Në vitin 2005, prokuroria e Turqisë pati ngritur padi kundër shkrimtarit më të njohur të Turqisë moderne, nobelistit Orhan Pamuk. Aktakuza kundër shkrimtarit, e tërhequr më vonë pas presioneve të BE-së, mbështetej te një ligj arkaik i cili e ndalon "ofendimin e turqizmit". Sipas prokurorit, Pamuk i kishte shkelur dispozitat e këtij ligji absurd kur gjatë një interviste kishte pranuar faktin se Perandoria Osmane, në vitet e fundit ekzistencës së saj, kishte bërë gjenocid ndaj armenëve të cilët jetonin brenda kufijve të Perandorisë.
Aktakuza kundër Pamukut pati bërë mjaft bujë, duke shpalosur kështu botërisht mohimin këmbëngulës që historiografia turke i bën gjenocidit kundër armenëve. Ndonëse gjenocidi konsiderohet si fakt historik nga shumica e institucioneve kompetente shkencore në botë, Kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka urdhëruar institucionet e shtetit që si referencë të përdoret togfjalëshi "zhvillimet e vitit 1915". Me fjalën neutrale "zhvillime", Erdogan nënkupton vrasjen e më shumë se një milion njerëzve; shkatërrimin e objekteve të kulturës materiale; persekutimin dhe vrasjen e organizuar të elitave kulturore dhe politike armene, etj.
Mohimi i gjenocidit kundër armenëve nuk është e vetmja pasaktësi në historiografinë zyrtare të Turqisë. Kjo e fundit e jep edhe një pasqyrë të shtrembëruar të vetë natyrës së Perandorisë Osmane, duke e interpretuar atë përmes prizmit ideologjik të nacionalizmit turk. Në thelb, pretendimi është se Perandoria Osmane ishte perandori turke. Ndonëse etnia turke kishte njëfarë fuqie të natyrshme dominuese në perandori, kjo e fundit nuk mund të cilësohet si turke, meqë gjatë pjesës më të madhe të ekzitencës së saj koncepti i kombit nuk ekzistonte në vetëdijën e etnive të shumta që përbënin perandorinë dhe i kontribuan shumë asaj.
Për shkak të kësaj, është skajshmërisht ironike që Turqia po përpiqet të ndërhyjë në oborret e Shqipërisë dhe Kosovës për të kërkuar interpretime më të sakta të periudhës osmane.
Megjithatë, hipokrizia e kërkesës turke nuk do të thotë se edhe historiografia jonë zyrtare nuk ka probleme. Edhe kjo e fundit e interpreton periudhën osmane përmes dioptrive të mëvonshme ideologjike dhe përzgjedhjes së fakteve që përputhen me narrativin e parapëlqyer të hartuesve. Burimi i problemit qëndron te fakti se në qarqet tona akademike studimi i historisë nuk shihet si një angazhim shkencor i cili kërkon një qasje më objektive, të bazuar në parime empirike, por si një aktivitet i cili ka për detyrë glorifikimin e kombit dhe nxitjen e ndjenjave patriotike.
Kjo qasje misionare ndaj historisë, ku dëshirat u prijnë fakteve, ka çuar deri te interpretime të shtrembëruara që nuk përfillin kontekstin kohor të zhvillimeve gjatë periudhës osmane. Për shembull, përderisa nuk ka dyshim se perandoria erdhi si pushtuese dhe këtu hasi në rrezistencë të fortë, në librat tanë të historisë sikur nuk i jepet fort peshë faktit se në periudhat e mëvonshme një pjesë e madhe e shqiptarëve ishin besnik të devotshëm të perandorisë, përfshirë këtu edhe shumicën e figurave historike që i prinë rilindjës kombëtare dhe pavarësisë së Shqipërisë.
Historia e ndërlikuar e shqiptarëve gjatë Perandorisë Osmane, sidomos ajo e qindvjeçarit të fundit të fundit të saj, pasqyrohet shumë më saktë, për shembull, në librin e Stavro Skendit ("Zgjimi Kombëtar Shqiptar"), kujtimet e Eqrem bej-Vlorës dhe Ismail Qemalit, apo edhe në librin e historianit George Gawrytch ("Gjysëmhëna dhe Shqiponja"). Shumëçka që thuhet në këto libra bie ndesh me narrativin nacional-romantik që mësohet në shkollat tona, i cili shqiptarët e së kaluarës i sheh përmes botëkuptimeve të shqiptarëve të sotëm, duke krijuar kështu përshtypjen e një armiqësie të vazhdueshme ndaj Perandorisë Osmane.
E vërteta është se shqiptarët, të përçarë në shumë identitete rajonale dhe fetare që zhvilloheshin pa ndonjë komunikim të fortë me njëri tjetrin; me elita të rehatuara dhe të integruara mirë në sistemin perandorak; duke qenë të vetmit në ballkan që nuk u lejuan të kishin shkolla në gjuhën amtare dhe kështu të formojnë vetëdije kombëtare - filluan ta shohin vetën si bashkësi, dhe interesin e tyre si të ndarë nga interesi i perandorisë, vetëm pasi e panë rrezikun nga pretendimet nacionaliste të kombeve fqinje që kishin zhvilluar vetëdijen kombëtare më herët.
Mbrojtja ndaj këtij rreziku, por edhe pakënaqësitë me ekonominë dhe institucionet e kalbura perandorake, sollën deri te fërkime të shpeshta me perandorinë (në formën e rrebelimeve, kërkesave për bashkimin e vilajeteve shqiptare, etj). Megjithatë, shumica e shqiptarëve, përfshi edhe baballarët e kombit, vazhduan të mbështeteshin te perandoria për t'u mbrojtur nga pretendimet e fqinjëve, aq sa edhe u angazhuan për mbijetesën e saj. Në fakt, Gawrytch arrin në përfundimin se shpallja e pavarësisë në vitin 1912 ndodhi vetëm kur shqiptarët, të pakonsoliduar kombëtarisht dhe pa fuqi shtetformuese, e panë se perandoria po e humbiste luftën kundër aleancës ballkanike dhe se nuk kishte ndonjë rrugëdalje tjetër.
është e vështirë të bësh interpretime komplekse historike në shkrime të shkurtëra pa anashkaluar gjëra të rëndësishme dhe pa tingëlluar sipërfaqësor. Ajo që dëshiroj të them është historianët tanë kanë shumë punë para vetës për t'ua dhënë gjeneratave të ardhshme një pasqyrë më të saktë të historisë sonë të ndërlikuar – një pasqyrë të zhveshur nga komplekset dhe gjykimet e tepruara ideologjike.
Për këtë gjë nuk na nevojiten ligjeratat moralizuese të Turqisë. Agjenda e saj aktive politike, e kornizuar me doktrinën e neo-otomanizmit, na tregon se Stambolli i sotëm po përpiqet të bëjë atë që dikur e bënte Stambolli i vjetër: të përdor afrinë fetare me shqiptarët për të zgjëruar fuqinë e vet në "periferi të perandorisë". Dallimi është se, fatmirësisht, Stambolli i sotëm nuk është në pozitë për të na e përcaktuar nivelin e injorancës.
(Gazeta Zëri - 15 Shtator, 2011)
No comments:
Post a Comment