Thursday, November 17, 2011

Folklori dhe logjika e asfaltit



A është lajm i mirë fakti se një pjesë e Kosovës u lidh me Shqipërinë përmes një autostrade? Kjo pyetje, e parashtruar në këtë formë, pa dyshim se e merr një përgjigje pozitive nga një shumicë dërrmuese qytetarësh.

Para pak vjetësh, teksa për të shkuar në Tiranë trondisnim zorrët nëpër kthesat malore të Xhaxhit, ideja se kjo rrugë do të mund të shkurtohej në vetëm 3-4 orë i ngjante një ëndrre shumë të largët.
Janë të natyrshme edhe reagimet emocionale, të cilat i ndjell simbolika e autostradës –fakti se ne shqiptarët, të ndarë nga rrymat e historisë dhe muret e gjeografisë, sot jemi më afër njëri-tjetrit se kurdoherë më parë.

Në nivel personal, meqë rrugën për në Tiranë e bëj rregullisht, ekzistenca e kësaj autostrade ma lehtëson jetën. Të njëjtin efekt ajo do ta ketë edhe për shumë qytetarë të tjerë, e edhe për ato pak biznese që përfitojnë nga lidhjet me Shqipërinë.

Mbase ky afrim fizik do të rrisë edhe më tepër vetëdijen për faktin se Shqipëria dhe Kosova kanë mundësi dhe arsye të forta për t'u integruar si një treg dhe hapësirë kulturore e përbashkët prej 5-6 milionë njerëzish (nëse jo edhe njësi politike e përbashkët).

Është normale, pra, që në këto ditë të mbizotërojnë emocionet dhe vëmendja jonë të përqendrohet te ato përfitimet e dukshme të autostradës. Megjithatë, do të ishte e udhës që të mos verboheshim nga ethet folklorike dhe euforike që shpeshherë na shfaqen në situata të tilla gëzimesh, dhe të reflektonim pak më kthjellët mbi peshën e vërtetë që projektet e tilla e kanë në zhvillimin tonë të përgjithshëm; për mënyrën dhe koston e ndërtimit të autostradës; por edhe për përdorimin e këtij projekti nga makinat e propagandës politike.

Po e nisim nga kjo e fundit. Është e natyrshme që kryeministri Thaçi, duke e ditur peshën emocionale të autostradës në masat shoqërore, nuk do të ndalet duke e shitur realizimin e një pjese të saj si dëshmi të vizionit të pretenduar të shtetformuesit të suksesshëm historik. Qysh tani mund t'i imagjinojmë spotet zgjedhore me asfaltin "behtelian" në prapavijë.

Fakti se kjo pjesë e autostradës sot ekziston gjithsesi është sukses dhe meritë e Thaçit – kjo nëse me meritë dhe sukses nënkuptojmë vullnetin për të shpenzuar qindra miliona euro të parave tona dhe për të kontraktuar një kompani të aftë për të punuar shpejt dhe mirë.

Gjithsesi, përgjegjësinë kryesore për kuptimin që ka marrë fjala sukses në fjalorin tonë politik e mbajnë të gjitha ato qeveri të mëparshme të cilat e ulën në minimum të minimumit nivelin e pritjeve që qytetarët kanë prej politikanëve.

Në kohën e këtyre qeverive, paratë e buxhetit përfundonin ose në xhepa personal ose në suficit. Ato nuk kishin as vullnet, as ide dhe as kapacitet për të lënë prapa tyre ndonjë projekt me vlerë.

Shije shumë të hidhur, të atij lloji që zbeh çfarëdo pretendimi të Kryeministrit për merita dhe lëvdata, gjithsesi lë mënyra se si ky projekt u zbatua dhe po zbatohet. Pjesa e parë e saj u krye me shpejtësi të kënaqshme. Por a pati nevojë për gjithë atë mungesë transparence; për gjithë ato klauzola rjepëse në kontratë; për gjithë ato parregullsi që u zbuluan në përzgjedhjen e kompanive mbikëqyrëse?


Mbase kurrë nuk do ta kuptojmë se sa para u vodhën dhe kush përfitoi në kurriz të këtij projekti. Por kjo strategjia qeverisëse "vidh e puno!", ndonëse është më e mirë se strategjia "vidh e mos puno!", megjithatë mbetet moralisht kundërmuese në një shtet me nivel kaq të madh të varfërisë dhe me kaq shumë prioritete të tjera shpenzimesh.


Ekzistenca e këtyre prioriteteve të tjera na çon te nevoja për ta vlerësuar autostradën, dhe me këtë edhe arritjet e Thaçit si udhëheqës, në kontekstin e përgjithshëm të politikave të zhvillimit.


Në shoqërinë tonë vazhdon të dominojnë një tendencë e barazimit të zhvillimit me ndërtim rrugësh dhe objektesh fizike. Politikanëve ky mentalitet gjithsesi u konvenon. Votuesit mund t'ua vlerësojnë punën, meqë këto objekte i shohin me sy, ndërkohë që ndërtimi i tyre ofron mundësi të mirë për zhvatjen e parave publike.


Por, kjo miopi shoqërore është e dëmshme për zhvillimin e përgjithshëm. Ajo na verbon para faktit se zhvillimi është proces shumë i ndërlikuar dhe shumëdimensional; se rrugët dhe objektet janë të rëndësishme por se, pa investimet tejet të nevojshme në kapitalin njerëzor, ato nuk kanë kuptim; se politikat qeveritare paralelisht duhet të përqendrohen edhe në ndërtimin e shtyllave të tjera të shtëpisë nëse shtëpia jonë do të qëndrojnë ndonjëherë në këmbë.


Tani që autostrada u krye në një pjesë të Kosovës, çfarë prodhimesh tona do të kalojnë përmes saj? Lehtësimet në transportimin e eksporteve vlejnë njësoj si për prodhimet tona si për importet që tashmë dominojnë në tregun tonë.


Sa janë bizneset tona konkurruese në ekonominë rajonale apo botërore? Çfarë aftësish kanë punëtorët tanë dhe sa janë ata të tërheqshëm për investitorët? Sa kompani do të investojnë në Kosovë kur atyre s'mund t'u garantohet zbatim i kontratave nga sistemi gjyqësor? Sa ka bërë kryeministri Thaçi për t'i adresuar këto dhe shumë probleme të tjera kyç?


Shumë, shumë pak.


Autostrada është gjë e mirë. Por ajo nuk i zgjidh dhe as nuk ofron pikënisje për problemet kryesore strukturore që bllokojnë zhvillimin e Kosovës. Kryeministri mund të na ftojë që të kërcejmë vallen folklorike të asfaltit dhe arritjeve historike, por ai para së gjithash duhet të na japë përgjigje në pyetjet e mësipërme.


(Zeri, 17 Nentor)
http://www.zeri.info/artikulli/3/20/38527/folklori-dhe-logjika-e-asfaltit/

No comments: