"Na shkoi jeta tu u anku !"
E kam dëgjuar këtë fjali shpesh, në disa raste edhe si reagim ndaj ndonjë shkrimi tim kritik ndaj rrethanave politike dhe shoqërore. E them këtë fjali edhe vetë teksa lexoj shkrime të tjera nëpër shtyp, ose kur përfshihem në bisedat e zakonshme të kafeneve.
Ndonëse gjithmonë e më tepër pajtohem me motivin që qëndron prapa kësaj "ankese mbi ankesën", si edhe me konstatimin se jemi bërë (apo ndoshta kemi qenë gjithmonë?) një popull vajtuesish, në rrafshin praktik e shoh si shumë të vështirë rezistencën ndaj impulsit për të qenë kritik dhe ankues. Nëse jeton në Kosovë dhe e ke ndonjë grimë të vetëdijes shoqërore, është sfidë e madhe që të mos shqetësohesh e të mos ankohesh, për shembull, ndaj padrejtësive të shumta që na rrethojnë, apo ndaj veprimeve neveritëse të elitave politike.
Megjithatë, vjen një moment kur të duket sikur po i mëshon murit me kokë; sikur vazhdimisht po përseriten të njejtat vërejtje; se ato nuk po prodhojnë asgjë me vlerë përveçse po i ngulin edhe më fort ndjenjat e pesimizmit dhe zhgënjimit; se po e forcojnë edhe më shumë mpierjen dhe paralizën e përgjithshme e cila na i ka prerë këmbët si shoqëri.
Përderisa si shoqëri harxhojmë shumë kohë dhe energji për t'i vënë në dukje problemet e mjedisit dhe fajet që na i kanë të tjerët, shumë pak reflektojmë për përgjegjësitë tona individuale për t'u bërë agjentë të ndryshimeve pozitive.
Gjithkush e ka ndonjë armik të preferuar, ndonjë fuqi të madhe e cila është fajtore për gjithçka dhe na pengon në çdo gjë: dikush Serbinë, dikush ndërkombëtarët, dikush kapitalizmin, dikush Hashim Thaçin – dikush të gjithë këta se bashku. Por asnjëri prej këtyre faktorëve nuk e arsyeton mungesën e veprimit tonë në ato sfera ku ne kemi fuqi dhe mundësi të prodhojmë ndonjë efekt në shoqëri, sado i kufizuar të jetë ai.
Në këtë drejtim, ka mjaft njerëz në Kosovë të cilët nuk vetëmjaftohen me ankesa, fajësime dhe shfajësime - njerëz të cilët, përkundër atmosferës së cinizmit dhe pengesave të mjedisit, lëvizin vendit për të ndërmarrë diçka. Po i përmend këtu vetëm disa raste të angazhimeve të tilla "armike" ndaj paralizës shoqërore, me shpresën se ato mund të shërbejnë si model për ne të tjerët.
Gazeta Jeta në Kosovë raportoi para disa ditësh për një nismë interesante që ka ndërmarrë organizata me emrin "Encompass" për t'u dalë në ndihmë talentëve të jashtëzakonshëm në shkollat tona fillore. Përmes një projekti të quajtur ATOMI, kjo organizatë do të shkojë anekënd Kosovës për t'i përgjedhur rreth 50 fëmijë me nivel të jashtëzakonshëm të inteligjencës.
Të përzgjedhurve do t'ju ofrohen kurse të avancuara në shkenca të ndryshme, pjesëmarrja në shkolla verore, etj – gjithçka me synimin që talentet e tyre të zhvillohen dhe të mos shkojnë dëm për shkak të dobësive të sistemit arsimor apo kushteve të vështira socio-ekonomike. Përvojat e këtij projekti mund të kenë rol vendimtar për fatin dhe të ardhmen e shumë prej këtyre talentëve, e si rrjedhojë edhe mund të kenë efekt në të ardhmen tonë si shoqëri.
Me një mision të ngjashëm – atë të krijimit të mundësive për fëmijët – po merret që disa vite edhe arkitekti Bujar Nrecaj. I arsimuar në Zvicër por i kthyer në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, Nrecaj ndërmori një nismë për të ndërtuar biblioteka të vogla dhe elegante (të dizajnuara nga ai vetë) nëpër oborret e shkollave fillore të fshatërave tona.
Me ndihmën financiare të disa ambasadave të huaja, Nrecaj deri tani ka arritur që të ndërtojë rreth dhjetë bibloteka nëpër fshatëra të izoluara anekënd Kosovës, duke u dhënë kështu fëmijëve të këtyre zonave mundësinë që, përmes leximit, t'i zgjërojnë horizontet e mendjeve të tyre.
Idealistët dhe ndryshuesit e shoqërisë nuk mungojnë as në sektorin privat. Si shembull mund ta marrim rastin e Kujtim Talit, një ndërmarrës dhe ekspert i tëknologjisë informative me karrierë tejet të suksesshme në SHBA.
Ndonëse ka mundur të gjejë vende me kushtë shumë herë më të favorshme për të investuar kapitalin dhe energjitë e tija, Tali para disa vitesh kishte vendosur që ato ti drejtonte drejt vendlindjes. Kompania e tij, 3CIS, sot është rritur në rreth 150 punëtorë, kryesisht ekspertë të teknologjisë informative, të cilët nga një ndërtesë e Prishtinës kryejnë shërbime të sofistikuara për klientë nga shtete të zhvilluara.
Armiqtë e paralizës shoqërore i gjejmë edhe në fushën e kulturës. Njëri prej tyre është muzikanti Ilir Bajri.
Nën organizimin e Bajrit, mbrëmë nisi edicioni i shtatë i "Prishtina Jazz Festival", një ngarje e cila tradicionalisht mbush sallën e Teatrit Oda me adhurues vendas të jazz-it dhe me muzikantë nga mbarë bota. Festivali, njësoj si shumë festivale të tjera të mirëfillta kulturore në Kosovë, realizohet me minimum të mbështetjes financiare, por me maksimum të vullnetit dhe të dëshirës së organizatorëve për t'i dhënë një shtrese shoqërore ushqim të nevojshëm shpirtëror dhe për t'a bërë atë që të ndihet, të paktën për disa ditë, si pjesë e botës.
Njerëzit që ndërmarrin nisma të tilla nuk e presin shtetin apo dikë tjetër për të lëvizur vendit dhe për të bërë diçka. Ata nuk i shohin vetëm pengesat përreth vetes, por edhe zgjidhjet brenda vetes. Ata na dëshmojnë se për këtë gjë shpesherë mjafton vetëm vullneti për t'i dhënë fund ciklit të ankesave si dhe pritjeve që politikanët dhe mjedisi të na sjellin gjithçka të gatshme në tavolinë, derisa ne rrijmë e derdhim lot vajtimi nëpër filxhanë të makiatove.
(Zëri, 3 Nëntor)
No comments:
Post a Comment