Sunday, April 03, 2011

Ligji në shoqërinë e bërrylave

Njeriu, na thonë shkencat, nuk lind as i mirë e as i keq. Ai ka predispozita gjenetike për t'u zhvilluar në drejtime të ndryshme. Se cilat prej tipareve të tija natyrore i shpërfaqen në jetë, se si zhvilohen vlerat dhe karakteri i tij, këtë gjë ia përcaktojnë në masë të madhe trajektorja e jetës, përvojat, kultura e shoqërisë së tij.

Çfarë qytetarësh ka tendencë të prodhojë shoqëria dhe kultura jonë? Përshtypja ime është se ajo prodhon qytetarë të cilët, mes shumë trajtave të tjera të mira e të këqija, nuk e kanë aspak problem shkeljën e rregullave, sidomos të atyre që burojnë prej shtetit (i njohur dikur si hyqymet). Bëhet fjalë për një kulturë ku ligjet akoma shihen shihen si copa letre të cilat të shumtën e rasteve nuk kanë mekanizma imponues.

Në një mjedis të tillë të "gjendjes natyrore" të vetmit që përfitojnë janë të paskrupulltit dhe të fuqishmmit - ata që nuk e kanë problem të shkelin mbi të tjerët teksa ecin përpara për vete. E kam fjalën për atë tipin indiferent në Komunë i cili i shtyen me bërryla të tjerët që presin në rradhë dhe futet në zyrë me të njofshëm; për atë kojshinë që ta zë dritën e shtëpisë me ndërtesë pa leje; për atë ministrin që mbush xhepat me paratë tona thjesht për shkak se mundet.

Një shoqëri ku vendimi për të mos u shtyrë me bërryla të çon në fund të rradhës; ku ndjekja e rregullave nuk shpaguhet; ku pasojat e shkeljes së rregullave janë minimale – një shoqëri e tillë krijon një atmosferë e cila i detyron të gjithë njerëzit t'i shkelin rregullat. Kjo vlen sidomos për shoqëritë e varfëra me burime të pakta të të ardhurave dhe ku shkelja e rregullave është çështje mbijetese. Ky lloj mjedisi shkatërron kohezionin e shoqërisë dhe humb besimin në vlerat e bashkësisë dhe komunitetit.

Duke qenë të vedëdijshëm se jetojmë në një mjedis ku ligji është i barabartë me të fortin, shumë prej nesh u habitëm kur Gjykata Kushtetuese mori gjatë muajve të fundit vendime që rrëzuan nga posti dy presidentë për shkak të shkeljës së rregullave. Papritmas në këtë shtet shfaqet një arbitër neutral i cili njeh vetëm autoritetin e fjalës së ligjit dhe nuk ndjek as agjendën e sulltanatit Veternik-Hajvali, dhe as atë të sulltanatit të Dragodanit.

Si shoqëri do të bënim mirë sikur për një moment t'i lenim anash interpretimet e mundshme politike të këtyre zhvillimeve dhe ta festonim faktin se në vendin tonë një gjykatë po tregohet konsistente në ndarjen e drejtësisë kundër interesave të fortëve. Vendimet janë të rëndësishme në vetëvete.

Megjithatë shumëkush është cinik ndaj rëndësisë që i jepet sundimit të ligjit. Për shumë njerëz që e kanë kaluar jetën duke shkelur rregulla, prej kopjimit në shkollë fillore e deri te kopjimi i temave të doktoraturës, shkelja e rregullave nga ana e liderëve nuk përbën ndonjë problem të madh. Në anën tjetër, një numër dogmatësh anti-demokratik që s'kanë respekt për zërin e sovranit e kontestojnë sundimin e ligjit sepse e kontestojnë vetë legjitimitetin e Kushtetutës.

Disa të tjerë janë cinik për shkak të një shqëtësimi mjaft legjitim: çfarë rëndësie kanë këto vendime për sundimin e ligjit në një kohë kur në vendin tonë janë akumuluar tonelata shkeljesh të ligjit dhe krimesh - që nga krimet e regjimit komunist e deri te ato të qeveritarëve të sotëm? Përse e meriton Pacolli drejtësinë dhe jo dikush tjetër?

Në një mjedis ku padrejtësia është normë, zbatimi selektiv i drejtësisë mund të shihet si padrejtësi. Por kjo logjikë nuk e konteston argumentin se në ndërtimim e shtetit të fortë ligjor duhet filluar diku dhe dikur. Rëndësia e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është se ato krijojnë precendente, standarde dhe modele për gjykatat dhe institucionet shtetërore të secilit nivel. Fitorja e logjikës ligjore mbi fuqinë politike eventualisht do të krijojë hapësirën e nevojshme për të nisur edhe procesin e ballafaqimit me krimet e pazgjidhura të së kaluarës.

Ajo që është gjithashtu shumë e rëndësishmë në këtë moment është se forcimi i logjikës ligjore adreson një prej problemeve kryesore që sot bllokon zhvillimin tonë ekonomik. Në një kohë kur Banka Botërore na rradhit në vendin e 172-të në botë për mbrojtjën e investitorëve dhe në vendin e 155-të për zbatimin e kontratave, asnjë njeri me pak mend, qoftë vendor apo ndërkombëtar, nuk do ta investojë kapitalin e tij në Kosovë.

Gjykatën Kushtetuese duhet falenderuar që na përkujtoi se rregullat janë rregulla; se ato janë aty për një arsye; se ato vlejnë edhe për të fortët. Para se individualisht të jemi mbështetës të njërit apo tjetër krah politik, si shoqëri duhet të jemi tifoz të disa rregullave themelore të përbashkëta që mbrojnë secilin prej nesh. Një mjedis ku ekziston besimi ndaj një sistemi të paanshëm të drejtësisë zbut tensionet e shumta në shoqëri që lindin prej garës së pandershme dhe si rrjedhojë nxjerr prej nesh anët tona të mira.

Mjedisi i kriminalizuar dhe tolerues ndaj shkeljes së rregullave sot po krijon figura tragji-komike si Avdullah Hasani - Dulla, kryetari i kontestuar i parlamentit rinor. "Dulla me dy alltija" me gjasë do të nuk do të shfaqte sjelljet e tija bizare dhe kundërligjore nëse mjedisi do t'i kishte ofruar modele më të mira tjera të sjelljës, dhe jo ato që sot ia ofrojnë pushtetarë dhe autoritete morale që ligjin e konsiderojnë si copë lecke.

Botuar ne Gazeten Zeri (2 Prill 2011)

No comments: