Thursday, March 22, 2012

Gishtat në prizë

Besoj se edhe fëmijët kosovarë – ata që e kanë arritur pjekurinë për të kuptuar se babadimri nuk ekziston – tashmë duhet ta kenë marrë vesh se punët nuk i kemi fort "në dyzen".

Duke i pasur në sfond lajmet të cilat shoqëria jonë çdo ditë i prodhon, llafet e kryeministrit për rrugën evropiane të shtetit shpeshherë ngjajnë si të nxjerra nga skenari i ndonjë parodie.

Në këto lajme ne shohim kryetarë komunash që përballen me drejtësinë nën akuzat për detyrim dhe zhvatje të qytetarëve, apo për kërcënime të gazetarëve. Shohim kryetarë të tjerë që u japin premtime për kontrata publike financuesve të fushatave të tyre ("sekreti publik" i rrjeteve klienteliste u ilustrua së fundi në një raport hulumtues për komunën e Prizrenit).

Shohim deputetë, ish-prijës të luftës, që akuzohen nga shtete të huaja për keqpërdorime të sistemeve të tyre të mirëqenies, apo të tjerë që "për motive humanitare" përzihen me rrjete ndërkombëtare të trafikimit me organe. Shohim ministri që zhvillimin ekonomik e arrijnë duke u dhënë kontrata ish-ortakëve të ministrit.

Shohim një kryeministër i cili zhvillimet e tilla i këqyr sehri, sikur në këtë vend nuk po ndodh asgjë tjetër përveç arritjeve të njëpasnjëshme historike.

Shohim se ish-presidentë, shkelës të Kushtetutës, kanë falur të burgosur të dënuar për krime të rënda (të cilët më vonë kanë vrarë njerëz). Shohim parti opozitare që ngrenë zërin ndaj padrejtësive, ndërkohë që, mes tjerash, kryeqytetin e kanë kthyer në një monument të krimeve urbanistike.

Këto janë vetëm disa prej fatkeqësive që duken në sipërfaqe dhe të cilat e krijojnë pasqyrën e një shteti që është shumë larg arritjes së standardeve të dëshirueshme të qeverisjes dhe etikës publike.

Megjithatë, në disa rrethe më kritike ndaj rrethanave shoqërore, përballja e vazhdueshme me fakte të tilla dhe fiksimi në abuzimet e pushtetit po prodhon një përhumbje në vajtime defatiste dhe aspak produktive. Kjo shpeshherë nuk po na lejon që t’i vlerësojmë edhe zhvillimet pozitive, apo edhe fatet tona në fatkeqësi, të cilat mund të na shërbejnë për motivim.

Njëri prej këtyre është fakti se ne, duke qenë në hapat e parë të demokratizimit, po arrijmë t’i shohim të zezat tona më qartë dhe të flasim për to gjithnjë e më hapur.

Të jemi të sinqertë: politika, shteti dhe shoqëria jonë ka kohë që janë kapur nga grupe të interesit dhe janë kriminalizuar deri në palcë. Prandaj, diskutimi gjithnjë e më i hapur i këtyre çështjeve në thelb përbën përparim, meqë mundëson identifikimin e fajtorëve, ndonëse kjo hapje po shoqërohet edhe nga një kakofoni e dëmshme e shpifjeve dhe të pavërtetave që servohen për të krijuar mjegull dhe konfuzion.

Në këtë drejtim, fat në fatkeqësi është fakti se ne vazhdojmë ta kemi një numër të konsiderueshëm të gazetarëve të guximshëm hulumtues të cilët, ndonëse me raste tregojnë mangësi profesionale, na mundësojnë që ta shohim atë që shumëkujt do t’i konvenonte të mbetej e fshehur.

Bëhet fjalë për njerëz të cilët punojnë të përballur me rreziqe dhe përkundër mungesës së ndonjë shpërblimi të barasvlershëm me sakrificën, qoftë kjo edhe mbështetje morale prej shoqërisë së cilës ata i shërbejnë. Rast i këtij modeli qytetar ishte edhe gazetari Petrit Sherifi, i cili vdiq tragjikisht javën e kaluar.

Problemi kryesor i kësaj shoqërie në fakt ilustrohet pikërisht nga kjo mungesë e mbështetjes së mjaftueshme për gazetarinë hulumtuese dhe kritike. Transparenca që kjo gazetari sjell mbi realitetin tonë has jo vetëm në rezistencën e fuqive shtypëse të pushtetit, por edhe në murin e injorancës të një pjese të mirë të shoqërisë, e cila nuk dëshiron të përballet me të vërteta.

Në këtë mes spikaten militantët e partive, për të cilët e vetmja lloj gazetarie me vlerë është ajo që merret me fyerje ose ngritje figurash në kupë të qiellit, varësisht nga preferencat. Nëse nxirret ndonjë e zezë apo kritike për figurën dhe mitin e adhuruar, aty gjithsesi duhet të kenë gisht "qarqet e caktuara".

Edhe më problematik se kontestimi i fakteve, i cili në disa raste është i arsyeshëm për shkak të shpifjeve të shumta, është arsyetimi i veprimeve negative.

Është trishtuese që në shekullin XXI një numër i madh i qytetarëve tanë me qasje në internet (pra me një dritare drejt botës) janë në gjendje që në komentet e tyre t’i arsyetojnë, për shembull, mashtrimet që Azem Syla akuzohet t’i ketë bërë në Zvicër ("ja boj hallall që ka nxjerrë sa ka mujtë"), kërcënimet e Sami Lushtakut ndaj Jeta Xharrës ("kah s’po i rrasë hunët kjo") apo, në rastin e temave sociale, dhunën e burrave ndaj grave ("me siguri ka ba diçka ajo për me e meritu").

Në fund të fundit, lajmet që i prodhojnë elitat tona politike janë thjesht reflektim i disa vlerave tona shoqërore që po artikulohen më së miri nëpër portalet e internetit.

Por, derisa shumëkush prej nesh frustrohet me vazhdimësinë e këtyre mendësive regresive, duhet të kujtohemi se kjo shoqëri ka edhe shumë vlera dhe energji pozitive që nuk po arrijnë të duken nga llumi që ka zaptuar skenën.

Këto vlera gjallojnë brenda atyre qindra mijëra kosovarëve që nuk abuzojnë me zemërgjerësinë e shteteve të huaja, por fitojnë me djersë; gjallojnë brenda asaj shumice të heshtur të njerëzve që përpiqen të jetojnë pa i bërë dëm askujt, por që padrejtësinë e durojnë për shkak se ndihen të pafuqishëm; gjallojnë brenda aktivistëve dhe qytetarëve që ngrenë zërin kundër padrejtësive; e pse jo, gjallojnë edhe brenda një numri burokratësh e zyrtarësh shtetërorë që, megjithatë, udhëhiqen nga dëshira për t’i shërbyer interesit publik.

Këto forca dhe energji të shëndosha herë do kurdo do ta thyejnë murin e injorancës dhe do të dalin në sipërfaqe. Por, meqë vetëdija jonë shoqërore po rritet me shpejtësinë e breshkës, më duket se do të duhet të digjemi dhe të tronditemi fort, si ai fëmija që fut gishtat në prizën elektrike, për ta kuptuar mirë dallimin mes së mirës dhe së keqes.

No comments: