Thursday, January 19, 2012

Politika epike dhe heroi i munguar


Një veprim politikisht i paarsyeshëm i VV-së u vijua nga një reagim edhe më i paarsyeshëm i policisë: dhunë joproporcionale, me raste edhe brutale, ndaj protestuesve të qetë (madje edhe deputetëve) që ushtronin një të drejtë kushtetuese. Palët e përfshira në këtë mejdan të paarsyeshmërisë e nisën vitin e ri duke ia imponuar shoqërisë një polarizim të skajshëm.

Nën tymnajën e emocioneve, ligjërimi publik u elektrizua deri në pikën ku sot pak kush dëshiron të dëgjojë argumente. Po zhduket edhe ajo pak hapësirë që ekzistonte për reflektime më objektive. Çdokush ndjen detyrim për t'u pozicionuar.

Provokimi i një situate të tillë duket se ishte synimi kryesor i VV-së kur e organizoi protestën. Një reagim i dhunshëm i policisë ishte i pritshëm dhe ishte pikërisht ajo që VV-ja kërkonte. Në ndjekjen e synimeve të tija politike, Kurti është një zbatues i shkathët i taktikave provokuese alla-Gandi.

Preteksti zyrtar i aksionit edhe mund të ketë qenë bllokimi i importeve serbe. Por, shihen qartë edhe motivet e politikës së brendshme – rimobilizimi i bazës mbështetëse, viktimizimi para opinionit, thellimi i portretit negativ të qeverisë dhe i partive opozitare si të nënshtruara, etj.

Në një kohë kur frustrimi me gjendjen socio-ekonomike po rritet (sidomos te rinia), VV-ja po e provokon njëfarë pike të vlimit në kundërshtinë qytetare ndaj qeverisë. Jo pak mbështetës të saj në internet po i fryjnë idesë së një "pranvere shqiptare".

Dramatizimi i situatës i interesonte edhe kryeministrit. Para protestës, bashkë me megafonët e tij mediatikë, ai nxeu gjakrat duke përdorur një retorikë provokuese dhe kërcënuese. Karikaturizimi i VV-së si një mbeturinë e mendësive të së shkuarës (fatkeqësisht, jo krejt i pabazë), synonte mbërthimin e qeverisë me petkun përparimtar, properëndimor dhe institucionalist.

Për Thaçin, zhvendosja e debateve politike në nivele të tilla simbolike është e dobishme meqë ajo e largon vëmendjen nga mungesa e vizionit dhe nga dështimet konkrete në qeverisje. Në anën tjetër, dhuna e policisë shërbeu si paralajmërim për ndonjë protestë më serioze në të ardhmen.

Ngjarjet e ditëve të fundit, pra, nuk kishin të bënin vetëm me sundimin e ligjit, Serbinë dhe rezolutat e Kuvendit - por para së gjithash me lëvizjen e figurave të shahut dhe me shfaqjen para syve tanë të filmave epikë, ku kacafyteshin e mira dhe e keqja.

Por, përkundër pretendimeve të palëve, në realitetin tonë gjërat nuk mund të priten kaq lehtësisht me thikë.

“Te individët çmendia është gjë e rrallë, por tek grupet, partitë, kombet dhe epokat ajo përbën rregullin”, thoshte me mprehtësi Niçe. Në kushtet e polarizimeve grupore dhe emocionalitetit të tepruar, ajo që vdes e para është e vërteta. Vdekja e saj çon drejt çmendisë kolektive për të cilën fliste Niçe.

Mjafton të shohim se si vritet e vërteta nga polarizimi i skajshëm në Shqipëri. Nëse i ndiqni lajmet në dy stacionet më të mëdha televizive (Top Channel dhe Klan), fitoni përshtypjen se bëhet fjalë për dy Shqipëri krejt të ndryshme – njëra që çdo ditë e më shumë po shkon drejt humnerës, tjetra që po lulëzon pa të ndalur.

Edhe ne, me sa duket, po rrëshqasim drejt një skizofrenie të tillë interpretimesh teksa përballemi me narracione të kundërta dhe absolutiste të realitetit. Brenda masës së madhe të grisë, të gjithë na bërtasin: "ne jemi e bardha, ata janë e zeza".

Natyrisht, palët dhe rolet e tyre nuk mund të relativizohen dhe të barazohen. Por, nuk duhet lejuar as verbërimin para fakteve dhe arsyes së shëndoshë.

Interpretimi im modest i fakteve është ky: e kemi një qeveri teknikisht më të pregatitur se qeveritë e mëparshme, por tejet të ngathët, pa ndonjë vizion udhëzues zhvillimor dhe vazhduese të avazit të shkeljes së ligjeve dhe hajnisë.

Burimi i problemit mbetet një kryeministër i cili, nëse e përdorim një kategorizim teorik të liderëve, na del të jetë një "lider transaksional" – i interesuar vetëm për mbajtjen e pushtetit përmes shkëmbimit të favoreve - dhe jo një "lider vizionar" i interesuar për shkundjen e status-kuos dhe ndryshimin qenësor të gjërave.

Në një kohë kur qytetarët kanë etje të dukshme për shpresë dhe për alternativa, çfarë bën VV-ja, kjo strehë e fundit e grimcave të etikës në politikë?

Ajo vazhdon ta keqorientojë frustrimin legjitim të qytetarëve me qeverinë drejt disa fiks-ideve dhe botëkuptimeve kokëforta skematike, të ngjashme me ato që tashmë janë vërtetuar si të gabuara – prej kundërshtimit të Rambujesë e deri te kundërshtimi i Pakos së Ahtisaarit.

Popullizimi euforik, i karakterizuar nga një ligjërim i rrezikshëm nacionalist dhe një formë e socializmit dogmatik, mbetet instinkti primar dhe i natyrshëm politik i VV-së.

Albin Kurti dhe VV-ja kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në shoqërinë tonë, mbi të gjitha në ngjalljen e idesë së qytetarisë aktive. Por, është koha e fundit që ata të kthejnë sytë drejt brendisë së Kosovës të mos e shohin absolutisht çdo gjë, përfshirë këtu edhe industrializimin e vendit, si katërçipërisht të varur nga raportet me Serbinë.

Me qasjen e saj të sotme VV-ja i ngjan një fëmije të llastuar që e ka dhomën të mbushur me njëqind lodra (v.j. korrupsioni, politikat zhvillimore, etj) por është fiksuar të hapë me dhunë derën e dhomës së kompjuterit teksa prindërit po e kërkojnë çelësin (v.j. ndërkombëtarët, veriu, Serbia).

Personalisht vazhdoj ta kem njëfarë shprese se Kurti një ditë mund të bëhet diçka si Joshka Fisheri – një radikal me zemrën në vendin e duhur, i cili me kalimin e kohës i thërret aryes. Por, me vazhdimin e kësaj agjende të pakokë të VV-së, kjo shpresë po më zbehet gjithnjë e më shumë.

(Zëri, 19 Janar)

No comments: