Saturday, January 01, 2011

FER në parlament

Teksa po i afrohemi ditës kur qytetarët do t'ju drejtojhen kutive të votimit, sondazhet japin shenja se fatin e vendit edhe kësaj here do ta përcaktojnë xhematet e partive tradicionale – tifozët politik që ushqehen nga sistemi i patronazhit dhe mitet politike. Megjithatë, duket se edhe numri i votuesve kritik dhe të panënshtruar ndaj partive tradicionale po rritet, gjë që reflektohet në mbështetjen mjaft të gjerë që arritën të fitojnë për një kohë të shpejtë partitë e reja të kyçura në garë. Ky është një zhvillim i mirëseardhur dhe normal duke pasur parasysh zhgënjimin e përgjithshëm të qytetarëve me elitën e derisotme politike.

Megjithatë, duket qartë se një numër i madh i këtyre votuesve kritikë, ndonëse janë të vetëdijshëm për të metat e partive të mëdha, mund të votojnë për ato në bazë të një logjike pragmatike dhe taktike, duke mbështetur atë parti që ata mendojnë është “e keqja më e vogël” ose “varianti pak më i mirë”. Ky lloj i votimit taktik bazohet mbi mungesën e besimit në gjasat e opsioneve të reja për të fituar, edhe nëse “në kushte ideale” këto opsione do të ishin preferenca e parë.

Në këtë drejtim, për dallim prej atyre që preferojnë agjendën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe që nuk duken aspak të tunduar për të votuar për ndonjë parti tjetër, logjika e “votimit taktik” duket të jetë prezenete më shumë te një pjesë e votuesve potencial të Partisë FER të cilët thellë thellë besojnë se Kosova do të duhej të qeverisej nga një parti e formatit të tillë, e ndërtuar mbi një platformë të qartë ideologjike libeal-demokratike dhe e mbërthyer nga parimi i ekspertizës, por të cilët megjithatë vendosin t'i nënshtrohen ndjenjës së realizmit ndaj mjedisit ku jetojnë, duke dhënë komente të tipit: “Kosova nuk është e gatshme ta pranojë një parti të tillë”. Tundimim e votuesve potencial të FER për të votuar në mënyrë taktike për ndonjërën prej partive të mëdha mund ta kenë forcuar edhe prurjet e reja të këtyre partive të cilat, ndonëse në disa raste mund të duken premtuese, gjithësesi mbesin për momentin vetëm ndryshime kozmetike.

Natyrisht, shumë prej votuesve kritik kanë vërejtje përmbajtësore dhe të drejta për FER-in si opsion politik. Kjo parti ka shfaqur mjaft mangësi dhe probleme, qofshin ato të ndërlidhura me kuadrot, çështjet programore apo fushatën elektorale. Por mbase do të ishte e udhës që në këtë moment të kihet pak mirëkuptim për vështirësitë e themelimit të një partie të re me shpejtësi, në rrethana kaotike dhe në një mjedis shumë të vështirë politik si ai i Kosovës. Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se një parti e formatit të FER-it është e ndërtuar mbi themele të shëndosha, duke pasur profil të qartë ideologjik dhe vizion politik, dhe nuk do të ketë problem që të adresojë dhe përmirësojë cfarëdo lloj mangësie në të ardhmen.

Vendimi për të votuar për një parti ose tjetër është gjithsesi çështje bindjesh personale. Megjithatë,çdo qytetar ka të drejtë t'i parashtrojë publikisht argumentat e tij në favor të një opsioni dhe kjo është një praktikë e zakonshme në shtypin e demokracive perendimore. Prandaj me këtë shkrim dëshiroj t'i drejtohem votuesit potencial të FER-it dhe t'ia parashtroj nje argument praktik përse FER meriton të mbështetet në ditën e zgjedhjeve, pa i hyrë çështjes së preferencave ideologjike dhe bindjes sime personale se FER mund të ndërtojë platformën më të mirë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Argumenti im praktik është se votuesi kritik i këtij vendi, ai që ankohet çdo ditë për dështimet e politikës kosovare, kësaj here nuk mund ta përmirësojë cilësinë e qeverisjës në mënyrë përmbajtësore duke votuar të keqën më të vogël apo duke legjitimuar ndryshimet kozmetike në partitë e Hashim Thaçit apo Isa Mustafës. Përvoja na ka treguar se këto prurje fare lehtë mund të injorohen ose të hidhen në kosh të plehrave pas ditës së zgjedhjeve nga strukturat e vërteta të fuqisë brenda këtyre partive. Hashim Thaçit mund t'ia sjellësh në zyrë dhjetë ekonomistë nobelistë bashkë me dhjetë ekonomistët më të dobët të kësaj bote, por tre vitet e fundit na treguan se ai prapë se prapë do të mbetet i paaftë për të dalluar këshillën e mirë prej këshillës së keqe.

Votuesi kritik mund të ndikojë shumë më tepër duke pasur në parlament një parti e cila mund të shërbejnë si motor i ndryshimeve të vërteta, qoftë si opozitë e zëshme dhe parimore ndaj padrejtësive të pushtetit, qoftë si partner bashkëqeverisës i cili, për shkak të votave që ka në parlament, mund të kushtëzojë partneritetin me kërkesa programore dhe me largimin e figurave të përlyera apo të paafta. Për të imponuar ndryshime nevojitet fuqi parlamentare, ndërsa për të pasur fuqi parlamentare nevojitet vota. Për këtë arsye mendoj se është jashtëzakonist e rëndësishme për interesin e vendit që në ditën e zgjedhjeve votuesi kritik të përmbahet nga ndjenjat e cinizmit dhe të mobilizohet në mbështetje të FER-it.

Natyrisht, kur flitet për mundësinë e koalicioneve, është e vështirë të shihet se me kë do të mund të bënte koalicion FER-i në një situtatë kur partitë e vjetra mbesin të dominuara nga figura të konsumuara dhe kur mes saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje ekzistojnë dallime të papajtueshme programore. Në rrethana të tilla FER mbase do të bënte më mirë sikur të mbetej në opozitë si zë i fuqishëm kritik dhe të punontë për t'u forcuar në të ardhmen.

Megjithatë, një gjë është mëse e qartë. Në cfarëdo rrethane është i pamundur të imagjinohet një koalicioni FER-it me Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo parti, e ndërtuar prej njerëzve që bënë shumë për lirinë që ne gëzojmë, sot fatkeqësisht është kthyer në një përbindësh politik të rrezikshëm për të ardhmen e vendit. Kushdo që ka një grimë integriteti intelektual dhe njohurie për çështjet ekonomike mund të kuptojë se modeli populist i zhvillimit ekonomik të cilin PDK-ja po e promovon si të suksesshëm është i paqëndrueshëm dhe ç'është më e keqja, po zbatohet në kurriz të thellimit të kriminalizimit të shoqërisë, degradimit të shtetit ligjor dhe kontrollit politik ndaj çdo sfere të jetës përmes parasë, favoreve e deri te shantazhet.

Themelet e shtetit të degraduar dhe të kriminalizuar të cilat sot po i ndërton Hashim Thaçi janë të ngjashme me ato që ndërtoi në Shqipëri gjatë viteve 1997-2005 qeveria e Fatos Nanos. Edhe shteti shqiptar gjatë asaj kohe shënonte rritje ekonomike, por ai sot e kësaj dite vazhdon t'i vuajë pasojat e një modeli zhvillimor që kthen ligjin në copë lecke dhe e bën paranë zot të çdo sfere të jetës. Kundërshtimii këtij sistemi “frymënxënës” të ndjekur nga PDK-ja është në thelbin e kërkesës së FER-it për t'i dhënë frymë Kosovës, dhe ky sistem mund të luftohet në mënyrë të sinqertë vetëm duke i dhënë PDK-së dhe Hashim Thacit një dënim të merituar historik.

(Koha Ditore & Zeri 10/12/2010)

No comments: