Friday, July 01, 2011

(Mos)marrëveshje kosovare

Ne, shqiptarët e Kosovës, përgjithësisht e kemi të vështirë të arrijmë marrëveshje me njëri tjetrin rreth çështjeve mospajtuese. Hapësira jonë publike dominohet ose nga heshtja e debatit mbi këto çështje ose nga sulmet personalizuese dhe dyluftimet mes palëve me pozicione të ngurta. Shumë pak ka përpjekje për të diskutuar me synimin për të gjetur konsensus, për të mësuar diçka nga “kundërshtari”, për t'i zgjidhur dilemat apo konfliktet që gjallojnë mes nesh për hir të interesave më të larta të përbashkëta.

Javën që shkoi, problematika e gjerë dhe e ndërlikuar se ku Kosova ndërton konsensus, ishte temë diskutimi në “Sallonet e së martës”.

Pengesa e parë në shtjellimin e kësaj çështjeje ishte një lloj paqartësie semantike për domethënien e fjalës konsensus. Një kuptim i konsensusit është një gjendje statike e pajtimit të përgjithshëm (përfshirë edhe atë heshtur apo të nënkuptuar) të shoqërisë për çështje të caktuara. Sipas këtij kuptimi të fjalës, në shoqërinë tonë ekziston konsensus për disa çështje të caktuara siç është për shembull dëshira për t'u integruar në BE - dëshirë të cilën e ndajnë shumica dërmuese e qytetarëve.

Kuptimi i dytë i konsensusit, që del edhe të jetë përkufizimi i tij, është se konsensusi nënkupton procesin përmes të cilit shoqëritë zgjidhnin mospajtimet ose ndarjet më të thella që ekzistojnë brenda tyre. Tema të tilla përçarëse në shoqërinë tonë ka shumë, prej atyre të politikës së përditshme e deri te interpretimet e ndryshme për periudhat dhe figurat historike apo diskutimet për normat shoqërore dhe kulturore (si psh. çështja e bartjes së shamive në shkolla).

Në nivel më të gjerë, si shpjegim kulturor apo sociologjik i mungesës së konsensusit për problemet përçarëse, qoftë edhe për ato të nivelit më të ulët si problemet e kanalizimit në një lagje, mund të jetë fakti se shoqëria jonë karakterizohet nga niveli i ulët i “kapitalit shoqëror”. Me kapital shoqëror nënkuptohet materiali i padukshëm ngjitës i cili mundëson bashkëpunimin e individëve për interesa të përbashkëta (përtej nivelit të familjeve dhe fisit). Si shoqëri me kapital të lartë shoqëror konsiderohen ato skandinave dhe ato të Azisë së largët.

Si shembull konkret për të ilustruar kapitalin tonë të ulët shoqëror mund të merret rasti i blegtorëve të një rajoni të Kosovës. Ndonëse patën mundësinë të përfitonin financiarisht nga themelimi i një pikë të përbashkët grumbulluese të qumështit të financuar nga donatorët e huaj, për shkak të mungesës së besimit të ndërsjellët, blegtorët nuk arritën të merreshin vesh mes vete. Nëse në shoqërinë tonë me vështirësi merren vesh grupet që kanë interes të drejtpërdrejtë nga bashkëpunimi, atëherë çfarë mund të pritet nga grupet kundërshtuese ose rivale për të cilët frytet e marrëveshjes janë të mjegullta ose të padukshme?

Si faktor tjetër i rëndësishëm kulturor në mosarritjen e marrëveshjeve konsensuale është edhe mungesa e debatit publik. Si mund të ketë në shoqëri konsensus për çështje të cilat nuk debatohen ose futen nën qilim? Çështja e abortit mbetet çështje e kontesueshme dhe kontroverse në disa vende perëndimore, por ajo të paktën diskutohet hapur. Në Kosovë shumë tema kontravese nuk preken ose mbesin tabu. Në rastet kur hapen për diskutim, ligjërimi i palëve është mjaft agresiv dhe nuk shpien drejt zgjidhjes.

Mungesa e debateve dhe natyra e tyre përjashtuese shpjegohet edhe me mungesën e një tradite demokratike dhe nga fakti se si shoqëri nuk jemi mësuar të ballafaqohemi me diversitet të mendimeve. Për shkak të represionit të jashtëm, shoqëria jonë në të kaluarën është karakterizuar nga një tendencë për mendim dhe veprim kolektiv brenda grupit kombëtar e cila ka shtypur dallimet individuale. Por me fitimin e lirisë, raportet e brendshme shoqërore ndryshuan dhe filloi ndeshja e hapur ideve të kundërta apo gara e interesave ekonomike. Me këtë u krijua edhe nevoja për të gjetur forma të konsensusit mes individëve dhe grupeve rivale (për të siguruar kohezion shoqëror).

Të pamësuar për të qenë zot shtëpie dhe për të marrë vendime për veten tonë përtej nivelit të një vendbanimi të vogël, ne nuk kemi krijuar mekanizma për t'i zgjidhur mospajtimet tona në nivel më të gjerë dhe në një formë përfshirëse dhe mirëkuptuese ndaj interesave dhe mendimeve të kundërta. Palët mosbesuese dhe inatçore ndaj njëra tjetrës zakonisht synojnë me këmbëngulje të fitojnë maksimumin edhe në rastet kur është e qartë se konsensusi është i nevojshëm.

Në skenën tonë politike kjo ka shkaktuar nevojën për intervenime të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhur mospajtimet tona të brendshme, si në rastin e zgjedhjes së Bajram Rexhepit si kryeministër konsensual në vitin 2002 apo në zgjedhjen e Atifete Jahjagës si presidente në vitin 2011.

Imponimi ose ndihma e një pale të jashtme del si pikë e përbashkët e shumicës së rasteve të identifikuara ku ne si shoqëri arrijmë konsensus. Shtrohet pyetja: a është konsensus diç që imponohet nga një palë e tretë?

Nuk ekziston ndonjë zgjidhje e lehtë e këtyre dilemave dhe problemeve meqë shkaqet e mungesës së konsensusit të brendshëm janë të natyrës kulturore që ndryshojnë ngadalë. Meqë neve ‘konsensusi’ shumicën e kohës na vjen nga jashtë, disa e shohin procesin e integrimit në BE si mjet të rëndësishëm për zgjidhjen e çështjeve të kontestueshme. Reformat e kërkuara për anëtarësim zgjidhin një numër të madh çështjesh të cilat realisht do të ishin të kontestueshme, por kjo mbetet në nivel pothuajse teknik dhe kalon pa debat.

Është shumë e dyshimtë nëse kjo është një formë e dëshiruar apo edhe efektive për arritje të konsensusit. Shtypja e debatit dhe mungesa e marrëveshjeve organike brenda një shoqërie akumulon tensione të cilat kanë potencial destabilizues. Më e shëndetshme do të ishte sikur ne vetë ta kuptonim rëndësinë e ndërtimit të konsensusit me anë të debatit për çështjet të cilat dëmtojnë kohezion tonë shoqëror dhe kështu na e pengojnë përparimin. Nevojën për arritjen e marrëveshjeve dhe konsensuseve më organike e ilustron fakti se ne vazhdojmë të merremi më shumë me përçarjet dhe inatet e së kaluarës sesa me idetë për të ardhmen.

("Zeri", 28 qershor)

No comments: