Friday, April 22, 2011

Mallkimi i Blerimit

Diku në një fshat afër Suharekës jeton Blerimi, një djalosh dhjetë vjeç, bukurosh bjond dhe i hollë, prototip i imazhit të fëmijës në Abetare.

Familja shtatëanëtarëshe e Blerimit jeton në kushte të rënda, por kohët e fundit ajo ndihet më e lumtur se zakonisht. Kryefamiljari, Muhameti, një punëtor krahu me katër vite shkollë të kryera, ka nisur punë për një nga kompanitë e përfshira në ndërtimin e autostradës. Puna është e mundimshme, por ajo ia siguron familjes blerjen e ushqimeve dhe mbjelljen e ca perimeve në oborr. Fëmijët tani po ushqehen tre here në ditë dhe gëzojnë shëndet më të mirë.

Në fshat, ndërtimi i autostradës ka rritur shpresat se po vijnë ditë më të mira. Atëherë kur ka rrymë, Muhameti ndjek lajmet e mbrëmjes në RTK ku Kryeministri Thaçi flet rregullisht për përparimet e Kosovës. Së fundi Muhameti e kishte dëgjuar Kryeministin të thotë se përfundimi i autostradës do të sjellë investime dhe vende pune.

Muhameti megjithatë ndjen ankth se pas përfundimit të punimeve do të mbetet pa të ardhura. Ndihma sociale e shtetit është e pamjaftueshme për mbijetesë. Për dallim prej 20% të familjeve kosovare që marrin dërgesa parash nga diaspora (sipas UNDP-së), Muhameti jashtë vendit e ka vetëm një kusheri i cili ndonjëherë u dërgon fëmijëve rroba. Ai e ka të vështirë të gjejë punë meqë nuk ka ndonjë aftësi të veçantë. Ato pak biznese që operojnë rreth fshatit janë biznese familjare që punësojnë vetëm të afërmit e tyre.

Muhameti ka menduar të merret me bujqësi, por ai nuk i njeh teknologjitë e nevojshme për të rritur plleshmërinë e truallit të vogël dhe nuk ka para për të investuar.

Së voni ai kishte dëgjuar për një kompani të huaj e cila kishte dashur të ndërtonte një fabrikë në një fshat fqinj. Dikush i kishte thënë se kompania ishte tërhequr pasi pushtetarët i kishin kërkuar rryshfet për disa lehtësime. Dikush tjetër i kishte thënë se shkak i largimit ishin ndërprerjet e shpeshta të rrymës dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar. Cilado të jetë e vërteta, kompania tashmë kishte vendosur të investojë në Maqedoni.

Derisa në mëngjes e bëjnë bashkë rrugën për në shkollë dhe punë, Muhameti shpesherë i flet Blerimit për rëndësinë që ka shkollimi për të ardhmen e tij. Por Blerimi nuk është entuziast për mësimet. Prej mësuesit të tij të paaftë dhe nevrik ai fiton më shumë trauma sesa njohuri dhe aftësi. Blerimi e ka njëfarë kurreshtje për librat, sidomos ato që përmbajnë ilustrime, por libra në fshat ka më pak se telefona mobil. Si rrjedhojë, ai akoma nuk di mirë shkrim dhe lexim, ndonëse është në klasë të tretë.

Foto: Ermal Meta ©

Blerimi gjithmonë i ka kaluar ditët duke luajtur me shokë nëpër livadhe dhe duke u kotur në shtëpi. Në ato raste kur ka pasur kohë të merret me të, nëna e tij, një shtëpiake që gjithashtu ka kryer vetëm disa vite shkollë, nuk ia ka ofruar trajtimin e duhur psikologjik. Rreth 90% e trunit të njeriut zhvillohet gjatë moshës 0-6 vjeçare, përfshirë këtu bazat e zhvillimit emocional, botëkuptimet morale, aftësitë e socializimit, intelektit, etj – faktorë vendimtarë për sukses të mëvonshëm në jetë. Për dallim prej fëmijeve në shumë shtete të varfëra, Blerimi nuk i ofrohet ndonjë program parashkollor për të kompensuar mungesën e trajtimit në duhur në familje. Pa pasur kurrëfarë faji, ai e nis rrugëtimin jetësor i pabarabartë në raport me fëmijët e tjerë që rriten pranë prindërve më të arsimuar. Kjo pabarazi e përcjellë dhe i thellohet gjatë jetës.

Blerimi është karakter i imagjinuar, por i vërtetë. Rreth 45% e fëmijëve kosovarë (sipas UNICEF-it) jetojnë të ngujuar në kushtet e varfërsië dhe varfërisë ekstreme. Mungesa e mundësive për zhvillim normal garanton se shumica e tyre do të trashëgojnë varfërinë intelektuale dhe materiale të prindërve të tyre.

Shkëputja e këtij cikli të varfërisë përbën obigim moral për shtetin. Këtu nuk bëhet fjalë as për barazinë që të majtët utopik përpiqen t'ia imponojnë shoqërisë me zor, dhe as për pabarazinë që të djathtët cinik e shohin si gjendje natyrore të njerëzimit. Bëhet fjalë për parimin më themelor të çdo demokracie perëndimore – parimin e mundësive të barabarta.

Për këtë arsye, nismat që e adresojnë këtë problem – psh. programet për zhvillim gjatë fëmijërisë së hershme - duhet të integrohen brenda çfarëdo strategjie të ardhshme të zhvillimit ekonomik. Kosova nuk mund të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike nëse gjysma e popullësisë mbetet e përjashtuar nga përfitimet dhe e paaftë të kontribojë.

Kur të rriten, Blerimat dhe Blerinat e Kosovës me gjasë do t'i urrejnë dhe mallkojnë ata që, ndonëse patën mundësi, nuk bënë asgjë për t'ju dhënë një rast për jetë më të mirë. Këtë ndjenjë më së miri duhet ta njohin disa që sot janë mbështetës apo pjesë e partisë në pushtet, mundësitë jetësore të të cilëve në të kaluarën ishin të kufizuara nga regjimi komunist.

Zeri (21 Prill)

1 comment:

Unknown said...

Blerim i mallkuar kane qene te gjithe qeveritaret, shpresojme qe nese Blerime behet dikush te mos harroje....