Thursday, November 24, 2011

Kultura shqiptare, si riprodhuese e mjerimit


Para disa ditësh, në Gazetën “Jeta në Kosovë”, Artan Mustafa e botoi një koment të mirë reflektues mbi kulturën shqiptare të cilën ai e përkufizoi, mes tjerash, si një forcë shtypëse ndaj individit. Shkrimi i Mustafës duhet lexuar në tërësi për t'u kuptuar më mirë, por do ta shfrytëzoja atë si shkas për nxitjen e një debati më të gjerë mbi kulturën tonë dhe rolin e saj pengues ndaj ndryshimit dhe zhvillimit shoqëror.

Mbase duhet sqaruar se këtu fjalës kulturë po i jepet një përkufizim i gjerë antropologjik, duke nënkuptuar normat dhe vlerat që dominojnë dhe e rregullojnë një grup shoqëror apo përcaktojnë sjelljet e individëve. Ndonëse trajtimi i kësaj teme kërkon hapësirën e një libri të tërë, këtu po i parashtroj shkurtimisht (aq sa lejon një shtyllë gazete) vetëm tri shkaqe të natyrës shtypëse të kulturës shqiptare, por edhe efektet e tyre mbi ndryshimin shoqëror.

Së pari, kultura shqiptare e Kosovës, si pasojë e një historie të gjatë pushtimesh dhe kërcënimesh të jashtme, është tejet konservatore dhe karakterizohet nga një tendencë e fortë e mbylljes brenda traditave, vlerave dhe një identiteti paramodern kombëtar. Tendencat modernizuese të shoqërisë shihen si kërcënim ndaj këtij identiteti të ngrirë në kohë. Prandaj edhe vazhdon insistimi për t'i ruajtur traditat e tij si tërësi (pa e ndarë shapin nga sheqeri), meqë supozohet se ne kështu jemi "në gjendjen tonë natyrore dhe burimore".

Së dyti, problem mbetet niveli i ulët i aftësisë së qytetarëve për reflektim kritik - për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e bindjeve, miteve, autoriteteve apo vlerave dominuese në shoqëri (psh. aftësia e Kopernikut për të vënë në pikëpyetje dogmën kishtare se toka ishte në qendër të universit). Në këtë drejtim, shoqëria jonë karakterizohet nga një nivel i lartë i adhurimit, besimit dhe lidhjes emocionale që njerëzit kanë ndaj ideve apo autoriteteve dominuese.

Investimi i madh emocional në ideologji, parti apo individë të caktuar e bën të pamundur reflektimin kritik, meqë për individin e tillë çfarëdo dyshimi ndaj objektit të adhurimit apo përkatësive grupore është kërcënues ndaj egos dhe has në rezistencë të fortë psikologjike.

Para disa muajsh, një artikull në një revistë amerikane tregonte për një kult fanatikësh të cilët për vite të tëra kishin parashikuar se bota do të merrte fund në një ditë të caktuar si rezultat i një sulmi të jashtëtokësorëve. Kur ky sulm nuk kishte ndodhur në këtë datë, në vend se të vinin në dyshim vetë besimin e tyre në këtë ide, pjesëtarët e kultit ishin arsyetuar se diçka kishte ndodhur që i kishte shtyrë jashtëtokësorët të ndryshonin mendjen.

Nga ky prizëm i dobësisë psikologjike mund të shihen edhe gjithë ata kosovarë që refuzojnë të pranojnë defektet e objekteve të tyre të adhurimit dhe besimit (partive, liderëve, ideologjive), por vetëm t'i arsyetojnë ato dhe të insistojnë në pagabueshmërinë e tyre.

Së treti, jetesa e gjatë në kushtet e varfërisë shkakton shumë simptome negative psikologjike të cilat me kalimin e kohës nguliten thellë në kulturën e shoqërisë. Mes këtyre tipareve spikasin eksternalizimi i përgjegjësive, mungesa e vetëbesimit, mungesa e nismës individuale, etj. Të gjithë jemi dëshmitarë se në Kosovë dominon diçka që unë do ta quaja mentaliteti i qyqanit – i njeriut mosbesues ndaj ndryshimit, arsyetues të mosangazhimit, i cili nuk e merr përgjegjësinë mbi veten si individ por i nënshtrohet fatit.

Para disa vitesh, teksa me një mik po i komentonim disa vrima në kulmin e sallës së arritjeve të Aeroportit të Prishtinës (prej ku po futeshin brenda pika shiu), habiteshim se si një ndërmarrje fitimprurëse si aeroporti nuk bën një investim minimal për të mbyllur ca vrima. Një udhëtar tjetër ndjeu obligim për të ndërhyrë në bisedën tonë, për t'u arsyetuar se ne jemi shtet i varfër dhe se nuk kemi mundësi për të bërë gjëra të tilla (pra, as edhe të mbyllim vrima!). është pikëlluese lehtësia me të cilën mentaliteti ynë qyqar e pranon, toleron dhe legjitimon gjendjen e tij ekzistuese edhe në rastet kur zgjidhjet janë fare të lehta.

Një shoqëri konservatore dhe rezistuese ndaj ndryshimit të vlerave tradicionale; ku individët më shumë adhurojnë dhe besojnë në autoritete sesa që mendojnë për vete; dhe ku shumica i nënshtrohen fatit dhe nuk marrin përgjegjësi për ta ndryshuar atë – një shoqëri e tillë është shtypëse ndaj individit i cili mendon ndryshe, sfidon bindje dominuese dhe aktivisht kërkon ndryshim.

Delen, e cila përpiqet të largohet prej kësaj kopeje të mjerimit, nuk e ha ujku, por vetë tirania e kopesë e cila kërkon uniformitet dhe nënshtrim ndaj gjendjes ekzistuese. Si mund të ndryshojë për së mbari një shoqëri, kultura e së cilës i shtrydh pamëshirshëm agjentët e vet të ndryshimit?

Studiuesit e rolit të kulturës në varfërinë e shoqërive, si psh. Lawrence Harrison, argumentojnë se disa shoqëri kanë "trajta rezistuese ndaj përparimit" apo edhe se "varfëria është gjendje mendore". Ndonëse teorizimet e tilla kanë ngjyrime ideologjike konservatore dhe anashkalojnë shkaktarë të tjerë të rëndësishëm të moszhvillimit dhe varfërisë (para së gjithash strukturën ekonomike), nuk mund të mohohet se kultura dhe vlerat e një shoqërie, për shkak se transmetohen nga gjenerata në gjeneratë, luajnë rol të rëndësishëm në riprodhimin e mjerimit tonë shoqëror.

Neve na mbetet që të reflektojmë më thellë mbi këto vlera negative. Mbase si fillim do të ishte e udhës që të mos e shtypnim atë që mendon dhe vepron më ndryshe, atë "të paarsyeshmi", qoftë edhe nëse ky person na i sfidon vlerat dhe bindjet tona më të çmuara. Rëndësinë e njeriut të paarsyeshëm në ndryshimin e një shoqërie e ilustron bukur thënia e famshme e dramaturgut, George Bernard Shaw: “Njeriu i arsyeshëm i përshtatet botës, ndërsa i paarsyeshmi përpiqet t'ia përshtatë botën vetes. Prandaj, përparimi i njerëzimit varet nga njeriu i paarsyeshëm”.


No comments: