Deputeti i ri i Kuvendit të Kosovës, Berat Buzhala, i angazhuar sërish në zanatin e avokatit të qeverisë në media, muajve të fundit ka filluar t'i ngjajë një kasete të prishur. Deputeti po i mëshon pafundësisht një argumenti shabllon si kundërpërgjigje ndaj çfarëdo vërejtjeje serioze që i adresohet qeverisë. Zbulimi psiko-analitik i deputetit është ky: ata që e sfidojnë qeverinë për dështimet e saj janë, në kallëp, njerëz të frustruar, vajtues dhe ndjellës të gjërave të kobshme.
Bëhet fjalë për një grup mëkatarësh, të cilët hedhin baltë të pamerituar mbi qeverinë dhe Kosovën, për shkak të inateve dhe interesave të tyre personale. Në këtë film epik, ku e mira ballafaqohet me të keqen, qeveria, e cila po punon me mish e me shpirt për ta nxjerrë vendin në dritë, është bërë viktimë e disa shpirtërave të ligë, të cilët shohin zi aty ku në fakt ka vetëm bardh.
Do të ishte krejt në rregull, insiston deputeti, nëse kritikat ndaj qeverisë do të shoqëroheshin me argumente, fakte dhe me propozimin e alternativave. Një ish-koleg i deputetit në gazetë, sot zv.ministër i Mjedisit, ia dhuroi kësaj strategjie të komunikimit publik një sllogan të këndshëm kur para nja dy javësh, në një debat televiziv, lëshoi si përgjigje ndaj akuzave për korrupsionin qeveritar një kërkesë urdhëruese: "Fakte! Fakte! Fakte!"
Nuk vihet në dyshim se në mesin e pjesëtarëve të opozitës, por edhe të disa opinionistëve që kanë qasje kritike ndaj qeverisë, ekziston njëfarë tendence për të argumentuar me logjikë përgjithësuese, paragjykuese dhe të pabazuar në fakte. Hapësira jonë e mendimit kritik është kontaminuar nga një dell i tepruar populist, i cili nuk tregon shumë konsideratë për të vërtetën dhe nuansat e realiteteve të ndërlikuara politika. Fryma e fatalizmit dhe vajtimit patetik që shfaqet te një numër shkrimesh dhe deklaratash publike është vërtet e paarsyeshme dhe e panevojshme.
Megjithatë, është shumë e qartë se makineria e propagandës qeveritare po përpiqet ta përdorë këtë fakt për ta delegjitimuar në tërësi kritikën e mediave ndaj qeverisë si të pasinqertë, histerike dhe të padenjë për t'u marrë në konsideratë.
Ndërkohë, trajtohen si inekzistente thirrjet parimore dhe dinjitoze kundër shkeljeve të ligjit, apo edhe kritikat dhe idetë e shumta konstruktive për politikat publike dhe orientimet strategike të vendit. Për shembull, jo më larg se të dielën, mu në shtypin dashakeq ndaj Kosovës, një kolumnist propozoi mënyra shumë kreative se si dërgesat e diasporës mund të kthehen në investime zhvillimore.
Në momentin që largohet mjegulla e propagandës dhe flitet në nivel të argumenteve, atëherë dalin në shesh shumë "Fakte! Fakte! Fakte", të cilat në mënyrë të pamohueshme shpërfaqin aferat korruptive dhe dështimet e qeverisë në politikbërje.
A nuk është fakt njollosës për qeverinë aktakuza e ngritur nga ana e EULEX-it mbi zyrtarët e PTK-së, të përzgjedhur nga qeveria, për lidhjen e një kontrate shumë të dëmshme me një kompani private? A nuk janë fakte rritjet e pashpjegueshme të pasurive të deklaruara nga disa zyrtarë të shtetit? A nuk janë fakte të mjaftueshme shkeljet financiare që auditori i përgjithshëm vazhdon t'i gjejë nëpër ministri të shumta? A nuk janë fakte dispozitat ekonomikisht të dëmshme për Kosovën, që u zbuluan në kontratën me konsorciumin Bechtel&Enka? A nuk është fakt që nxit dyshime të shumta shtëpia megalomane e kryeministrit për të cilën ky i fundit akoma nuk na i ka sqaruar burimet e financimit?
A nuk është tregues i prirjeve autoritare të kësaj qeverie fakti se, me nominimin e figurave partiake për Këshillin e Komisionit të Pavarur të Mediave, ajo po përpiqet të vendoset kontroll politik mbi njërin nga institucionet e rralla, që deri tani funksionojnë si më të pavarur? A nuk është fakt i pakontestueshëm letra të cilën FMN-ja ia dërgoi qeverisë për shkëputjën e marrëveshjës për mbështetje financiare, e cila e thotë qartë të kundërtën e asaj që përpiqen të na e shesin si të vërtetë zyrtarët e qeverisë? A nuk është tregues i vazhdimësisë së politikbërjës qorre fakti se strategjia zhvillimore e Banksos, e tillë siç ishte, e cekët dhe sipërfaqësore, sot nuk po përmendet askund si dokument udhëzues i politikave publike dhe nismave ligjore?
Lista e dështimeve të tilla të qeverisë është e gjatë dhe mbi to nuk mund të hidhet mjegull duke llomotitur për vajtues dhe struktura dashakeqe. Përpjekja për t'i mveshur me ndonjë faj ata që vënë në dukje gabimet e qeverisë nuk është gjë tjetër përpjekje e paftyrë për të përmbysur adresën e vërtetë të përgjegjësisë.
Nëse qeveria po bën diçka që meriton lëvdatë – dhe nuk kam dyshim se ka plot njerëz të mirë brenda saj, të cilët mund të jenë duke bërë diçka të hajrit - atëherë ajo gjithsesi nuk po tregohet e aftë për ta transmetuar këtë punë në opinion. Kaluan pesë muaj qëkur kjo qeveri erdhi në fuqi dhe ajo akoma nuk e ka një zëdhënës përgjegjës për këtë punë.
Meqë nga shtypi po kërkohen ide dhe alernativa, e propozoj për postin e zëdhënësit deputetin Buzhala. Me këtë hap ai thjesht do të zyrtarizohej në detyrën të cilën është duke e kryer prej kohësh.
(“Zëri”, 7 Korrik 2011)
No comments:
Post a Comment