Monday, March 07, 2011

Filli anti-civilizues i traditës shqiptare

Diskursi publik i shoqërisë sonë, ndonëse nuk është shquar ndonjëherë për nivel të lartë, kohëve të fundit ka rënë në nivel të mjerueshëm. Përderisa politikanët dhe mediet po arrijnë të vetëpërmbahen nga fjalori i rëndë i së kaluarës, retorika e qytetarëve të thjeshtë në portalet e internetit çdo ditë e më shumë përkujton "kohët e arta" të “Botës Sot” dhe “Epokës së Re”. Nuk ka mbetur as edhe një figurë e vetme publike në Kosovë e cila në këto faqe nuk e ka fituar të paktën ndonjërin prej këtyre cilësorëve përjashtues: udbash, enverist, titist, rusofil, komunist, gjakprishur, pederast, grek, serb, bin laden, çoban, etj.

E përmenda këtë fenomen pa dashur të kontestoj të drejtën e qytetarëve për shprehje të lirë, por thjesht për të vënë në dukje faktin se shoqëria jonë vazhdon të sillet në mënyrë skajshmërisht armiqësore dhe përjashtuese ndaj dallimeve në mendime ose orientime, ndaj të ndryshmes, "tjetrës". Ky fjalor reflekton jo vetëm frustrimin e gjerë me kushtet e jetesës në Kosovë, por edhe probleme brengosëse kulturore. Para së gjithash, ai e shpalos mungesën e theksuar të "kapitalit shoqëror" – atij materiali ngjitës i cili mundëson mirëbesimin dhe kohezionin mes individëve të një shoqërie. Mosbesimi i thellë shkakton frikë të tepruar ndaj "tjetrit", demonizmin e tij dhe krijimin e teorive mahnitëse të konspiracionit.

Një interpretim i antropologjisë sociale do t'i gjente rrënjët e problemit te pjesëzimi i shoqërisë shqiptare në identitete të ndryshme grupore si dhe te lidhjet e forta emocionale që shumë shqiptarë mbajnë me to – qofshin ato klanore, rajonale, partiake, fetare, ideologjike (përfshi këtu identitetin kombëtar si kategori më e gjerë). Identifikimi i fortë dhe emocional me grupin në rrethana të caktuara mund të shkaktojë qasje agresive në mbrojtjen e vlerave dhe traditave që supozohet se e identifikojnë identitetin e tij. Si rrjedhojë, ajo që perceptohet si tjetër, e huaj dhe kërcënuese ndaj këtij identiteti mund edhe të konsiderohet si armiqësore dhe meritore për t'u "spastruar" prej grupit. Si shembull krejt ekstrem i këtij fenomeni mund të merret projekti famëkeq i Hitlerit për ta "spastruar" Gjermaninë prej popullsisë hebrenje.

Të dalësh prej komentuesve të faqeve të internetit te Hitleri mund të duket gjë e tepruar, por nuk mund të mohohet fakti se fjalori përjashtues i shoqërisë sonë tregon prezencën e trajtave të forta të mendimit fashist. Ky mentalitet shpërfaqet sidomos gjatë fërkimeve mes atyre që Arben Xhaferi i pati quajtur si "identitete horizontale të kombit shqiptar" – identitete grupore rajonale, fetare apo ideologjike që pretendojnë monopolizimin dhe definimin e identitetit kombëtar shqiptar sipas kritereve të veta të ngushta. Mungesa e tolerancës që këto grupe tregojnë për dallimet dhe shumësinë e vlerave brenda kombit shqiptar, trajtimi i të ndryshmes si "mish i huaj" brenda kombit – këto tendenca mund të konsiderohen si fashiste për shkak se e përjashtojnë pluralizmin e vlerave dhe përpiqen ta kornizojnë kombin si kategori të ngurtë, organike dhe unitare.

Ata që merren me spastrimin e "tjetrës" brenda radhëve të kombit janë zakonisht të njëjtit që merren edhe me demonizimin e vlerave që vijnë nga bota e jashtme (që shihen si kërcënuese ndaj identitetit të kombit). Një qasje e tillë konservatore nuk është befasuese për një popull me histori të gjatë të jetesës në rrethana të kolonizimit dhe shtypjes. Për individët e një shoqërie të tillë identiteti i fortë grupor përbën mburojë dhe burim fuqie në raport me botën e jashtme e cila ka qenë historikisht kërcënuese, prandaj çfarëdo "sulmi" ndaj identitetit dhe traditave të tij has në rezistencë.

Ndonëse logjikohet se ky impuls i mbrojtjes së traditës ishte i nevojshëm gjatë historisë për mbrojtjen e identitetit kombëtar, ai është shfaqur edhe si pengesë e madhe për modernizimin e shoqërisë. Për shembull, gjatë kohës së sundimit jugosllav, shqiptarët që kishin mbetur pjesë e këtij shteti pa dëshirën e tyre - të paarsimuar, të izoluar nga bota dhe duke mos pasur pika të tjera reference - e shihnin pothuajse çdo trend emancipues të komunizmit nën prizmin e "asimilimit ndaj vlerave të huaja sllave". Kjo bëri që për gati gjysmë shekulli pjesa më e madhe e tyre të mbyllej edhe më thellë brenda një identiteti shqiptar i cili karakterizohej nga trajta thellësisht paramoderne, rurale dhe folklorike. “Të ishe shqiptar” do të thoshte të përputheshe me këtë lloj identiteti arkaik, ndërsa “të mos ishe shqiptar” do të thoshte, për shembull, të dëgjoje rokun “e degjeneruar” të Gjurmëve.

Fatkeqësia më e madhe është se sot, në një kohë kur jemi komb i lirë dhe i hapur ndaj botës (të paktën në informata, nëse jo në lëvizje), në shoqërinë tonë vazhdon të dominojë po i njëjti ligjërim i mbrojtësve dhe fetishizuesve të formës arkaike të identitetit shqiptar. Me pretekstin e ruajtjes me çdo kusht të kësaj forme të identitetit, ky diskurs toleron trajta të mendimit përjashtues që janë krejtësisht të papranueshme për një komb i cili pretendon të quhet i civilizuar – toleron racizmin, ksenofobinë, diskriminimin e femrës, homofobinë, etj.

Në fakt, në Kosovë nuk mund të flitet thjesht për tolerancë ndaj këtyre trajtave të mendimit, por për një institucionalizim të plotë i cili ka metastazuar deri në majat e shoqërisë. Hiç më larg se para katër javësh rektori i Universitetit të Prishtinës, institucionit më të lartë arsimor në vend, foli me gjuhën e Hitlerit për "gjak të prishur me elemente sllave". Ndërkohë, në shkollën fillore "Elena Gjika" të kryeqytetit arsimtarët bojkotuan kolektivisht mësimin për shkak të përzgjedhjes së një turku për zv.drejtor të shkollës, duke e potencuar pikërisht kombësinë e tij si pretekst të reagimit.

Ndonëse kishin shumë arsye të tjera më të mira për ta kundërshtuar kandidaturën e Behgjet Pacollit për president, shumë nga qytetarët tanë ksenofob brengoseshin më tepër për faktin se zonja e parë e Kosovës do të ishte ruse. Ndërkohë, si ministër i Kulturës i shtetit tonë u zgjodh një njeri i cili në ditët e tij jo të largëta si hip-hop këngëtar e shpërfaqte me krenari homofobinë e tij, duke e cilësuar në një këngë homoseksualitetin si "çrregullim mendor" dhe duke i kërcënuar pjesëtarët e kësaj pakice seksuale se "do t'ua prejë atë senin e do t'ua jap në dorë".

E përbashkëta e këtyre rrëfimeve është se ato e ilustrojnë qartë tendencën e fortë dhe të institucionalizuar të shoqërisë sonë për të mbajtur gjallë fillin paramodern dhe anti-civilizues të traditës shqiptare; për ta përjashtuar të ndryshmen nga shoqëria; për ta mbajtur identitetin shqiptar të ngrirë në kohë si një rezervat historik i epokës paramoderne. E gjithë kjo po ndodh në një kohë kur pjesët kulmore të traditës sonë paramoderne - vlerat si krenaria, nderi, bujaria, solidariteti e deri te gjuha e veçantë shqipe - po sulmohen pamëshirshëm nga të gjitha anët. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim luajnë sidomos disa politikanë të cilët me traditën shqiptare i bashkon vetëm historia e cubave.

Tradita - "ky zhvillim i pathyeshëm i mençurisë së një populli", siç thotë Edmund Burke – luan rol shumë të rëndësishëm në jetën e një shoqërie. Por ajo nuk duhet mbrojtur me çdo kusht dhe nuk duhet shihet si nocion absolut. Ka tradita që s'i bëjnë dëm askujt apo edhe e forcojnë një shoqëri dhe komb – p.sh. traditat gjuhësore, muzikore, etj. Por ka edhe të tjera që janë burim i prapambeturisë, mjerimit, diskriminimit, dhunës si dhe shumë problemeve të tjera me të cilat sot ballafaqohet shoqëria jonë.

Për amerikanët dikur ka qenë traditë mbajtja e skllevërve afrikanë. Sot nuk është. Si rezultat i lëvizjeve të udhëhequra nga Abraham Lincoln dhe Martin Luther King për ta sfiduar traditën e skllavërisë, racizmit dhe diskriminimit, një zezak sot madje është bërë prijës i shtetit amerikan. Kjo histori na tregon se traditat dhe vlerat e kombeve dhe njerëzimit ndryshojnë dhe filtrohen paralelisht me rritjen e vetëdijes dhe nevojat e shoqërisë. Po të ishte ndryshe, sot i gjithë njerëzimi do të ishte akoma në Afrikë duke ngrënë barishte dhe mish të gjallë.

Fuqia e sotme e civilizimit perëndimor në masë të madhe buron prej aftësisë së popujve që e përbëjnë këtë civilizim për t'i pasuruar dhe përshtatur vazhdimisht vlerat e traditës me vlerat përparimtare të cilat i imponon koha dhe zhvillimi i vetëdijes njerëzore. Prandaj, detyrimi ynë i sotëm si shoqëri është që prej traditës sonë të pasur të nxjerrim mësime, t'i adaptojmë disa prej vlerave të saj të çmuara për rrethanat e epokës moderne dhe t'i kundërshtojmë me ngulm disa të tjera që në botën e përparuar zënë vend kryesisht në mentalitetin e huliganëve të futbollit, e kurrsesi në mendjet e rektorëve dhe ministrave të Kulturës.

Shkrimi është botuar në shtojcën e Kulturës të Gazëtes Zëri me 05.03.2011

No comments: