ato liberale të Serbisë ai vlerësohet si person pragmatik me të cilin ”mund të bashkëpunohet”. Serbia ndërkohë i ka rikthyer ambasadorët e vet në shtetet e BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, gjest të cilin radikalët dhe partia e Koshtunicës e cilësuan si “kapitulim të Serbisë përballë pavarësisë së Kosovës.” Ndryshimi në strukturat e fuqisë ne Beograd, dhe sidomos turbulenca brenda DB-së, ka shkaktuar dobësimin e elementeve radikale serbe në Kosovë (përkundër disa provokimeve në Suhadoll, vihet re mungesa e “tubimeve patriotike”). Struktura politiko-kriminale e Marko Jakshiqit që kontrollon veriun po injorohet me ftohtësi nga Qeveria e re, madje përflitet edhe mundësia e përndjekjes penale ndaj saj. Duket se pikë reference për komunitetin serb në të ardhmen do të jenë adutët e Tadiqit si e neo-moderuara Rada Trajkoviq dhe oportunisti Oliver Ivanoviq.
Përkundër këtyre zhvillimeve në dukje pozitive, qëndrimi i zyrtar i Serbisë për pavarësinë e Kosovës nuk do të ndryshojë edhe për një kohë të gjatë dhe është naive të pritet tërheqja e saj nga ndërhyrjet në Kosovë. Arsye kryesore për këtë janë kalkulimet e politikës së brendshme dhe jo ndonjë interes i pushtetarëve të sotëm për politikë “serbomadhe”. Në fakt, interesi afatgjatë i të moderuarve në Serbi është që çështja e Kosovës, si nxitëse e ndjenjave nacionaliste që favorizojnë radikalët në zgjedhje, të largohet sa më parë nga rendi i ditës. Kampi pro-evropian e ka kuptuar se Kosova është e humbur por pranimi publik i këtij realiteti është i barabartë me vetëvrasje politike. Partia Demokratike e ka ende të freskët dështimin e Gjingjiqit për ta ndryshuar politikën serbe me shpejtësi radikale dhe nuk dëshiron të digjet sërish. Tadiqi me vite të tëra manovroi në mënyrë shumë kontradiktore mes retorikës pro-perëndimore dhe asaj nacionaliste (“Edhe Evropën, edhe Kosovën”) dhe pikërisht kjo taktikë i mundësoi atij konsolidimin e pushtetit të cilin e gëzon sot. Prandaj çfarëdo ndryshimi i orientimit politik të Serbisë ndaj Kosovës do të jetë gradual dhe “i amortizuar”, i varur kryesisht nga ndryshimet në opinionin publik serb. Përveç faktorit të politikës së brendshme, Serbia sot nuk ballafaqohet me kurrfarë presioni të vërtetë ndërkombëtar për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Ky kusht do ti parashtrohet sipas të gjitha gjasave vetëm kur ajo të jetë pranë anëtarësimit në BE, dhe kjo gjithsesi nuk mund të pritet brenda këtij mandati qeverisës. Politikanët evropianë dhe pragmatikët në Beograd llogarisin se derisa të vijë koha për një kushtëzim të tillë, gjakrat nacionaliste në Serbi do të jenë ulur deri në masën ku pranimi i pavarësisë do të mbipeshohet në opinion publik nga përftimet e anëtarësimit në BE.
Në ndërkohë Serbia e kontrolluar nga Tadiqi sipas të gjitha gjasave do të punojë për një “ndarje funksionale” të Kosovës e cila në mënyrë krejt të heshtur dhe të ngadaltë do të çojë deri te njohja e realitetit të Republikës së Kosovës. Nuk do të mungojnë ndërkohë zëra për legjitimimin e kësaj ndarjeje në formën e kantonizimit, kërkesë kjo që duhet të refuzohet kategorikisht dhe të shfrytëzohet për ta ulur pazarin deri në kornizat e Ahtisaarit. Enklavat dhe veriu në ndërkohë do të mbesin territore të çuditshme dualiste. Sot e kësaj dite ende nuk dihet se kush do ta zbatojë ligjin në këto zona dhe cili do të jetë ai ligj do të zbatohet. Por së paku një gjë është e qartë. Konsolidimi i pushtetit nga ana e demokratëve në Serbi hap mundësi reale për integrimin e zonave serbe përmes kanaleve joformale dhe projekteve jopolitike. Politikanët tanë duhet t’i lexojnë fjalët e pushtetarëve serb mes rreshtave dhe të hapin kanale joformale komunikimi me të moderuarit. Duhet të shikohen seriozisht mundësitë e investimeve të fokusuara në ekonominë e Mitrovicës së Jugut apo edhe projekte që nxisin ndërvarësinë e ekonomisë së dy anëve të qytetit. Ideja e një universiteti elitar sipas modelit të Shtulit në Tetovë gjithashtu tingëllon si ide e shumë e mirë. Duhet të nxirret mësim nga shembulli i një shqiptari dhe një serbi të cilët, duke e shfrytëzuar çmimin e lirë të naftës së futur kontrabantë nga Serbia, para disa ditësh kanë hapur një pompë të përbashkët të benzinës në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Roli kyç i tregut dhe ndërvarësisë ekonomike si mjet për zgjidhjen e konflikteve politike është pikërisht mësimi që jep historia e Bashkimit Evropian. Kur “dora e padukshme” arriti ti bashkojë gjermanët dhe francezët pas luftës së dytë botërore, nuk besoj se do ta ketë të vështirë integrimin e një Mitrovice apo Graçanice.
No comments:
Post a Comment