Thursday, July 21, 2011

Objektet që flasin

Nuk mund të vihet në dyshim se Enver Hoxha është një nga personazhet më të errëta në historinë e kombit shqiptar. Izolimi dhe mjerimi që i shkaktoi Shqipërisë regjimi i tij paranojak ka lënë gjurmë dhe dhimbje të pashlyeshme në çdo pore të shoqërisë shqiptare. Brutaliteti i diktaturës së Hoxhës mund të konsiderohet edhe si një ndër shkaktarët kryesorë të ngathtësive në rimëkëmbjen demokratike të Shqipërisë.

Për këto arsye, mllefi i shumicës së shqiptarëve ndaj Enver Hoxhës dhe regjimit komunist është i natyrshëm dhe legjitim. Por ajo që nuk duket fare e arsyeshme është ideja se Hoxha dhe regjimi i tij mund të ndëshkohen përmes shkatërrimit të kulturës materiale të prodhuar gjatë periudhës së komunizmit, përfshirë këtu edhe objektet monumentale të ndërtuara për të nderuar diktatorin.

Para disa ditësh, Kuvendi i Shqipërisë mori vendimin përfundimtar për të rrënuar Piramidën, njërin ndër simbolet e Tiranës moderne dhe objektin me disa tipare interesante dhe origjinale arkitektonike ( si psh. krahët e shqiponjës që shtrihen nëpër faqet e piramidës). Objekti monumental u ndërtua në vitin 1988 si muze për Enver Hoxhën, por me rënien e regjimit komunist ai mori karakter tjetër dhe shërbeu kryesisht si qendër kulturore. Madje, qeveria shqiptare vitin e kaluar investoi 5 milionë euro për ta renovuar dhe për ta kthyer Piramidën në shtëpi të re të Teatrit Kombëtar.

Sipas vendimit më të ri të Kuvendit, në vendin ku sot ndodhet Piramida do të ndërtohet objekti i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Arsyetimi që jepet vazhdimisht nëper media nga mbështetësit e nismës është se me këtë akt simbolik do të zhduket një monument që simbolizon diktaturën dhe do t'i krijohet hapësira një objekti tjetër që simbolizon demokracinë dhe lirinë e Shqipërisë.

Kjo logjikë shpërfaq edhe një herë tendencën e fortë të shoqërive shqiptare për ta trajtuar trashëgiminë dhe kulturën materiale të periudhave të shkuara historike si platformë për zhvillimin e betejave ideologjike. Bëhet fjale për të njejtën logjikë të cilën më herët e përdorën komunistët teksa, nën entuziazmin e revolucionit progresiv dhe luftës së klasave, rrënuan pa mëshirë objektet e kultit apo qendrat e vjetra historike të shumë qytezave shqiptare.

Në thelb, diskutimet rreth Piramidës janë të ngjashme me debatet që bëheshin para disa vitesh në Kosovë për prishjen e ish-hotel “Unionit”, objektit të vetëm historik të frymës austro-hungareze në qendër të Prishtinës (i cili sot është kthyer në rrënojë). Edhe në rastin e “Unionit” mbështetësit e rrënimit përdornin argumente historike revanshiste. Meqë objekti ishte ndërtuar gjatë kohës së sundimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, ai “nuk ishte pjesë e trashëgimisë sonë” dhe shihej si simbol i kolonializmit serb, prandaj edhe “meritonte të rrënohej”.

Një gjë të cilën pushtetarët shqiptarë dhe mbështetësit e tyre në të dyja anët e kufirit nuk po arrijnë ta kuptojnë është se me një qasje të tillë ndaj objekteve të historisë nuk ndëshkohen ato që përceptohen si të zezat e së kaluarës, por ndëshkohet rëndë kujtesa jonë individuale dhe kolektive për këto periudha. Objektet historike përbëjnë arkiva kujtimesh ndërsa zhdukja e tyre është e barabartë me heqjen e faqeve nga librat e historisë.

Kur flasim për rëndësinë e objekteve monumentale apo simboleve të qyteteve, nuk bëhet fjalë vetëm për vlerat e mundshme arkitektonike, por edhe për vlerat emocionale që ato kanë krijuar për individët dhe shoqërinë në ndërkohë, apo edhe për vlerat arsimore për gjeneratat e ardhshme.

Objektet e së kaluarës, përmes gjuhës së historisë, na flasin dhe na rrëfejnë për nyjen mes nesh dhe vendbanimeve tona. Si pika reference të njohura për të gjithë, ato na ndihmojnë orientimin në kohë dhe hapësirë, i japin kontekst ekzistencës sonë në një mjedis, si dhe na e forcojnë ndjenjën e përkatësisë historike në një komunitet.

Për numrin më të madh të qytetarëve të Tiranës të cilët janë ngritur në mbrotje të saj, Piramida nuk ka kurrëfarë lidhje me figurën e Enver Hoxhës. Ajo gjatë ekzistencës së saj ka marrë kuptim tjetër: përbën sfondin e shumë përjetimeve dhe kujtimeve të cilat i japin kuptim idesë së të qenit banor i Tiranës dhe i Shqipërisë.

Fakti se një objekt historik mund të jetë ndërtuar nga pushtues apo regjime diktatoriale nuk përbën kurrëfar argumenti legjitim për prishjen e tij. Shumica e monumenteve dhe objekteve me të çmuara historike dhe arkitektonike në botë janë prodhuar nga regjime shtypëse të cilat dëshironin të tregonin madhështinë e tyre - prej piramidave të Egjiptit e deri te monumentet klasike që sot mbushin sheshet e kryeqyteteve evropiane.

Natyrisht, për një gjykim të tillë të ftohtë në rastin e Piramidës do të nevojitej ajo që quhet “distancë historike”. Kjo në Shqipëri është e pamundur meqë pasojat e regjimit të Hoxhës mbeten shumë të afërta dhe të prekshme për çdo shqiptar.

Megjithatë, një gjë më duket e qartë: ndëshkimi më i madh që do të mundë t’i bëhej Enver Hoxhës është ruajtja e kujtimit për të permes ruajtjes së piramidës. Historia e ndërtimit të saj do t’iu tregonte shqiptarëve të së ardhmes se vendin e tyre dikur e kishte udhëhequr një psikopat megaloman i cili e mbante veten për faraon.

(“Zëri”, 21 Korrik 2011)

No comments: