Thursday, December 22, 2011

Ranë këto morte...

Mëngjes i zymtë Dhjetori. Jashtë mban një aso i ftohti me frymë therrëse dhe të akullt që të humbet ndjesinë e lëkurës së fytyrës.

Në këtë kohë mortesh, i ftohti është edhe metaforik dhe ndihet shpirtërisht. Pranë derës së një shtëpie të madhe, asaj të Lirisë dhe Drejtësisë, janë vendosur dy karrige me peshqir. Dy fotografi të kornizuara mbajnë mbishkrimet: Kristofer Hiçens dhe Vaclav Havel. Dashamirë të familjes janë rreshtuar për kryeshëndosh në një rradhë të gjatë gjarpëruese.

Shtëpia nuk e ka ndonjë zot për t'ia shëndoshur kryet. Miqtë kanë ardhur aty për ta ngushëlluar veten dhe njëri tjetrin. Për këtë qëllim, brenda shtëpisë janë vendosur libra kujtimesh ku të pikëlluarit shkruajnë reflektime. Njëri prej tyre u përpoq të bënte një lidhje të shkurtër tematike mes këtyre dy gjigantëve të shuar në të njejtën javë:

"Të dy ishin armiq të tiranisë dhe të padrejtësisë. Ndonëse vepruan në fusha dhe rrethana të ndryshme – Hiçens si gazetar dhe intelektual publik nga bota anglo-saksone, Havel si dramaturg, disident dhe më vonë politikan nga Evropa lindore – dhe ndonëse kishin karaktere krejt të kundërta – Hiçens sherrxhi i zhurmshëm dhe politikisht jokorrekt, Havel i ëmbël dhe i sjellshëm - figurat e tyre megjithatë bashkoheshin te një vizion i përbashkët: te angazhimi për ta çliruar individin dhe shoqërinë prej ideologjive shtypëse dhe manipuluese.

Shoqërinë e drejtë ata nuk e konceptonin mbi ndonjë doktrinë githpërfshirëse, "ide supreme" apo figurë të autoritetit, por duke patur si themel diçka fare të thjeshtë: individin mendërisht të lirë dhe kritik.

Në librin "Letra drejtuar kundërshtuesit të ri", Hiçens udhëzon ata që ai i konsideron bartësit e stafetës së Emile Zolas, idealistët dhe intelektualët e rinj përparimtar që vazhdimisht janë "në kërkim të 68-ës së tyre". Si veteran i kësaj lëvizjeje dhe fryme, ai jep vërejtje për grackat dhe miopitë vetëshkatërruese të idealizmit dhe ideologjive dogmatike; fton që të jemi introspektiv dhe të vëmë në dyshim motivet tona; të thyejmë besnikërinë ndaj përkatësive grupore në rrethanat e çmendive kolektive; të nxjerrim sheshit hipokrizitë e ideologjive "qëllimmira" që kufizojnë liritë individuale dhe legjitimojnë shtypjen; ta shohim ngritjen e zërit si obligim, meqë "varri na jep kohë të mjaftushme për të heshtur".

Vetëm individët e tillë, aktiv dhe mendërisht të lirë nga dogma, mund të prodhojnë shoqëri të drejta dhe të parandalojnë ardhjen e Hitlerëve, Ahmedinexhadëve, Kastrove, Talebanëve, Millosheviçëve apo Enver Hoxhëve të kësaj bote.

Të njejtin individ mendërisht të lirë e shohim edhe në prapavi të sprovës monumentale të Havelit, "Fuqia e të pafuqishmëve", një vepër e cila motivoi shumë prej lëvizjeve anti-komuniste të Europës lindore. Të përballur me dhunën e pushtetit autoritar, duke jetuar "sikur regjimi nuk ekziston", individët mendërisht të lirë të Havelit ishin në gjendje ta çarmatosin aparatin represiv të shtetit dhe të bënin të dukshme atë që shumicës ua mjegullonte tyta e pushkës: pafuqinë e shtetit përballë mosbindjes civile të shumicës.

Ndonëse kishin bindje dhe qëndrime të forta morale, Hiçens dhe Havel ishin intelektualë të lirë nga mendimet skematike "autopilot". Në debatet mbi çështjet e mëdha të kohës, kjo i dallonte ata nga figura të tjera të botës intelektuale që konsiderohen si "autoritete morale" (si psh. dogmatiku i mërzitshëm Noam Çomski). Ndonëse qëndrimet e tyre shpesherë binin në kundërshtim me pozicionet e kampeve të përkatësisë (të majtës, kombit, etj), këto "kontradikta" në fakt ishin dëshmi e guximit, besnikërisë ndaj vlerave themelore universale, por edhe fleksibilitetit intelektual për t'ia përshtatur ato rrethanave të reja.

Ilustrimi më i mirë i konsistencës së Hiçensit dhe Havelit, e rrjedhimisht i hipokrizisë së figurave si Çomski, ishte qendrimi i tyre ndaj intervenimit të NATO-s në Kosovë. Derisa të parët mbështesnin zëshëm intervenimin si detyrim moral, i dyti vendosi që më i rëndësishëm se reagimi ndaj gjenocidit ishte kundërshtimi i "imperializmit amerikan". Pozicion moralisht kundërmues mbanin edhe shumë të djathtë (përfshi këtu edhe disa kundërshtarë të Presidentit Havel në Çeki) të cilët gjykonin nga prizmi i real-politikës dhe interesave të ngushta kombëtare.

Busullën morale të Hiçensit dhe Havelit mbase e bënte superior fakti se ata nuk ishin "filozof të karrikes", njerëz të përhumbur nëpër qiejt teorik të librave, por intelektualë që viheshin në vijë të parë të frontit kundër pardrejtësive. Përderisa Havel kishte shijuar burgun për disidencën e tij, Hiçens bredhte botën dhe mishërohej me kontekstin e konflikteve. Teksa shëtiste nëpër Sarajevën e rrethuar nga snajperistët serb, ai e kuptoi shumë mirë se kush është luftënxitësi dhe kush janë viktimat në Ballkan.

Me Hiçensin vazhdon fryma e Oruellit, ajo e të majtës anti-autoritare, dhe del si hipokrite ajo e majta bajate, trushpërlarë, anti-imperialiste e cila SHBA-të i barazon me dreqin.

Për Hiçens dhe Havel, SHBA-të dhe fuqitë perendimore, përkundër të metave të tyre, me të drejtë shihen si forca në thelb përparimtare dhe misionare në përhapjen e vlerave të epokës së përndritjes. Ky botëkuptim madje i afroi ata me lëvizjën neo-konservatore në SHBA në sfidat kundër lëvizjeve anti-moderniste si ajo e "fashizmit islamik" (një term të cilin Hiçens e popullarizoi) dhe regjimeve despotike në Afganistan dhe Irak. Historia do të dëshmojë nësë kishin drejtë në këtë pozicionim apo jo, por ajo që nuk mund të kontestohet është besnikëria e tyre ndaj parimeve universale të lirisë dhe drejtësisë."

Pasi mbaroi së shkruari reflektimin, i pikëlluari u largua nga shtëpia dhe eci në drejtim të një rrugice të errët. Në një shtëpi tjetër po mbahej e pamja për diktatorin koreano-verior Kim Jong-Ill. Rradhë këtu nuk kishte. Nëpër disa shtylla elektrike pluhuri tashmë kishte mbuluar afishet e Bin Ladenit dhe Gadafit. Në një shesh përballë dukeshin të shtrira për toke disa shtatore diktatorësh me mbishkrime arabe.

"Megjithatë, ishte një vit i mirë për lirinë." Edhe i ftohti sikur u zbut.

(Zëri, 22 Dhjetor 2011)

No comments: