Thursday, January 26, 2012

Shkolla e ligjit dhe beteja për Prizrenin


Pasi që më 14 janar dha dajak në stilin e Lukashenkos dhe ua përçoi kundërshtarëve politikë një mesazh frikësues, në protestën e dytë, kryeministri Thaçi u tërhoq nga strategjia e kërbaçit.

Dhuna e tepruar e policisë irritoi gjerësisht shoqërinë, duke përfshirë edhe ata që s'janë mbështetës të VV-së. Ky fakt duhet ta ketë shtyrë kryeministrin që të rimendohej për qasjen agresive dhe kundërligjore ndaj protestave.

Edhe vetë thelbin e mosmarrëveshjes (çështjen e mocionit) ai e çoi aty ku duhej - në Kuvend, duke ia eliminuar kështu VV-së argumentin legjitim se qeveria nuk po i zbatonte vendimet e institucionit më të lartë të shtetit.

Për Thaçin, ligji mbetet një leckë e përdorshme vetëm në rastet e përshtatshmërisë politike. Dashuria e tij retorike për rendin institucional, e shpërfaqur zhurmshëm para protestës së parë, e bën të pamundur gjetjen e ndonjë sinonimi më të përshtatshëm dhe më të fortë për fjalën hipokrizi.

Çfarë e pengon kryeministrin që, për shembull, t'i vërsulë forcat e rendit drejt vjedhësve të votës apo cubave të parasë publike?

Zbutja e Thaçit megjithatë nxjerr sheshit diçka pozitive. Ndoshta s'mund të flasim për ndonjë përmirësim të tijin të sinqertë, por gjithsesi është i dukshëm njëfarë emancipimi i vockël i shoqërisë.

Kam përshtypjen se reagimet e opinionit, qofshin këto komentet e ndryshme nëpër media, apo edhe protestat si ajo e organizuar nga OJQ-të, po e arrijnë njëfarë efekti në frenimin e impulseve të shfrenuara të politikanëve. U përçua dhe u pranua mesazhi se dhuna është e papranueshme.

Në këtë drejtim, njëlloj pozitive sa zbutja e Thaçit ishe edhe tërheqja e VV-së nga protesta, e sidomos vendimi i saj për ta dërguar çështjen e mocionit në Gjykatë Kushtetuese.

Sikur edhe agjenda politike e VV-së të ndiqte këtë trajektore të moderimit, duke u shkundur nga botëkuptimet dogmatike dhe regresive, atëherë Kosova do të fitonte jo vetëm një opozitë të vërtetë ndaj pushtetit (gjë që VV-ja tashmë është), por edhe një alternativë më të mirë kundër tij.

Por të kthehemi te sundimi i ligjit.

Gjatë dy viteve të fundit, për shkak  një vargu zhvillimesh dramatike politike, shoqëria jonë kolektivisht kaloi nëpër njëfarë shkolle të ligjit.

Shkarkimi i dy presidentëve nga Gjykata Kushtetuese, por edhe disa vendime të tjera të saja (si psh. kthimi i ligjit për privilegjet e deputetëve), jo vetëm që na mësuan për rëndësinë e pushteteve të ndara, por edhe na vetëdijesuan për hapësirën (sado të kufizuar) që ekziston për t'i kanalizuar betejat politike përmes mekanizmave të sistemit.

Vendimi i VV-së për t'iu drejtuar GJK-së është indikacion i kësaj rritjeje të besueshmërisë ndaj sistemit dhe të krijon përshtypjen se ne megjithatë po ndërtojmë shtet; se mund t'i ndjekim bindjet tona duke e forcuar njëkohësisht logjikën e shtetit ligjor.

Natyrisht, shumë njerëz (sidomos tifozët partiakë), janë cinikë dhe përçmues ndaj atyre që i japin prioritet sundimit të ligjit para agjendave politike ("liberal naivë", na quajnë). Kjo s'është e habitshme. Edhe në sport askush nuk bën tifozllëk për arbitrin.

Matrapazët flasin me cinizëm për sundimin e ligjit meqë ai u pengon në përpjekjet për të abuzuar me pushtetin.

Në anën tjetër, janë idealistët dogmat, "zotëruesit e të vërtetave supreme" - ata që mendojnë se idetë dhe teoritë e tyre vlejnë më shumë se votat e sovranit. Këtyre sundimi i ligjit u shfaqet si pengesë në përpjekjet për t'ia imponuar bindjet shoqërisë.

Por ja që për rregullat ia vlen të luftohet, edhe nëse të gjitha palët të shajnë si arbitrin në një ndeshje sportive.

Rendi ligjor – ky konsensus elementar i shoqërisë që rregullon marrëdhëniet ndërnjerëzore – përbën thelbin e demokracisë liberale, parakushtin e çfarëdo përparimi dhe gurthemelin e civilizimit modern.
Në shtete të brishta si Kosova, ky rend ligjor është si një kullë prej letre e cila mund të shembet lehtësisht nga frymët rrëmbyese të politikës.

Javën e kaluar kësaj kulle i frynë të gjithë. Nuk ka ndonjë dallim mes dëshirës së VV-së për ta marrë ligjin në duart e veta dhe injorimit që Thaçi i bëri vendimeve të Kuvendit.

Nxjerrja e mosmarrëveshjeve politike përtej kornizave të ligjit nuk çon askund përveçse në dhunë e në rastin më ekstrem në luftë civile.

Shqipërisë iu deshën ngjarjet e 97-ës që ta nxirrte këtë mësim. Do të varet nga palët politike, e sidomos nga institucionet e pavarura si GJK-ja, nëse ne do ta tejkalojmë këtë "vit shkollor" pa dhimbje, por vetëm duke e forcuar shtetin.

Beteja e radhës për forcimin e shtetit ligjor, me karakter lokal por edhe kombëtar, do të zhvillohet këtë të diel në Prizren.

Atje, përmes të drejtës kushtetuese të protestës, një grup qytetarësh do ta kundërshtojnë një ligj absurd që Kuvendi miratoi për qendrën historike të qytetit. Ky ligj esencialisht i lë liritë e prizrenasve nën mëshirën e institucioneve fetare si Kisha Ortodokse Serbe.

Për ta kundërshtuar këtë ligj të panevojshëm – një ligj i cili, siç argumenton bindshëm Hajrulla Çeku, nuk është as në përputhje as me Kushtetutën, as me Pakon e Ahtisaarit e as me vullnetin e qytetarëve të Prizrenit – këta të fundit po i sosin të gjitha mekanizmat brenda sistemit.

Injorimi i nismave të tilla nga ana e qeverisë është akt po aq shtetrrënues sa disa prej veprimeve të VV-së. Në anën tjetër, një fitore eventuale e qytetarëve të Prizrenit përbrenda sistemit jo vetëm që do ta largonte një ligj absurd, por do t'ia shtonte një tullë betoni, sado të vogël, mureve të kullës sonë prej letre.

Duhet kuptuar përfundimisht se janë pikërisht këto mure dhe këto tulla ato që shërbejnë si garanci të lirive dhe të drejtave tona.

No comments: