Thursday, July 25, 2013

S'ka zhvillim pa zhvillim njerëzor

Një varg raportesh mediatike na rrëfyen këto javë për trendin e emigrimit të jashtligjshëm të kosovarëve drejt vendeve të BE-së. Pamjet nga kampet e Hungarisë, ku thuhet se janë ngujuar rreth katërmijë njerëz, ishin tronditëse, por jo edhe aq befasuese. Një sondazh i muajit prill i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë gjeti se 30 për qind e qytetarëve dëshirojnë të largohen nga vendi, ndërkohë që përqindja është shumë më e lartë tek të rinjtë (49 për qind për moshat 18-21). Motivet, natyrisht, janë ekonomike.
Ndonëse mesatarja vjetore e rritjes ekonomike gjatë periudhës 2006-2012 s’ishte e keqe marrë parasysh krizën botërore - 4,6 për qind - nuk ka shenja se të ardhurat shtesë në ekonomi kanë “rrjedhur” edhe tek të varfrit (rreth 1/3 e popullsisë), buxheti i të cilëve u godit edhe nga rritja e çmimit të produkteve ushqimore. Shkaqet e kësaj “mosrrjedhje” në pamje të parë duken të qarta: rritja s’u shoqërua me krijim të mjaftueshëm të vendeve të punës; ekonomia kontrollohet nga “të fortët”; mekanizmat e ndihmës sociale s’janë efikase, etj.
Megjithatë, problemi duhet parë në një dimension më të gjerë, sepse shkaqet e varfërisë në Kosovë janë të një natyre më të thellë dhe strukturore. Edhe nëse rritja e GDP-së do të ishte më e madhe gjatë viteve të fundit dhe s’do të gllabërohej nga elitat, shumica e të varfërve sërish do të mbeteshin “të përjashtuar” nga mundësitë për të përfituar nga një ekonomi me strukturë dhe nivel të ardhurash si kjo e jona.
Arsyeja e parë dhe kryesore është fakti se pasojat e varfërisë së trashëguar brez pas brezi, veçanërisht mungesa e mundësive për zhvillim personal (intelektual, shëndetësor, kulturor, etj) kanë bërë që shumicës së të varfërve sot t’u mungojnë shkathtësitë dhe njohuritë për të kontribuar në ekonomi përtej nivelit të punëtorit të pashkathët ose pronarit të një mikro-biznesi joinovativ. Arsyeja e dytë është fakti se ndërkohë që numri i punëtorëve të pashkathët po shtohet, mundësitë e tregut për të absorbuar punëtorë të tillë janë shterur. Kaq ka hapësirë njëherë për njëherë për roje, pastrues, shoferë, etj.
Shkathtësitë e mangëta po e shkaktojnë jo vetëm vendnumërimin e të varfërve, por edhe të shtresave të tjera të shoqërisë, duke e frenuar kështu rritjen më të shpejtë të ekonomisë. Që ekonomia të krijojë hapësirë për punëtorë të pashkathët duhet rritur edhe numri i të shkathtëve, apo i specialistëve që mundësojnë rritje ndërmarrjesh dhe kalim në aktivitete me vlerë më të lartë të shtuar. Vështirësitë e ekonomisë në bërjen e këtij “hopi cilësor” tregojnë se shkak i papunësisë në Kosovë nuk është vetëm mungesa e vendeve të punës, por edhe mungesa e punëtorëve “të punësueshëm”.  
Këtë tezë e vërtetojnë edhe disa të dhëna empirike. Raporti i Zhvillimit Njerëzor (2012) i UNDP-së tregon se sa më shumë që një ndërmarrje rritet dhe largohet nga niveli mikro/familjar, aq më shumë përbën problem gjetja e punëtorëve të kualifikuar. Ndërlidhjen mes kualifikimit dhe punësimit e konfirmon edhe fakti se vetëm 10 për qind të atyre me shkollë fillore kanë vend pune, për dallim prej 34 për qind të atyre me shkollë të mesme ose 77 për qind të atyre me fakultet. Mospërputhja e drejtimeve të studiuara me nevojat e tregut, apo edhe cilësia e dobët e shkollimit, bën që edhe shumë prej të shkolluarve të merren me zanate që s’kërkojnë kualifikim.
Shkaktari kryesor i mungesës së shkathtësive në tregun e punës është padyshim sistemi ynë i dështuar arsimor. Por duhet pranuar se rol tejet negativ luan edhe kultura ekonomike e solidaritetit familjar që sot po e mban këtë shoqëri në këmbë. Fakti se 2/3 të qytetarëve në moshë pune janë “ekonomikisht joaktiv” - pra jo vetëm që s’kanë punë, por as nuk kërkojnë punë - tregon se kultura e solidaritetit përveç sigurimit të të ardhurave ndjell edhe parazitizëm, varësi dhe shthurrje kapacitetesh. 
Adresimi i shkaqeve strukturore të varfërisë dhe të mangësive në tregun e punës pa dyshim kërkon rishqyrtim të modelit të sotëm zhvillimor. “Rritja ekonomike pa investim në zhvillim njerëzor është e paqëndrueshme dhe joetike”, thotë nobelisti Amartya Sen. Sistemi ynë arsimor sot ka nevojë për nisma të përmasave që s’janë parë në këto vise që nga koha e luftës kundër analfabetizmit. Hapësirë buxhetore nuk është se s’ka. Kur i ke idetë e qarta dhe të duhura, s’është i vështirë as sigurimi i mbështetjes së donatorëve apo institucioneve financiare ndërkombëtare. 
Në nivel praktik, sistemi arsimor duhet riorientuar drejt zhvillimit të mendimit kritik dhe shkathtësive të kërkuara nga tregu i punës, me fokus të veçantë te shkollat profesionale. Prioritet përtej prioriteteve është edhe krijimi i programeve për zhvillim gjatë fëmijërisë së hershme. Mosha 0-6 është shkencërisht e vërtetuar si periudhë vendimtare për zhvillimin e kapaciteteve mendore dhe për sukses në fazat e mëvonshme të jetës. Një model të shkëlqyer të një programi kombëtar për Kosovën e ka propozuar një ekip i universitetit prestigjioz Yale dhe UNICEF-it. 
Në afat të shkurtër duhen forcuar mekanizmat dhe programet që ua mundësojnë të rinjve (60 për qind e të cilëve janë të papunë) përvojat e para në tregun e punës (praktika, punë sezonale, etj) që shpeshherë janë vendimtare për punësim të mëvonshëm. Fakti se 19 për qind të vendeve të reja të punës mes viteve 2010-2011 u krijuan në sektorin e bujqësisë tregon se rritja e mbështetjes financiare për këtë sektor pati efekt dhe se vazhdimi i këtij trendi mund të ndihmojë në zbutjen e varfërisë rurale. Veç kësaj, duhet zgjeruar dhe përmirësuar shënjestrimi i skemave të asistencës sociale. Solidariteti familjar nuk funksionon gjithmonë dhe për të gjithë. 
Kështu siç janë punët, një valë e re e emigrimit drejt perëndimit megjithatë duket e pashmangshme, sidomos pas heqjes së vizave. Por ashtu siç ka ndodhur edhe me valët e mëhershme, lidhjet me Kosovën do të ruhen dhe shumë do të duan të rikthehen bashkë me paratë dhe përvojat e fituara. Por që trendet emigruese të mund të përmbysen, Kosova duhet përfundimisht t’i vendosë themelet e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Vija e parë e frontit në këtë betejë është sistemi arsimor.  
(Botuar me 25/07/2013 te Gazeta Jeta ne Kosovë: http://gazetajnk.com/?cid=1%2C1067%2C6094).  

No comments: