Në vitin 1999, psikologët Kristofer Çabris dhe Daniel Simons nga Universiteti i Harvardit e bënë një eksperiment shumë interesant. Mblodhën një grup njerëzish para televizorit dhe ua lëshuan një video të gjatë një minutë e gjysmë, në të cilën shiheshin gjashtë njerëz - tre prej tyre të veshur me uniforma të bardha dhe tre të tjerë me uniforma të zeza.
Personazhet e videos lëviznin në mënyrë kaotike brenda një dhome duke i pasuar njëri-tjetrit topa të basketbollit. Të bardhët ua pasonin topat të bardhëve dhe të zinjtë të zinjve.
Detyra me të cilën u ngarkuan subjektet e eksperimentit ishte e thjeshtë: të numëronin pasimet e topit që bëheshin mes njerëzve me fanela të bardha.
Ky eksperimet është përsëritur dhjetëra herë dhe gjithmonë ka dhënë rezultate të njëjta. Gjysma e atyre që e shohin videon nuk vërejnë asgjë të pazakontë dhe në fund thjesht e japin një shifër të pasimeve të numëruara. Pjesa tjetër vërejnë se në mes të videos, për nja 7-8 sekonda, në skenë papritmas shfaqet një person i veshur me uniformën e gorillës.
Truri i njeriut, i përqendruar në ndjekjen e lëvizjës së fanelave të bardha, bllokon qëllimisht ndjekjen e çfarëdo objekti në ekran që ka ngjyrë të zezë (fenomeni njihet si "vëmendje selektive"). Si rrjedhojë, shumë njerëz nuk e vërejnë fare gorillën, ndonëse ky i fundit duket shumë qartë.
Ekperimenti i "Gorillës së padukshme" më bie ndërmend sa herë që në mediat tona shpërthen ndonjë "debat i madh" dhe opinioni merret gjërë e gjatë me çështje të cilat, të paktën për mua, janë krejtësisht të parëndësishme në krahasim me problemin madhor të kësaj shoqërie: politikat zhvillimore të qeverisë.
Fakti se qeveria e Thaçit vazhdon të mos e ketë një vullnet apo strategji koherente për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, më ngjan me atë gorillën në videon e eksperimentit. Ky fakt vazhdimisht na ikën prej syve për shkak të aftësisë sonë të pashterrshme për t'u shpërqendruar dhe për t'u marrë me probleme të tjera kryesisht të kota që na servohen nga mjedisi mediatik dhe politik.
Bëhet fjalë për çështje të cilat na përmbushin nevojat tona psikologjike (sidomos inatet e vjetra), apo thjesht çështje që janë të kuptueshme brenda nivelit të njohurive të shoqërisë.
Edhe kur flitet për zhvillimin, gjithçka bëhet në një nivel popullist dhe sipërfaqësor. Mendësia dominuese e barazon zhvillimin me investimet në kapitalin fizik dhe nuk kuptohet se politikat e zhvillimit janë një ndërmarrje komplekse dhe shumëdimensionale, apo se aspekti më i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm është investimi në kapitalin njerëzor.
Por, për çështje të tilla, me disa përjashtime të vogla, në mediat tona nuk diskutohet. Kjo ndodh ose për shkak se mediat dhe opinionistët qëllimsht nuk merren me tema të tilla (për shkak se nuk duan apo nuk dinë), ose për shkak se atyre nuk u jepet rëndësi nga konsumatorët e medias, gjë që, në epokën e tregut të lirë mediatik nënkupton edhe presione ndaj medias dhe gazetarëve për të zvogëluar ofertën e temave të tilla.
Gjithsesi, është fatkeqësi që po hyjmë në vitin 2012 si një shoqëri mjaft foshnjore; shoqëri lehtësisht e shpërqendrueshme nga marrja me ato që do të duhej të ishin prioritetet tona; shoqëri gjërësisht e frustruar me gjendjen e tanishme por njëkohësisht e paaftë për të kuptuar burimin e këtij frustrimi dhe për të identifikuar apo artikuluar rrugëdaljet.
Vazhdojmë të merremi me debate të kota që s'na çojnë askund përveçse na ofrojnë mundësi për të shfryrë mllef.
Sa më e dobishme do të ishte, për shembull, sikur energjinë e harxhuar në ndjekjen dhe ushqimin e psikodramës mes Rexhep Qosjes dhe ASHAK-ut ta kishim drejtuar në një diskutim më të gjerë rreth, ta zëmë, politikave industriale të Kosovës? Në fakt, një detyrë e tillë u takonte pikërisht akademikëve që ngatërroheshin mes vete për çështje personale.
Por, jo! Për shoqërinë tonë iracionale është më e rëndësishme që të flasim për atë se "kush kujt çka i tha në vitet 90" sesa të flasim për të tashmen dhe të ardhmen.
Në nivel më të gjërë, burimi kryesor i problemit gjithsesi qendron te disa tipare themelore të natyrës njerëzore. Psikologët prej Sigmund Frojdit e deri te gjiganti i ditëve të sotme Daniel Kahneman na mësuan se njeriu është në thelb një qenie shumë joracionale. Aftësia e tij/saj për të përceptuar botën dhe për t'u dhënë kuptim gjërave lë shumë për të dëshiruar.
Nëse në një video të thjeshtë, për shkak të një intervenimi nga ca eksperimentues, ne nuk e shohim një gjë kaq të dukshme dhe të veçantë si gorilla, paramendoni se sa të aftë jemi që t'i shohim e t'i kuptojmë gjithë ato dinamika të pakapshme nga syri por të cilat janë përcaktuese dhe të rëndësishme për zhvillimet shoqërore.
Mjegullën epistemike të racës njerëzore shoqëria jonë e pasuron me mjegullën vendore të injorancës krenare. Dhe natyrisht, "Ujku do mjegull!", na tërheq vërejtjen Genc Salihu në refrenin e njërës prej këngëve të tija të reja. Brenda kësaj mjegulle gjallërojnë ujqërit e shumtë të politikës kosovare.
Mjegulla u mundëson të gjitha partive, në pushtet apo opozitë, që mungesën e platformave konkrete zhvillimore ta zëvendësojnë me simbolika, mite dhe popullizma që ndjellin emocionet e turmave. Një shoqëri e cila me lehtësi ha karrema të tillë ia vështirëson shtypit detyrën emancipuese – atë të tërheqjes së vëmendjen drejt problemeve të rëndësishme, drejt "gorillës".
Por ky është një mision për të cilin ia vlen të luftohet. Prandaj për vitin e ri do të dëshiroja që të gjithë të vinim një palë syze të reja të mendimit kritik - rezistuese ndaj budallallëqeve të kota dhe përqendruese drejt prioriteteve të qenësishme të vendit.
Rol të rëndësishëm në këtë mision pa dyshim luajnë mediet meqë ato janë kornizueset e "vëmendjes selektive" të opinionit publik. Të paktën për autorin e këtyre rreshtave - një eksponent margjinal i medias – ndjekja e këtij misioni përbën një zotim të vitit të ri.
Kolumna për edicionin e fundvitit të Gazetës Zëri. Botuar me 31.12.2011. http://www.zeri.info/artikulli/3/21/41223/syzet-e-reja-per-2012/
No comments:
Post a Comment