Thursday, March 01, 2012

Nuk është tragjedi!


Në psikologji njihet gjerësisht koncepti i “efektit të kornizimit” ("framing effect") - një nga dhjetëra “paragjykimet kognitive” që shtrembërojnë sistematikisht gjykimin e njeriut, duke e bërë atë një qenie irracionale të zhytur në iluzione. "Efekti i kornizimit" nënkupton se njerëzit kanë prirje për të ardhur në përfundime të ndryshme mbi një dilemë, varësisht nga mënyra se si ajo parashtrohet.

Për shembull: mes një cope mishi që thuhet se ka 25% dhjam dhe një tjetre 75% pa dhjam, subjektet e eksperimenteve zgjedhin copën e dytë. Edhe pse opsionet janë identike, forma se si dilema parashtrohet – përqindja e lartë e shoqëruar me fjalën "pa dhjam" – disi shkaktojnë iluzionin e zgjedhjes më të mirë.

Rënia e njeriut në gracka të tilla logjike bën që kornizimi të jetë taktikë manipuluese e përdorur gjerësisht në marketing apo në politikë, ku palët mbështjellin ofertat me gjuhë simbolike dhe emocionale. Në SHBA, aktivistët kundër abortit e kanë emëruar kauzën e tyre si "Pro jetës" ("Pro life") meqë, sipas këtij kornizimi të çështjes, mospajtimi nënkupton të jesh "Kundër jetës" (pra, i pashpirt).

Mendoj se efekte të ngjashme po ndikojnë shumë në gjykimin tragjik që po i bëhen kompromisit me Serbinë. Ndonëse s'mund të quhet fitore, ajo është larg së qeni "zhbërje e pavarësisë".

"Efekt të kornizimit" në gjykimin e kompromisit pikë së pari shkakton fakti se ishte Serbia ajo që insistoi për fusnotën, gjë që automatikisht krijon përshtypjen se kjo është njëfarë gracke tejet e mençur. Këtu ndizen fitilat e mendësisë së inferioritetit dhe paranojës, narracioni i të cilës thotë se Serbia është gjithmonë dinake dhe vigjilente, ndërsa ne gjithmonë naivë, dhe se, tani që jemi në duart e "kurvës Evropë", në çdo moment duhet të pritet "ngulja".

Nuk merret parasysh fakti se një insistim i tillë i Tadiqit (një politikan mashtrues sikurse Thaçi) ka për synim që, përmes betejave më tepër simbolike, të amortizojë në elektorat lëshimet substanciale që shumëkush në Serbi po i interpreton si de facto njohje e Kosovës.

"Efekt të kornizimit" shkakton edhe ideja se ne me këtë marrëveshje po e ndihmojnë Serbinë për të marrë statusin e kandidatit për në BE (ndonëse s'është e qartë nëse refuzimi ynë do ta parandalonte këtë gjë). Inati i madh s'po na le të shohin faktin ironik, të cilin po e shohin nacionalistët serbë si Koshtunica – se në afat të gjatë vazhdimi i rrugës së Serbisë drejt BE-së është në interesin e Kosovës.

Ai siguron vazhdimin e nënshtrimit të Serbisë ndaj kushtëzimeve të mbështetësve tanë dhe është i rëndësishëm sidomos për çështjen kyç të veriut - meqë forcat proevropiane në Serbi, janë të vetmet që mund ta shkëpusin mbështetjen për strukturat paralele të lidhura me nacionalistët. Nga ana tjetër, përfundimi logjik i vorbullës integruese është se në BE s'mund të futen shtete që s'e njohin njëri-tjetrin. E përballur me 23 shtete të BE-së që na njohin (përfshi Kroacinë), Serbia e di shumë mirë se çka kjo nënkupton.

Gjykimin tragjik po e shkakton mbi të gjitha frustrimi i përgjithshëm me kushtet e jetesës në Kosovë, si dhe pakënaqësitë me këtë qeveri që fle me krimin dhe nuk tregon vizion apo energji në punë. Depresioni shoqëror sikur po e shkakton një kolaps të arsyes në diskutimet publike.

Asteriksi është pa dyshim fyes. Por, mllefin mënjanë, është e qartë se hesapet tona të mbetura me Serbinë, nuk mund t'i mbyllim pa vazhdimin e bashkëpunimit me ato fuqi që kanë interes për të na ndihmuar, por që duan ta sigurojnë edhe rrugën e Serbisë drejt BE-së. Alternativa e vetme ndaj kësaj strategjie të lodhshme graduale - konfrontimi – është shumë herë më e rrezikshme.

Nuk është e qartë nëse Thaçi ka pasur hapësirë për të nxjerrë më shumë gjatë negociatave. Fakti se ai është në pozitë për t'u shantazhuar nxit dyshime.

Megjithatë, kompromisi më shumë hap sesa që mbyll rrugë për konsolidimin e shtetësisë. Në marrëdhëniet rajonale dhe ato me BE-në i kemi fituar të gjitha atributet e shtetit. Për aq sa fusnota ka peshë, ne jemi pajtuar me 1244-shin po aq sa Serbia është pajtuar me mendimin e GJND-së. Vazhdon ambiguiteti ligjor (me peshën e zbehur Rezolutës). Ata që insistojnë në rëndësinë fatale të 1244-shit injorojnë rolin e fuqisë politike në interpretimin dhe ndryshimin e realiteteve ligjore.

Shumëçka tani do të varet pikërisht nga kjo fuqi politike – nga aftësia jonë dhe e aleatëve për ta thyer bllokadën në OKB përmes njohjeve. Fusnota nuk përbën pengesë. 88 shtete tashmë na kanë njohur përkundër 1244-shit, shumica para mendimit të GJND-së. Madje, analistët liberalë serbë, si Sonja Biserko, mendojnë se shtetet që kanë hezituar të na njohin për hatër të Serbisë mund t'i shohin lëshimet e kësaj të fundit si shenjë se po shkohet drejt njohjes dhe kështu të zbuten në hezitimin e tyre.

Frika nga "tajvanizimi" i çështjes, apo paralelet me Maqedoninë dhe Palestinën, nuk qëndrojnë meqë këto vende përballen me shtete që kanë fuqi të madhe bllokuese. Serbia nuk është as Kinë (fuqi botërore dhe anëtare e KS), as Greqi (anëtare e NATO-s dhe BE-së), e as Izrael (aleate e SHBA). Serbia do të jetë vetëm kandidate për BE.

Kompromisi e mori këtë përmbajtje dhe Serbia mori kandidaturën për shkak të dëshirës së diplomatëve evropianë për të siguruar fitoren e Tadiqit në zgjedhje, me idenë se fitorja do të nënkuptonte miratim të heshtur elektoral për orientimin që favorizon BE-në para Kosovës, gjë që mbase i krijon Tadiqit kapital politik, e pse jo edhe mandat, për të bërë koncesione më të mëdha pas zgjedhjeve.

Rreziqet gjithsesi janë se kohëzgjatja shumëvjeçare e negociatave për anëtarësim në BE, zvogëlon motivet e Serbisë për koncesione më të shpejta, por edhe mundësia reale e fitores së kursit antievropian në zgjedhje. Për këto arsye mbetet kyç fokusi te njohjet dhe te ruajtja e mbështetjes së aleatëve.

Derisa e gjithë kjo dramë e lodhshme të vazhdojë, do të ishte mirë sikur herë pas here të kujtoheshim se jemi të pavarur për t'u marrë me çështje "triviale" si zhvillimi ekonomik.

No comments: