Thursday, September 29, 2011

Iluzionet e pilotëve kosovarë


Viteve të fundit vërehet një interesim gjithnjë e më i madh i shkencave të ndryshme për të kuptuar mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe marrin vendime – për të studiuar faktorët biologjikë, psikikë apo kulturorë që ndikojnë në këtë proces. Përderisa neuroshkenca sot është në gjendje të na japë të dhëna mjaft të detajuara për funksionimin e trurit dhe sistemit nervor, studiuesit e shkencave të ndryshme shoqërore, sidomos psikologët, vazhdimisht po i pasurojnë njohuritë rreth kësaj teme përmes eksperimenteve që testojnë reagimet e njerëzve ndaj shtytësve të ndryshëm.

Vendimmarrja e njeriut mund të analizohet përmes kornizave të ndryshme analitike dhe shkencore. Në ekonomi, për shembull, studimet e vendimmarrjes bëhen kryesisht brenda nënfushës së ekonomisë së sjelljes (behavioral economics) dhe fokusohen më shumë në analizimin e njeriut si pjesëmarrës në sferën ekonomike (si konsumator, prodhues etj). Megjithatë, në këtë shkrim desha të fokusohem te një dimension specifik: te ndikimi që mund të kenë normat dhe trajtat kulturore të një shoqërie në vendimmarrjen e udhëheqësve të saj.

Një aspekt të kësaj çështjeje e trajton gazetari dhe "pop sociologu" Malkolm Gladuell në librin e tij të famshëm “Të veçuarit” (Outliers). Një prej rasteve studimore më interesante në këtë libër është ai i vendimmarrjes së pilotëve të aviokompanisë shtetërore të Koresë së Jugut të cilët, gjatë viteve të 80-a, shkaktuan një numër shumë të madh aksidentesh (rrëzimesh).

Për të studiuar shkaqet e këtij fenomeni, autoritetet koreane analizuan bisedat mes pilotëve kryesorë dhe ndihmësve të tyre para se avionët të rrëzoheshin (incizimet që ruhen në "kutitë e zeza"). Studimet zbuluan se rrëzime të shumtën e rasteve nuk shkaktoheshin nga prishjet teknike, por nga komunikimi i dobët mes pilotëve dhe ndihmësve të tyre.

Në pothuajse të gjitha rastet e aksidenteve, kur ndihmësit i bënin ndonjë vërejtje pilotit për ndonjë vendim të tij, ata këtë vërejtje e bënin me shumë hezitim dhe tërhiqeshin shpejt nga mendimi i tyre, ndonëse vërejtja e tyre adresonte pikërisht shkakun e aksidentit të mëvonshëm. Për dallim prej kolegëve të tyre amerikanë ose evropianë, ndihmësit e pilotëve koreanë nënshtroheshin para autoritetit të pilotit kryesor dhe kishin frikë ta sfidonin mendimin e tij.

Argumenti që Gladuell përcjell është se kultura të ndryshme kanë raporte të ndryshme me hierarkitë shoqërore dhe se kjo ndikon shumë, mes tjerash, edhe në mënyrën dhe cilësinë e vendimmarrjes së atyre që janë në majë të hierarkisë. Nëse udhëheqësit rreth vetes kanë njerëz servilë që nuk ua sfidojnë autoritetin dhe mendimet, ata nuk e kanë mundësinë që të vetëdijesohen për gabimet e tyre, duke rrezikuar kështu krijimin e iluzionit të pagabueshmërisë apo, siç ndodh rëndom me diktatorët, edhe zhvillimin e delirit të madhështisë.

Idetë e Gladuellit bazohen mbi punën e studiuesit holandez Geert Hofstede, i cili e ka zhvilluar atë që njihet si “Indeksi Fuqi-Distancë”. Ky i fundit e mat përmasën e nënshtrimit të cilin njerëzit në shtete të ndryshme e kanë ndaj figurave të autoritetit (p.sh. ndaj familjes, shefave, udhëheqësve politikë etj.) Indeksi tregon se niveli i nështrimit ndaj autoritetit është shumë i lartë në shtetet e Azisë së largët dhe ato arabe, ndërsa më i ulët shfaqet kryesisht në botën perëndimore.Kjo kornizë analitike mund të jetë e dobishme edhe në analizimin e vendimmarrjes në Kosovë, meqë niveli i nënshtrimit ndaj figurave të autoritetit te ne është shumë i lartë. 

Në shoqërinë tonë ne mësohemi, prej jetës në familje e deri te përvojat në secilin nivel të shkollimit, që të nënshtrohemi dhe të mos e sfidojmë autoritetin e babës, mësuesit apo profesorit, duke e transmetuar më vonë këtë raport nënshtrues ndaj figurave të autoritetit edhe në sfera të tjera të jetës (p.sh., në politikë). Një gjë e tillë jo vetëm që e pamundëson krijimin e mekanizmave të përgjegjësisë në demokracinë tonë, duke u dhënë kështu udhëheqësve dorë të lirë që të abuzojnë me pozitën e tyre, por ka ndikim shumë të keq edhe në cilësinë e vendimmarrjes së udhëheqësve.

Shpeshherë kam bindjen se kryeminstri Hashim Thaçi, por edhe udhëheqësit e tjerë të çfarëdo niveli në Kosovë, në ato raste të rralla kur duan të bëjnë diçka të mirë për interesin publik, vuajnë shumë pikërisht nga mungesa e udhëzimit dhe kritikave konstruktive prej vartësve dhe këshilltarëve. Shumë prej këtyre të fundit janë të zot në fushat e tyre profesionale dhe mund t'i kuptojnë mirë gabimet e shefave. Por kultura e përgjithshme e nënshtrimit dhe servilitetit me gjasë shkakton heshtjen e mendimeve të tyre të sinqerta para "shefit" autoritar, ashtu siç ndihmësit e pilotëve koreanë zgjidhnin heshtjen përballë gabimeve fatale të shefave të tyre.

Si rrjedhojë, më duket se pilotët e shoqërisë tonë vërtet jetojnë nën iluzionin se janë të pagabueshëm në vendimet e tyre; se puna e tyre është shumë e suksesshme; se nuk kanë nevojë të përmirësohen. Ndërkohë, egoja dhe kokëfortësia e tyre bën që kritikat dhe vërejtjet që vijnë nga jashtë (p.sh., nga mediet apo shoqëria civile), të shihen si armiqësore dhe qëllimkëqija. Faktor i rëndësishëm në këtë drejtim është fakti se në shoqërinë tonë njerëzit përgjithësisht, e sidomos liderët, nuk dinë ta pranojnë kritikën dhe gabimin (gjest i cili shihet si dobësi).

Rezultat i gjithë kësaj është se avionët e shoqërisë sonë vazhdimisht po rrëzohen, ndërkohë që pilotët këtë gjë jo vetëm që nuk po e shohin, por vazhdojnë të mendojnë se janë më të mirët. Një pjesë të madhe të fajit për këtë gjë me gjasë e kanë ndihmësit që u rrinë afër dhe nuk e kanë guximin që t'ua thonë disa të vërteta në sy.

(Zeri, 29 Shtator 2011) 

No comments: